SPAK 'kopsit' dosjen 'Plumbi i Artë', në gjykatë Nuredin Dumani dhe 19 të tjerë! Akuzohen për 27 ngjarje kriminale: Nga vrasjet me paramendim tek vjedhjet, dhunë e korrupsion

11 Gusht 2023, 10:20| Përditesimi: 11 Gusht 2023, 19:06

  • Share

Prokuroria e Posaçme pas 15 muajsh mbylli zyrtarisht hetimet dhe dërgoi për gjykim në Gjykatën e Posaçme dosjen “Plumbi i Artë”, me 20 persona të pandehur, të cilët dyshohen si autor të 27 ngjarjeve kriminale të zbardhura pas bashkëpunimit të frytshëm të disa të penduarve të drejtësisë, me në krye 36-vjeçarin Nuredin Dumani.

Ata akuzohen për vepra penale të kryera në formën e bashkëpunimit të veçantë të grupit të strukturuar kriminal.

Në mesin e personave që GJKKO pritet t’i kalojë për gjykim në seancën paraprake në fillim të shtatorit janë vetë Nuredin Dumani, për të vijuar me Henrik Hoxhën, Skerdi Tasen, Enver Divën, Besian Xhixhën, Erion Alibejn, Gentian Sharrën, dhe 14 të tjerë.

Për të arritur deri në këtë rezultat, SPAK, përveç Nuredin Dumanit, arriti të bind si të penduar edhe Skerdi Tasen, Euglen Halilin dhe së fundmi këtë status ka mundur të fitoj edhe Erjon Alibej.

Burime të Report Tv pranë SPAK konfirmojnë se Alibej e ka fituar zyrtarisht statusin e të penduarit në mesin e muajit korrik.

“Të penduar” kanë qenë edhe Henrik Hoxha dhe Klevis Alla, por në javët e fundit SPAK ka kërkuar përjashtimin e tyre pasi është provuar se kanë gënjyer në deklarime.

Pjesa tjetër prej 12 personash të shpallur në kërkim për të njëjtën dosje, mes tyre emra të shumëkërkuar si Ervis Martinaj, Talo Çela, Alban Bengasi apo Suel Çela, akoma nuk janë lokalizuar për t’u arrestuar.

Referuar ligjit, ata do të jenë në kërkim edhe për të paktën 1 vit dhe nëse sërish nuk do të gjenden, për ta nis gjykimi në mungesë. Pjesë e dosjes “Plumbi i Artë” ka qenë edhe Leonard Palushi, shefi i sektorit të vrasjeve në Policinë e Elbasanit, i cili është dënuar me 28 muaj burg në prill të këtij viti. Ai u shpall fajtor pasi informonte Erjon Alibejn për persona të tjerë rival dhe në kërkim u provua nga SPAK se mori dhuratë një automjet.

Rrëfimet tronditëse të Nuredin Dumani dhe personazheve të tjerë, pjesë të dosjes dhe jo vetëm, sollën zbardhjen e dhjetëra ngjarjeve të rënda të ndodhura në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Elbasan në 12 vitet e fundit.

Në 27 ngjarje kriminale në total, SPAK arriti të zbardh vrasjet e Bujar Çelës, Emiljano Ramazanit, Regis Runaj, vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë, të gjitha këto ngjarje të regjistruara në Elbasan dhe Durrës përgjatë vitit 2020.

Më tej, përmes rrëfimeve SPAK zbardhi edhe vrasjet e Andi Zylyfit, Agim Boriçit apo Fatmira (Habili) Dedajt dhe dhjetëra tentativave për vrasje dhe plagosje.

Në rrëfimin e tij Nuredin Dumani tronditi hetuesit kur deklaroi se Ervis Martinaj i kishte premtuar 500 mijë euro në këmbim të eliminimit të Indrit Dokles, punë të cilën i penduari e kishte konsideruar shumë të vështirë dhe nuk arriti ta kryej asnjëherë.

Merren të pandehur 
Nuredin Dumani
Henrik Hoxha
Skerdi Tasi
Enver Diva
Besian Xhixha
Erion Alibej
Florenc Çekrezi
Elvis Koçi (Çaushllari)
Ilirian Feci
Asllan Plaku
Ardian Uzuni
Altin Ndoci
Gentian Sharra
Agron Qoli
Petrit Qoli
Fatos Gosa
Agron Qafa
Agim Gjini
Xhulian Hoxha  
Albert Pashaj
Mes 12 personave ende në kërkim
Ervis Martinaj
Talo Çela
Alban Bengasi
Suel Çela

Akuzat ndaj tyre janë për faktet penale poshtëcituar:

1. Sigurimi i mjeteve dhe i kushteve për të vrarë Kastriot (Elton) Kilen më datë 29.03.2022, në Elbasan;

2. Vrasja me paramendim e Filip Gjeloshaj më datë 05.02.2011 rreth orës 22’’, në rrugën ’’Siri Kodra” Tiranë, e mbetur në tentativë;

3. Vjedhje me dhunë e pasurisë së Lirak Bajraktari më datë 22.02.2011 rreth orës 08’’ në qytet Elbasan;

4. Vjedhja me dhunë e pasurisë së Skënder Rroshi më datë 28.04.2011 në lagjen nr.4, Kavajë;

5. Vrasja me paramendim e Elvis Dedaj më datë 05.06.2012 rreth orës 17:58’’ në lagje nr.13, Durrës, tek hyrja e Restorant “Xhenova”;

6. Vjedhja me armë e pasurisë së Xhemali Liçi më datë 19.12.2012 në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit;

7. Vjedhja me dhunë e banesës së Hamit Haxhiut më datë 11 Shkurt 2013 rreth orës 04:45’’ në lagjen Popullore (Shijak);

8. Vjedhja me dhunë e pasurisë së Astrit Ademit më datë 31.05.2013 rreth orës 15:10’’ në fshatin Marikaj (Vorë);

9. Vrasja me paramendim e Fatmira (Habili) Dedaj më datë 14.09.2013 rreth orës 13:30’’ në lagjen nr. 4, në Durrës, në garazhdin e një pallati;

10. Vrasja me paramendim e Arben Islam Çeta, më 14.11.2013, rreth orës 22, në shesh parkimin e bar restorant ‘’Balla’’, në Labinot- Fushë (Elbasan), e mbetur në tentativë;

11. Vjedhja me dhunë e banesës së Hamdi Sharka më datë 20.04.2017 në fshatin Polizhan (Berat);

12. Vrasja me paramendim e Aredin Beharit më 05.11.2017, rreth orës 19’’, në lagjen “1 Maji”, tek kryqëzimi i ish Parkut (Fier), e mbetur në tentativë;

13. Vrasja me paramendim e Aredin Beharit më datë 03.04.2019, përballë magazinës “Autopassion”, në kryqëzim të parkut, rrugës në drejtim të QTU (Fier), e mbetur në tentativë;

14. Vrasja në rrethana cilësuese ndaj Agim Boriçit e Ilir Boriçit më datë 11.04.2018, rreth orës 11:30, në lagjen “8 Shkurti” të qytetit të Fierit, e mbetur në tentativë;

15. Vrasja në rrethana cilësuese e Andi Zylyfit dhe plagosja e Ardit Uruçit më datë 13.12.2019, rreth orës 18:36, në rrugën nacionale Peqin-Elbasan;

16. Shkatërrim me eksploziv i pronës së Mustafa Subashi më datë 29.01.2020, rreth orës 20:45, kati i parë i një ndërtese të banuar në afërsi të disko “Colombo”, (sektori Teuta), Durrës;

17. Dhuna në familje, ndaj bashkëshortes Blerta Bengasi, ndodhur më datë 30.01.2020, rreth orës 11:30’, në rrugën Mihal Grameno, Tiranë;

18. Vrasja në rrethana cilësuese e shtetasve Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia, më datë 02.03.2020, ora 19:00, në lagjen 14, Durrës;

19. Vrasja në rrethana cilësuese e vëllezërve Besmir Haxhia e Viktor Haxhia më datë 27.04.2020, rreth orës 16.35, në vendin tregu i mjeteve në Shën Vlash, Durrës;

20. Vrasja me paramendim e Emiljano Ramazanit më datë 20 Korrik 2020, në lagje 28 Nëntori, Elbasan;

21. Vrasja me paramendim e Regis Runaj më datë 29 Korrik 2020, rreth orës 22:00, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në vendin e njohur ‘’Belebej’’, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan;

22. Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari, para datës 30 Korrik 2020, në Elbasan;

23. Vrasja me paramendim e Bujar Çelës, më datë 17.09.2020, rreth orës 05:40, në afërsi të rrethrrotullimit të Bradasheshit (Elbasan);

24. Shkatërrim me eksploziv i pronës së Talo Çelës më datë 05.11.2020, rreth orës 04:20, në fshatin “Katund i Ri”, Njësia Administrative Bradashesh, Elbasan;

25. Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasjen e Indrit Dokles në muajt Prill\Maj të vitit 2022, në Tiranë;

26. Vrasje me paramendim e shtetasit Lulzim Masha, më datë 18.01.2022, rreth orës 09:40, në rrugën “Hiqmet Buzi”, pranë Liqenit Artificial (Tiranë), e mbetur në tentativë;

27. Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike\ oficerit të policisë gjyqësore Leonard Palushi;

Procedimi penal mban Nr.75 të vitit 2022. Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme ka proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal nr.75 dhe numërtimin e tyre me nr.75/1 të vitit 2023, në kuadër të të cilit vazhdojnë hetimet në ngarkim të bashkëpunëtorëve të tjerë (emri i të cilëve është regjistruar në regjistrin e procedimeve penale) si dhe për fakte të tjera penale.

Ora 19:30
"Plumbi i Artë", SPAK zbuloi dhe autorët e atentatit ndaj vëllezërve Boriçi në 2018, Çfarë deklaroi Agim Boriçi dy ditë pasi iu sulmua lokali në Fier

1691775472_5acde398bf81cmakinanefier1.jpg

Prokuroria e Posaçme pas 15 muajsh mbylli zyrtarisht hetimet dhe dërgoi për gjykim në Gjykatën e Posaçme dosjen “Plumbi i Artë”, me 20 persona të pandehur, të cilët dyshohen si autor të 27 ngjarjeve kriminale të zbardhura pas bashkëpunimit të frytshëm të disa të penduarve të drejtësisë, me në krye 36-vjeçarin Nuredin Dumani.

Ndër krimet e pazbardhura por që tani prokuroria duket që ka autor është dhe tentativa e vrasjes së Agim Boriçit dhe Ilir Boriçit ngjarje e ndodhur më 11 prill 2018 në lagjen “8 Shkurti” të qytetit të Fierit.

Atë ditë u qëllua në drejtim të lokalit të Agim Boriçit dhe autorët u larguan me shpejtësi duke djegur makinën në lagjen "15 Tetori".

Në një intervistë për shqiptarja.com dy ditë pas atentatit, Agim Boriçi pat deklaruar se nuk kishte asnjë konflikt dhe se kishin qenë shënjestër e gabuar.

“Nuk ruhem nga askush. Mendoj se ajo çka ndodhur nuk ka të bëjë me personin tim dhe familjen time. Ne jemi Boriçtë e Fierit dhe nuk kemi të bëjmë me Boriçtë e Lushnjës, që e kanë lidhur edhe me bandën e Lushnjës. Nuk jam person në kërkim dhe nuk kam probleme me drejtësinë. Jam babai i tre fëmijëve dhe bëj një jetë normale. Dua që drejtësia të nxjerrë në dritë të vërtetën. Kemi bashkëpunuar me policinë në cdo hap. Isha në lokal në momentin e ngjarjes dhe fatmirësisht nuk ka pasur nxënës e mësues. Nuk ka pasur shkëmbim zjarri, vetëm të shtëna nga jashtë. Jemi habitur çfarë kemi dëgjuar. Është abuzuar me ngjarjen” pat deklaruar më 13 prill 2018 Boriçi për shqiptarja.com

Brenda  makinës së shkrumbuar të autorëve është gjetur edhe arma tip kallashnikov me silenciator me të cilën është shtënë në drejtim të lokalit të Agim Boricit.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Visi Talo: 11/08/2023 21:59

    Kto vis martini e talo cela c'rregjistroni nga kerkimi Se ka fjale qe nuk egzistojne me as nam as nishan! Edhe ato 25 akuza deri tashi , do behet 250 akuza.. Se seshte hapur akoma dosja e shkodres bajri - Gjoka Aty eshte gjithe grupi i vraseve me pagese Peqin elbasan fushe kruje shkoder kukes e lezhe Vlore e fier e berat ...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?