Ilirjan Celibashi

SPAK kërkoi dokumentet e tenderëve për pajisjet e identifikimit e votimit elektronik, KQZ i dorëzon në Prokurorinë e Posaçme

22 Gusht, 15:24| Përditesimi: 22 Gusht, 16:45

  • Share

KQZ ka dorëzuar në SPAK dokumentet e plota që Prokuroria e Posaçme kërkoi dy ditë më parë, në lidhje me tenderat për pajisjet e identifikimit elektronik si dhe te votimit dhe numërimit elektronik. Dokumentacioni është dorëzuar këtë të enjte, disa ditë pasi SPAK kërkoi të dhëna për procedurat e tenderimit për pajisjet e identifikimit biometrik si dhe votimin e numërimin elektronik me vlerë totale 21 milionë dollarë.

SPAK ka nisur hetimet në lidhje me dy tendera të dhëna nga KQZ për pajisjet e identifikimit biometrik në gjithë vendin si dhe për votimin e numërimin elektronik të zgjedhësve (projekt pilot që u implementua në njësinë 10 në Tiranë) në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Të dy tenderat janë fituar pa garë nga kompania 'Smartmatic International Holding B.V”, vlera fituese e të cilëve është shumë pranë fondit limit.

Konkretisht SPAK ka kërkuar nga KQZ dokumentet e tenderit që mban datën 23 dhjetor 2020 për “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor”. Po ashtu dhe për një tender të dytë të dhënë po në vitin 2021 (mars) për 'Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave!'.

Për çfarë tenderash bëhet fjalë?

Tenderi 1/ Tenderi me numër reference REF-83073-12-23-2020, ka të bëjë me tenderin për blerjen e pajisjeve për identifikimin elektronik të votuesve u hap më 24 dhjetor 2020 dhe procedura e shpalljes ishte me negocim. Në 15 janar të vitit 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi ofertën e kompanisë “Smartmatic International Holding B.V”, për procesin e identifikimit biometik të votuesve në zgjedhjet e 25 Prillit, sipas edhe dokumentit që disponon Shqiptarja.com.

Kompania amerikane ishte e vetmja që u paraqit në garën e hapur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe u ofrua ta realizojë projektin për afro 20 milion dollarë. Fondi limit ishte pak më shumë se 21 milionë dollarë (Konkretisht 2,112,304,484 lekë të reja pa TVSH)  ndërsa kompania fitoi duke ofruar 2,016,354,628 lekë të reja pa TVSH.  Kjo ishte kompania e vetme në garë. Kontrata me shoqërinë “Smartmatic International Holding B.V me seli në Holandë u firmos 10 Shkurt 2021.

Tenderi 2/ Tenderi me numër reference “REF-89113-03-04-2021” ka të bëjë me blerjet e pajisjeve të votimin dhe e numërimin elektronik për projektin e parë pilot të votimit elektronik në zgjedhjet e 2021, që u mbajt në 32 qendrat e votimit të njësisë administrative numër 10 në Tiranë. Edhe këtu procedura e shpalljes ishte me negocim. 

Kompania Smartmatic, sipas edhe dokumentit që disponon Shqiptarja.com mundi që të sigurojë një kontratë me vlerë rreth 1 milion dollarë për votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhjet e 25 Prillit të njësisë 10.  Fondi limit ishte 109.999.500, ndërsa kompania fituese Smartmatic International Holding B.V, fitoi në mars të 2021 duke ofruar 99.424.460 lekë. Afati i kontratës përcaktohej dy muaj për projektin pilot që u implementua në 32 qendrat e votimit të njësisë administrative numër 10 në Tiranë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?