Me një pjesë të parave të fituara nga sekuestrimet e Antimafies, SPAK ka ngritur një laborator modern. Arben Kraja foli për punën e SPAK në një konferencë të ekspertëve rajonalë.
“Nga këto fonde ne në SPAK kemi ngritur një laborator dixhital shumë modern të cilin e përdorim për rritjen e efektivitetit të ndjekjes penale”, tha Kraja.
Për vitin 2021 janë dhënë 5 vendime konfiskimi të cilat përfshijnë 9 pasuri të luajtshme, 1 të paluajtshme dhe 3.4 milionë euro në llogari bankare.
"Janë 21 pasuri të luajtshme, 67 të paluajtshme, 11 subjekte tregtare të cilëve u është sekuestruar aktiviteti, 20 milionë lekë dhe rreth 1 milionë euro në llogaritë bankare”.
Ndërkohë, në proces penal vijojnë të jenë 41 vendime konfiskimi, që përfshijnë hotel dhe prona në bregdet që dyshohet se kanë të ardhura nga aktivitetet kriminale.
Atentati i 4 janarit në “Don Bosko”, ku mbeti i vdekur Erion Çela dhe katër të tjerë u plagosën nga breshëria e kallashnikovit, është vetëm një nga katër ngjarjet e rënda kriminale të muajit janar 2022. Çështja ka mbetur e pazbardhur sot e asaj dite, ndërsa hetuesit akoma nuk kanë asnjë provë dhe autorë të dyshuar. Automjeti me të cilin u krye atentati duket si ka avulluar. Edhe pas kontrolleve të shumta deri në Fushë Krujë, ku u pa për herë të fundit, asgjë nuk u gjet.
Muaji i parë i vitit rezulton me rritje të kriminalitetit, e krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë janarit 2022, sipas raportit të Ministrisë së Brendshme, janë shënuar 412 apo 18.2% vepra penale më shumë se janari 2021. Rritje shënoi edhe numri i autorëve të këtyre veprave, konkretisht me 433 apo 18.8%. Sipas raportit, për 100 mijë banorë janë evidentuar 59 vepra penale, shifër kjo që është rritur me 9 vepra.
Raporti i Ministrisë së Brendshme Janar 2021 Janar 2022
Vepra penale të ndodhura 2.258 2.670
Autorë veprash penale 2.292 2.725
Vepra penale për 100 mijë banorë 50 59
Vrasjet e muajit janar janë në të njëjtin nivel me ato të janarit 2021, ndërsa vërehet një ulje e plagosjeve të rënda. Njëra prej tyre ishte atentati i dështuar pranë Urës së Vjetër të Bunës në Shkodër, ku u tentua eliminimi fizik i Vinçens Pirolit, pas dëshmisë të së cilit blutë arritën ta zbardhin. Ndërkohë, vërehet shtim i rasteve të kapjes së personave me armë pa leje me gati dyfish më shumë se janari 2021. E njëjta gjë vlen edhe për dhunën në familje, ndërsa një ulje e lehtë raportohet për krimet seksuale.
Krimet e rënda Janar 2021 Janar 2022
Vrasje me dashje 4 4
Plagosje të rënda 14 8
Armëmbajtje pa leje 74 139
Dhunë në familje 132 147
Krime seksuale 11 9