SPAK ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme dosjen hetimore ndaj grupit të strukturuar kriminal me përbërje Adulla Hoxhaj, Almir Gjidiaj, Admir Tutaj, Alban Gjidiaj, Rifat Avdiaj dhe Bojken Turtulli, të akuzuar për trafik armësh drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Tre prej tyre: Adulla Hoxhaj, Bojken Turtulli dhe Rifat Avdiaj, janë në paraburgim prej 1 gushtit 2024, pasi u arrestuan në Shqipëri në kuadër të operacionit "Inkorporimi". Admir Tutaj u arrestua në Kolumbi më 25 gusht 2024, dhe u esktradua në vendin tonë më 19 shtator po të atij viti, dhe gjykata e la në burg bashkë me të tjerët. Edhe Almir Gjidiaj u arrestua në Kolumbi në janar të këtij viti dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri. Vëllai i Almirit, Alban Gjidiaj, u arrestua në Londër më 30 janar 2025, ku dhe ndodhet ende në liri me kusht.
Krahas akuzave që rëndojnë mbi të 6 emrat e mësipërm, në njoftimin e SPAK sqarohet edhe struktura e këtij grupi kriminal. Hetimet kanë zbuluar se ky grup i strukturuar kriminal operonte i ndarë në dy nëngrupe që vepronin përkatësisht në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Nëngrupi që vepronte në Shqipëri përbëhej nga Adulla Hoxhaj, drejtues, dhe pjesëmarrës Rifat Hoxhajn, Bojken Turtulli dhe Franko Gjalpi. Nëngrupi që vepronte në Mbretërinë e Bashkuar përbëhej nga Almir Gjidiaj, drejtues, dhe pjesëmarrës Admir Tutaj e Alban Gjidiaj.
Në 3 raste, policia shqiptare ka arritur t'i zbulojë dhe sekuestrojë këtij grupi të strukturuar kriminal, një numër të lartë armësh, parash dhe sende të tjera të jashtëligjshme, ose që përdoreshin për veprimtari të jashtëligjshme.
I pari nga ky grup i strukturual kriminal që ra në prangat e policisë ishte Franko Gjalpi, i cili u dënua me 8 vite burg nga GJKKO.
"Nga aktet e administruara për këtë procedimi penal, ka rezultuar se më datë 10.4.2023, gjatë procesit të skanimit të një mjeti tip furgon me targa britanike, KS 15 MZN janë konstatuar anomali dhe është vendosur të bëhet kontrolli fizik i tij, pranë pikës së kontrollit.
Prej këtij kontrolli rezultoi se, në brendësi të një tavoline druri që ndodhej në këtë furgon u gjet e fshehur një sasi prej 8 armësh zjarri të llojit pistoleta, 4 krehëra pistoletë dhe 201 copë fishekë të kalibrit 9 mm. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim penal, është identifikuar fillimisht vetëm njëri prej personave të implikuar në kryerjen e kësaj vepre penale dhe më datë 15.6.2023, është bërë identifikimi i shtetasit, Franko Gjalpi",- rrëfen SPAK për zbulimin e këtij grupi, në mënyrë kronologjike.
Organizatorët kishin gjetur një ambient të përshtatshëm dhe specialistë të fushës së mobilierisë në periferi të Tiranës, të cilët do të mundësonin fshehjen e armëve në brendësi të produkteve të drurit (për të mos u kapur nga kontrolli i strukturave të policisë dhe doganës). Ata kishin siguruar personat që do të bënin zhvendosjen e “porosive” tek kompania e transportit në Tiranë, përdorimin e gjeneraliteteve të rreme si nga dorëzuesit e porosive tek kompania e transportit, ashtu edhe nga pritësit e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.
"Po ashtu, vënia në dispozicion e mjetit të transportit dhe të komunikimit, si dhe shpërblimet respektive për çdo transport që kryej, kemi vlerësuar se numri i personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale është më i lartë se dy, duke konkluduar se ndodhemi para kryerjes së veprës penale objekt hetimi, jo në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë, por në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal",- sqaron më tej SPAK.
Nga tërësia e hetimeve të kryera u bë e mundur të identifikohen bashkëpunëtorët e tjerë të të pandehurit Franko Gjalpi, të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale, më konkretisht i të pandehurve: Adulla Hoxhaj, Rifat Avdiaj, Admir Tutaj, Almir Gjidiaj, Alban Gjidiaj dhe Bojken Turtulli.
Komente
