Arben Ahmetaj

Mesazhi i plotë/ SPAK kërkon arrestimin e tij, Arben Ahmetaj: Do kthehem kur të ndriçohet e vërteta

14 Korrik 2023, 10:35| Përditesimi: 14 Korrik 2023, 16:54

  • Share

*Mesazhi i plotë i ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, pak para se Kuvendi i Shqipërisë të mblidhej për t'i hapur rrugë kërkesës së SPAK për arrestimin e tij. 

Të dashur votues të mi e të Partisë Socialiste,

Të dashur Miq e Armiq njëlloj

Sot është dita kur Parlamenti do të votojë heqjen e imunitetit tim, dhe autorizimin e arrestimit tim. Mendova që të ndaja me votuesit e mi kryesisht, dhe me të gjithë qytetarët këtë mesazh.

Votuesve të mi:

Ju që më votuat në Tirane në 2005, ju që më votuat në Korçë në 2009, ju që më votuat në 2013 në Gjirokastrën time, në Përmetin tim e në Tepelenën time, ju që më votuat në Rrogozhinën time e në Kavajën time në 2017, ju që më votuat në Njësinë nr. 4 në Tiranë, e në gjithë qarkun e Tiranës në 2021.

Faleminderit nga zemra!

Shpresoj e lutem ta kem justifikuar besimin tuaj. Në mendje ju kisha pikërisht juve, që kur ideuam e hartuam taksën progresive që i dha të drejtë të gjithë atyre që paguheshin më pak e paguanin më shumë. Shpresoj të kam bërë më të mirën time kur mora përsipër Ministrinë e Ekonomisë dhe marrëdhëniet me sipërmarrjen, e më vonë edhe turizmin. Frytet t’i gëzojë vendi, sipërmarrja e qytetarët e zakonshëm.

Shpresoj të kem bërë më të mirën kur mora përsipër Financat në një periudhë tejet të vështirë për ekonominë e vendit dhe i dorëzova në kulmin e rritjes reale. Shpresoj të kem bërë më të mirën me Rindërtimin, kur mijëra e mijëra familje ngelën rrugëve pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019. S’kam për ta harruar atë nënën në Vaqarr që qante me lot kur hyri në shtëpi falas, në pronën e vet, e si ajo mijëra familje. Shpresoj të kem bërë më të mirën dhe me pandeminë, me sipërmarrjen dhe me rendjen së bashku me kolegë, për vaksinat që nga India, Jordania, Anglia, Amerika e Turqia e gjithandej për të shpëtuar jetët e qytetarëve të vendit tim. Shpresoj të kem bërë më të mirën si ZvKM, me ideimin dhe fillimin e dixhitaliziit të kadastrës, apo dhe statelitët Albania1 e Albania2 që, siç thotë Niko i Lesajve, po më ndjekin mua në “arrati”. Jam munduar të bej më të mirën.

Kush qeveris e punon, nuk është kurrë dot perfekt. Ju kërkoj ndjesë dhe për këtë.

Unë nuk hyj tek “fytyrat e bukura” që ngjajë bukur në TV, dhe të ngjallin perceptim pozitiv, siç rëndomtë ndodh me këdo që refuzon të ikë nga ekrani duke treguar bëma të bëra e të pa bëra. Fatkeqësisht, ose fatmirësisht, s’jam i tillë. Nëna dhe Babai më kanë dhënë një fytyrë krejt të zakonshme. Ndoshta serioziteti im në punë mund të jetë marrë dhe për arrogancë, s’ka qenë i tillë kurrë, kush më njeh nga afër, e di mirë këtë. Gjithsesi, ndjesë edhe për këtë.

Falenderoj dhe kolegët e mi të mazhorancës dhe opozitës për nxitimin e treguar këtë javë. I “mirëkuptoj” për këtë, sepse politika dhe drejtësia e re e akoma e hershme për t’u quajtur e maturuar, kërkojnë statistika. Siç tha dhe avokati im “Populizmi gjyqësor e penal në ngjitje është më i rrezikshëm se sa populizmi politik, për shkak se humbet e i mungon legjitimiteti demokratik”. Avokati im në Këshillin e Mandateve citoi një thënie të vjetër nga Franca “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”.

Unë jo e jo që s’kam gjak blu, por jam një njeri tejet i zakonshëm, me gjak nga Gjirokastra, Vlora, Korça, Rrogozhina, Kavaja, Lezha, Kukësi e Tropoja nëse doni. Dhe lutem e shpresoj që Drejtësia e Re që unë e kam mbështetur e votuar me të dyja duart, të mos deformohet nën presionin e politikës dhe statistikës.

E kam përjetuar diku me qetësi, diku me “buzëqeshje të brendshme”, diku me revoltë të brendshme, nxitimin triumfues të largimit një vit më parë, totalisht një sinjal për “të gjitha kafshët e pyllit”, kërcënimin me demek indirekt në një forum partie “se do ikja në të s’ëmës”, habinë dhe thyerjen kur mora vesh se kush nga “tanët” ( së bashku me ata që më duan të vdekur, siç tha Fevziu në Opinion përpara disa muajsh), promovuan mercenarët të shërbenin kundër meje, “marrjen peng” të bashkëjetueses time dhe ish-bashkëshortes time, e më pas kontrollet spektakolare të emetuara si të ishin kallëpe të dala nga goja, e banesave, ku lajmi shkonte më parë në media sesa procesverbali në zyrat e institucionit, të qenit një “black falling star” në një media kombëtare që e kam dashur dhe respektuar shumë (meqë ra fjala, dhe lufta në Kosove dikur zgjati më pak në media se sa emri im servirur nga Spin Doktor/doctors si gjellë e helmuar e përditshme), pastaj disa “falanga” të dala nga kuadri i ligjit që nuhasnin gjurmët e mia. Në shume vende demokratike ku Spin doctor/doctors nuk do arrijnë të strukturojnë mesazhin…kjo quhet “PËRNDJEKJE”. Ka një nen në Kodin penal, ndoshta 121, ndoshta 128.

Ahhh, harrova se si filloi, me frikën dhe stopimin e 90% të atyre që punoja në nivelet e larta në politikë apo ekzekutiv, e që dikur ndoshta i kam mbështetur e promovuar (me ato mundësi të miat), për të bërë atë që kishim bërë ndër vite, të ishim miq e shokë. I kuptoj që “duhet” të kishin e kenë frikë, ndoshta. Nuk i mirëkuptoj, po e di që ishte gjendur “armiku” që do dimensionohej e ridimensionohej më pas në shumë episode.

Dua të sqaroj qytetaret dhe mbi të gjitha votuesit e mi për çfarë dyshohem, apo siç kanë qejf disa gazetare opinioniste e politikane akuzohem:

1.       Për njohje të hershme me një njeri, i cili kur unë e kam njohur ka qene njeri normal e në punën e vet. Nuk e di e s’marr përsipër

2.        te bej gjyqtarin, për çfarë ka bere ne jete ky njeri. Po nuk besoj se njohja me dike qe ndoshta drejtësia e akuzon, te bën te akuzuar apo bashkëpunëtor.

Unë në punën time në opozitë dhe më pas në qeveri kam pas kontakte me gati 100 për qind të bizneseve të vendit. Mijëra mëngjese pune, dreka pune, darka pune, takime pune kanë dhënë frytet e tyre ne politikat e zhvillimit te vendit. Mendimet dhe kontributet e tyre kanë marrë qindra herë formën e nismave ligjore në funksion të zhvillimit të vendit.

Një gazetar që vlerësoj shumë për profesionalizmin, ka thënë diku qe “ Çkodimi i Blackberry ka zbuluar”…

Bisedat e mija siç e theksova dhe dje janë krejt normale dhe impotente ne raport me favorizimin apo lobimin, aq me tepër në opozitë.

2. Se ish bashkëshortja ime (qe s’ka punuar kurrë ne një institucion shtetëror) ka shitur metra katrore, prone e deklaruar në deklaratën time të pasurise, në treg të lire, si korrupsion???? Pronën e familjes të deklaruar me burime të verifikuara, si korrupsion?? Hetim kujt ja ka shitur pronën??

Nëna ime në 2006 ja ka shitur shtëpine tonë motrës time, qe jeton gati 17 vite atje. Quhet fiktive???

3. Se bashkëjetuesja ime (që ka 20 vite që punon në sektorin privat) dhe familja e saj ka blerë pronë në Hamallaj, me transaksion të pastër e të verifikuar bankar. Mercenarët e kapur në flagrancë kanë pretenduar se ka qenë pronë e Klodian Zotos. Bëjeni këtë pyetje publikisht. Klodian Zoto, qe s’ka qenë kurrë miku im, se ka pasur kurrë pronë, e s’ka paguar kurrë një cent për këtë pronë, që më pas të ishte në gjendje të falte e dhuronte këtë pronë. Verifikojeni se është kollaj të mos e duash “fytyrën e ngrysur” timen në perceptim.

4. Se kam bëre alokime e rialokime me kërkese gjithmonë të ministrive te linje, si ministër financash. Ejj Ministri i Financave bën gati 2000 rialokime e alokime e çelje investimesh në vit. Kush e njeh ligjin e Buxhetit qesh me këtë akuzë. I lutem institucionit të drejtësisë ta lexoje këtë ligj.

5. Se kam bërë biznes ndërtimin ne 2004 e kam marrë kredi në 2006 për këtë biznes ( e verifikueshme nga banka Amerikane, sot inteza san paolo). Në komision u tha një e pavërtetë, qe kredia është marrë në 2016. Kush ka ndërtuar e blerë shtëpi e di mirë si funksionon ky biznes në Shqipëri.

6.Për mos marrje pjese në procedurë të tenderave dhe koncesioneve, për shkak tq pozicioneve të mija zyrtare. Pozicionet e mia zyrtare ne ministri të ekonomisë apo financave nuk marrin pjesë në procedura. Letrat janë atje. S’kam marrë pjesë procedurat e inceneratoreve. Letrat do dalin, e nëse dikush do të kërkojë t’i fshehë, do dalin gjithsesi.

7. Se është përdorur fondi rezerve për financim e inceneratorit të Elbasanit. Edhe sikur të ishte kështu do ishte sërish komplet ligjore. Por financimi i inceneratorit të Elbasanit është bërë kur unë s’kam qenë ministër Financash, dhe është bërë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Paraardhësi im, Z.Shkelqim Cani dhe qeveria ka zbatuar ligjin në këtë vendim. Mësova kur u thirra ne SPAK, se nuk e mbaja mend që s’kisha marrë as pjese ne këtë mbledhje qeverie.

Per ju që i lexoni si kureshtarë (nëse i lexoni), hetimi im s’ka pasur fare të bëj me inceneratoret, se unë për shkak të pozicioneve s’kam pasur tagër të përfshihem në procedurat e tenderimit. Është hetuar Arbeni, jeta e tij për 25 vite, dhe jo procedura. Të thahet liqeni, mbase ngelet peshk në taban. Standart që s’duhet t’i përkasë drejtësisë së re.

Kushdo që është rritur me mua në fëmijëri, apo ka pasur lidhje miqësorë apo dikur biznesi e tavolinash është hetuar. Nexhmija po te ishte gjalle do thoshte “mua s’më qenka bërë asnjë nga “non grata” që është lëshuar si hijenë bashkë me të deformuarin e zeshëm, apo “miq” me thika blu e rozë.

Dikush më tha “ të duan në burg vëlla”

Kam marrë kërcënime (I kam me screenshot e me zë ndoshta), madje së fundi dhe një mesazh triumfi si mirëseardhje…Nëse do ta meritoj, sigurisht qe do ndodhi…po jo përpara se e vërteta të marri rrugë e dritë.

Shpresoj të dalin sa më shumë shkresa e letra të miat, si ajo ato që BIRN nxori dje, që qytetarët të kuptojnë (aq sa mundet) që puna “ e fytyrës së ngrysur” ka qenë në interes të publikut.

Më kanë quajtur “ne arrati”. Mendoj që kam ikur për arsye serioze familjare ( një pjesë e miqve të mij e dinë përse), dhe besoj e mendoj kam ikur përpara se kërkesa e SPAK për imunitetin tim të ketë shkuar në postë për të arritur pas disa ditësh në kuvend. Kush ka qejf për scoop ta quajë ‘arati’. Dhe Luigjit te XVI ju dha katër ditë kohë përpara se t’i pritej koka, ndërsa mua e avokatëve të mi, as 24 orë (17 ore gjithsej) për një dosje 230 faqe e mbushur me supozime e ndoshta ‘palë të treta’ e një material 60 GB.

Së fundmi i falenderoj të gjithë koleget e mi, të mazhorancës dhe opozitës që do të votojnë sot, dhe ata që vrapojnë dhe thonë që përgjegjësia është personale. Poooo personale është kur e shkel. Sidomos për ata të hershëm, sot ne opozitë, e të rinj që firmosin për punë e projekte….

Në mbyllje, I kërkoj të falur familjes time, Livias, Kejsit, Kejlis, Erjolës bashkëjetueses time, Albinës, ish gruas time, nënës time, motrave të mija, miqve të mi për shqetësimet që i kam sjellë pa dashje me këtë histori. Shpresoj që të më falin në këtë jetë.

I kërkoj të falur dhe votuesve të mi, po zoti e di të vërtetën, që unë do mundohem ditë pas dite ta nxjerr.

To be continued…

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • shtet: 15/07/2023 12:38

    gjithe bota e din qe ke qene e je hajdut me cizme.

    Përgjigju
  • Luli: 15/07/2023 11:42

    Bene ametaj ka pasuri maramendse te pa deklaruara me vjedhjen e me dokumenta fallco i ka dhene bujare leskes toke shteti dhe ndertojne pallate dhe otele o kryeminister shiko dhe nga keta maskarenj mos u ajep tokat e shtetit dhe te qytetarve ketyre maskarenjve qe kane vjedhe pa funde ne mburojen e shtetit o spak po hetoj dhe nje here keta ndyrsira ku i gjeten se me andra kane qene

    Përgjigju
  • Ethem Lalaj: 14/07/2023 11:55

    Do jetë nië Arrestim politikë pse je i PS.Po të ishe me Non gratën,Lulin,Liken.. kjo nuk do ndodhte. -SPAK ka marr detyrë të arrestoi vetëm MAJTAS,Pasi inicioi dhe votoi REFORMËN NË DREJTËSI me porosi AMERIKANE DHE EUROPIANE.Kjo reformë siç ço duket u bëka për PS vetëm. -Mos u duk nga kjo anë si: Tik Llalla,Luan Hoxha nga frika e Sb,Kumbaro vrasësi Remzi Hoxhës,Zef Brozi nga frika e AB. -Sa të jet Sb gjallë nuk ka DREJTËSI,QETSI,STABILITET.Posht hiena..!

    Përgjigju
  • e drejta: 14/07/2023 10:49

    TI JE FRIKACAK DHE I PERLYER SHUME KEQ , SE PERNDRYSHE DO TE ISHE DUKE U MBROJTUR ME DINJITET,ATEHERE DO T,JU BESOJA..

    Përgjigju
    • Tahir tarfyci: 14/07/2023 12:08

      Nuk jam tifoz I askujt qe shkel ligjet,por ne nje far menyre I jap te drejt ahmetajt. Ketu eshte sistem qensh. Ve re sa vrases ka ne politik me dy tre deri ne kater shifra,a ka njeri pas hekurave askush. Ketu denohet ai qe i drejtojn gishtin kapeni hajdutin,kurse hajduti dhe vrasesi ka 30 vjet qe ben moral ne majat me te larta te polikes. Ky qe ne themi spak ne fakt eshte ASPAK qe I sherben sali qenit dhe falangave te tij te llojit spiun meta,fatmir gerdeci e tje.

    • ILIRI: 14/07/2023 11:57

      E vërtetë, shif kush na drejton ne,imagjinoni të na sulmojnë ushtarakisht ndonjë vend tjetër (që I kemi ngjitur).O Zot I madh pyes veten,ku ka përfunduar dinjiteti,nderi,burrëria e një udhëheqësi Shqiptar?

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?