Laert Haxhiu, kundërshtar i ish-kreut të bandës së Lushnjës rrezikon të mbyllet përjetësisht në qeli. Në procesin që po mbahet në mungesë të tij në Gjykatën e Posaçme, SPAK kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm të Haxhiut, nën akuzë për masakrën e Lushnjës në vitin 2017 ku mbetën të vrarë 2 persona.
Zamir Latifi, mik i nipit të Aldo Bares, dhe Jurgen Hoxha u qëlluan me automatik në një lokal në qendër të Lushnjes, ndërsa pronari i lokalit dhe një kalimtar mbetën të plagosur aksidentalisht. Me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës janë dënuar më herët bashkëpunëtorët e Haxhiut, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.
Atentati e pati zanafillën në 25 shtator të vitit 2016, kohë kur u tentua të vritej, nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, ngjarje për të cilën Laert Haxhiu ishte i shpallur në kërkim, i dënuar me 18 vite burg në mungesë. Pikërisht gjatë kohës që i fshihej drejtësisë, Haxhiu vrau 2 persona.
6 vite pas masakrës, Laert Haxhiu u arrestua në Greqi, në maj të 2023-shit. Gjykata e Apelit në Janinë i ka hapur rrugë ekstradimit të tij në Shqipëri, por 31-vjeçari lushnjar ka ende edhe një mundësi të fundit në shtetit grek për të kundërshtuar vendimin e ekstradimit në Gjykatën e Lartë.
Dy vjet pas “masakrës së Lushnjës” ndodhën edhe dy ekzekutime të tjera. Njëri dyshohet se lidhet me Laert Haxiun. Besnik Hida, daja i 23-vjeçarit Zamir Latifi i cili kërkonte të bënte drejtësi për atentatin ndaj nipit të vrarë nga Haxhiu u vra në një atentat mafioz në 2019-ën.
Laert Haxhiu u fundos përfundimisht pas dëshmisë së të penduarit Artan Tafani, i cili rrëfeu përfshirjen e të dyve, por edhe një grupi të madh personash në 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 4 vrasje në Shqipëri dhe 2 të tjera në Greqi. Mes rrëfimit ishte dhe planifikimi i Haxhiut për të vrarë persona të drejtësisë, përfshirë prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe atë të Lushnjës, Merita Selimi, për të cilat me urgjencë të madhe u mor vendimi për mbrojtjen e tyre.
Lufta mes bandave të Lushnjës ka nisur herët, pasi njerëz të Aldo Bares i dogjën shtëpinë xhaxhait të Laert Haxhiut, duke pasuar një seri vrasjesh.