ELBASAN- SPAK ka goditur sërish organizatën kriminale të dy vëllezërve Franc e Hajdar Çopja, duke u sekuestruar një vilë dykatëshe në Elbasan, pasuri e cila dyshohet se është vënë nga aktiviteti kriminal. Vila me një vlerë të konsiderueshme, siç thotë SPAK, është vënë në sekuestro me datë 23 shkurt 2025 dhe ndodhet në lagjen “5 Maji” në Elbasan.
Vila e sekuestruar është dykatëshe, një tarracë e hapur mbi katin e dytë të banimit, një kat nëntokë, i përshtatur për palestër dhe i pajisur me vegla palestre, një oborr dhe lulishte në pjesën e përparme të godinës së banimit, verandë dhe lulishte në pjesën e pasme të godinës së banimit, si dhe një garazh i hapur nëpërmjet të cilit kalohej në një ndërtesë 1-katëshe, e përshtatur dhe e mobiluar me pajisje zyre.
Kati i parë i banimit përbëhej nga një garazh i mbyllur, një dhomë pritjeje, një kuzhinë, si dhe një dhomë gjumi – ambiente plotësisht të mobiluara. Kati i dytë i banimit, përbëhej nga dy dhoma gjumi, secila me garderobë të veçuar dhe këto hapësira plotësisht të mobiluara.
Në total organizatës kriminale të Çopjave u janë sekuestruar 44 pasuri, ndërsa më datë 18 shkurt 2025 u mor vendimi nga GJKKO për t’iu sekuestruar ‘Solis Farm’, një pikë agroturizmi në Baldushk që administrohej nga Petrit Lakatos, i cili tashmë është vënë në pranga.
Vetëm një muaj më parë krerëve të organizatës kriminale të Çopjave, SPAK u sekuestroi edhe 10 milionë $ në kripto, në bashkëpunim me policitë e disa shteteve, ku ata dyshohet se vepronin me trafikun e kokainës dhe pagesat i bënin me monedha virtuale. Po sot një vendim i Gjykatës së Lartë konfirmoi masën arrest me burg për Klajdi Merkajn, që njihet si njeriu që pastronte paratë e Hajdar dhe Franc Çopjas.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes njoftimeve të datave, 01.08.2024, 21.01.2025 dhe 20.02.2025 informoi mbi procedimin e një organizate kriminale kriminale me bazë në qytetin e Elbasanit, e cila drejtohej nga vëllezërit F. G. (ndryshe F. Ç.) dhe H.B. (ndryshe H. Ç.) si dhe sekuestrimet e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme që dyshohet se janë produkt i veprës penale.
Prokuroria e Posaçme ka vijuar kryerjen e hetimeve për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe te paluajtshme që dyshohet se kanë origjinë kriminale. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i një pasurie të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme.
Më datë 23.02.2025, në zbatim të vendimit nr. 117, datë 15.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur sekuestro preventive ndaj pasurisë së paluajtshme në adresën; Lagjia “5 Maji”, Elbasan, e cila është njësi banimi në pronësi dhe përdorim të familjes së vëllezërve F.G. (alias F. Ç) dhe H.B. (alias H. Ç), këta të fundit persona nën hetim sipas procedimit penal nr.75, viti 2022, si të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale kundër jetës dhe pronës, si dhe të pastrimit të produkti të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale, në kuadër të organizatës kriminale.
Njësia e banimit, objekt i sekuestrimit ishte një vilë private, me 2 (dy) kate banimi, një tarracë e hapur mbi katin e dytë të banimit, një kat nëntokë, i përshtatur për palestër dhe i pajisur me vegla palestre, një oborr dhe lulishte në pjesën e përparme të godinës së banimit, verandë dhe lulishte në pjesën e pasme të godinës së banimit, si dhe një garazh i hapur nëpërmjet të cilit kalohej në një ndërtesë 1-katëshe, e përshtatur dhe e mobiluar me pajisje zyre.
Kati i parë i banimit përbëhej nga një garazh i mbyllur, një dhomë pritjeje, një kuzhinë, si dhe një dhomë gjumi – ambiente plotësisht të mobiluara.
Kati i dytë i banimit, përbëhej nga dy dhoma gjumi, secila me garderobë të veçuar dhe këto hapësira plotësisht të mobiluara.
Komente
