TIRANE- As deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi nuk do të paraqitet sot (3 shkurt 2025) në SPAK përshkak se nuk ndodhet në Shqipëri por në SHBA. Sipas vendimit te gjykatës ajo do duhej të paraqitej të hënën e parë të çdo muaji në orën 12:00 por mësohe se Kryemadhi ka marrë leje.
Leja është firmosur nga tre prokurorët e dosjes Sotir Kllapi, Arben Kraja dhe Altin Dumani por me kusht që paraqitjen para oficerëve gjyqësorë do e bëjë një ditë tjetër, informoi sot gazetarja e Report Tv dhe Shqiptarja.com, Keti Banushi.
Kjo është leja e dytë që SPAK ka miratuar pas asaj të Sali Berishës për të udhëtuar drejt Gjermanisë.
Më 24 janar 2025 SPAK i dha leje ish kryeministrit Berisha në hetim për korrupsion për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani që të mos paraqitej sot para oficerit gjyqësor siç është vendimi i GJKKO-së pasi do të marrë pjesë sot në Kongresin Elektoral të CDU-së në Berlin.
Monika Kryemadhi së bashku me Ilir Metën me të cilin ndodhen në proces divorci po hetohen nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
Meta, i cili ka mbajtur dhe postin e ish presidentit të vendit, ish kryetarit të Parlamentit ndodhet i arrestuar prej 21 tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi po hetohet në masën e sigurisë 'detyrim me paraqitje"
Ndërkohë më 21 shkurt në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nis shqyrtimin padia e divorcit mes Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës.