Gjykata e Posaçme konfirmoi masat e sigurisë “arrest shtëpie” për kryebashkiakun e Tropojës, Rexh Byberi, për veprën penale të “shpërdorimit të dteyrës” dhe dyshimet për abuzimin financiar të mbi 277 mln lekëve në lidhje me ndërtimin e dy rrugëve në bashki dhe rrafshimin e pyjeve, si dhe zëvendësit të tij Abedin Kërrnaja.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, konfirmoi marrjen nën hetim më datë 9 Shtator të kryebashkiakut, teksa ka dorëzuar edhe aktet e dosjes në GJKKO për vlerësim mase.
Ditën e sotme, (12 Shtator), pasi ka dëgjuar Prokurorinë e Posaçme në seancë me dyer të mbyllura, mbi veprat e bazuara në Nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, gjyqtarja e gatshme Etleva Deda ka pranuar kërkesën e SPAK-ut për arrest shtëpie.
E njëjta masë për shpërdorim detyre në bashkëpunim u dha edhe për zyrtarin vendor, nënkryetarin e Bashkisë, Abedin Kërrnaja.
“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Byberi dhe Kërrnaja kanë shkelur ligjin në për ndërtimin e dy rrugëve, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit 277.611.520 lekë. Dy hetimet e nisura nga organet vendore të qarkut Kukës përkatësisht në vitin 2021 dhe 2023, i kanë kaluar për kompetencë SPAK”, thuhet në dosjen hetimore dhe njoftimin e SPAK.
Sipas SPAK, kryetari i Bashkisë dhe nënkryetari kanë shkelur ligjin “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, gjatë procesit për hapjen e dy rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.
Bëhet fjalë për vendimin e marrë nga Këshilli Bashkiak për ndërtimin e rrugës Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules”, me një gjatësi 3.2 km, totalisht ndërtim i ri, i cili 80% të kësaj gjatësie kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese. Ndërkohë dhe vendimin e marrë për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Qafë Murrizi- Qafë Agri”.
Vendimi i masës së sigurisë nga GJKKO
Rexhë Byberi, kryebashkiak i Tropojës dhe zëvendësi i tij, Abedin Kërrnaja ka mbërritur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë.
Ndaj drejtuesit të bashkisë dhe zëvendësit të tij, GJKKO me kërkesë të SPAK ka caktuar masën arrest shtëpie, pasi i akuzon se kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë shkatërruar pyjet.
Sipas Prokurorisë së Posaçme ata kanë lejuar ndërtimin e një rruge pa marrë më parë lejen nga organet kompetente duke shkaktuar kështu edhe dëm natyror.