TIRANË- Në seancën e radhës ndaj të akuzuarve për Gentian e Nezir Beqirin, SPAK hoqi dorë nga pyetja e Ardian Çapjës.
Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se megjithëse ishte kërkuar më herët, prokuroria u tërhoq nga kërkesa, për motive që nuk dihen.
Më herët, i pandehuri Etien Cani mohoi akuzën, duke pretenduar se kishte pasur miqësi të ngushtë me Gentian Beqirin.
Para gjykatës ai mohoi njohje me Ardian e Florenc Çapjen apo për ndonjë takim mes tyre.
Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit?
Ata u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005.
Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”.