Kreu i ri i SPAK, Dumani

SPAK, nga presioni ‘prodhoi’ lajme dhe jo hetime! Shpresë te Dumani?!

16 Dhjetor 2022, 18:55| Përditesimi: 16 Dhjetor 2022, 18:57

  • Share

Sot SPAK zgjodhi Altin Dumanin si drejtuesin e ri të tij, për një mandat tre vjeçar, duke zëvendësuar në këtë detyrë Arben Krajën, i cili më në fund e mbylli periudhën e qëndrimit në krye të institucionit më të lartë të hetimit në Shqipëri.

Deri më tani, duke i mëshuar në mënyrë të padrejtë idesë se SPAK është i kapur nga politika, ambasadorët dhe gjithëfarlloj akuzash të tjera, kanë marrë jetë në media edhe zërat për përplasje mes ambasadores së SHBA Yuri Kim dhe kryeministrit Edi Rama, pikërisht për preferencat e tyre për kreun e këtij institucioni të lartë të drejtësisë. Por që u kundërshtuan nga të përmendurit!

Në krye të herës ajo që duhet të evidentojmë është fakti se si ka punuar SPAK deri më tani, cilin krim apo abuzim me paratë e shqiptarëve ka hetuar me themel e dërguar dosjen e kopsitur mirë e mirë në Gjykatën e Posaçme, sa dosje me sensibilitet publik dhe pritshmëri të lartë ka hetuar dhe në fund të herës, a ka një rezultante me kahje pozitive puna e SPAK. Duhet një bilanc 3 vjeçar.

E themi këtë, sepse kreu i ri i SPAK zgjidhet pikërisht nga kjo trupë hetimi, që ka punuar deri më sot me hetimin e dosjeve të krimit e korrupsionit, dhe nuk vjen nga jashtë këtij institucioni. Pastaj emrat, në parim themi, nuk kanë rëndësi se cili do të zgjidhej, Altin Dumani, Adnan Xholi apo Edvin Kondili. U zgjodh Altin Dumani dhe themi se zgjedhja e tij në krye të SPAK jep shumë e më shumë shpresë për vetë qasjen që ka pasur dhe ka ndaj hetimit dhe drejtësisë.

Megjithëse pak rëndësi kishte. Pasi të njejtën punë do bëjnë, thjeshtë kryetarit do t’i shtohen përgjegjësitë e tjera që përcakton ligji dhe Kushtetuta për funksionimin e SPAK. Por, jemi të sigurtë se Altin Dumani në krye të SPAK nuk do të bëjë përzgjedhje selektive dosjesh hetimi apo të flejë në vilë në Gjirin e Lalzit, sikurse bënte Arben Kraja. Pasi nuk e ka një të tillë. Por do të punojë dhe vetë fort, e mbi të gjitha nuk besojmë se do të ankohet sa herë të dalë në media për kërcënime e presione, siç bënte paraardhësi i tij.

Por ajo që duhet të nënvizojnë është se, shoqëria shqiptare, institucionet shqiptare, përfshihet dhe opozita këtu, dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe BE, kanë pritshmëri të lartë për punën e institucionit më të lartë të hetimit në Shqipëri.

Teksa gjithë qëllimi i krijimit të kësaj strukture, me këmbënguljen e fortë të SHBA e BE, dhe me mbështetjen mazhorancës qeverisëse dhe një pjese të opozitës që dhanë votat për ngritjen e këtij institucioni dhe konstituimin e tij, ka qënë e është dhënia fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë apo e thënë më qartë, dërgimin para drejtësisë me prova dhe fakte të atyre që kanë kryer zullume këto 32 vite post-komunizëm, nga SPAK, me gjithë ecurinë pozitive që ka pasur, nuk kemi parë këto 3 vite ndonjë “tërmet” të madh, nga ata që presin të gjithë.

Kemi parë hetime dhe ngritje institucionale akuze për të marrë dënimin më vonë, të zyrtarëve për një arkë peshk të marrë nga një qytetar, apo ryshfet i biseduar por i pakonsumuar ende, kemi parë hetime që kanë nisur por që nuk janë bitisur, kemi parë dërgim dosjesh të ‘ngarkuara’ me akuza që përfshinin krime nga më të rëndat, por që janë rrëzuar nga Gjykata e Posaçme, dhe meqënëse nuk duhej të mbetej jashtë burgut me sa duket, është detyruar gjykata që të formulojë një akuzë të re për ta lënë në qeli.

Nëse doni emra, mund të përmendim dosjen në ngarkim të ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili u akuzua nga SPAK, me fashikujt e trashëguar nga ish Prokuroria e Krimeve të Rënda, për “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” e “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes “Habilaj”, duke kërkuar 12 vite burg. Dhe u dënua me 3.4 vite burg për… ‘shpërdorim detyre”, SPAK bëri rekurs në Gjykatën e Lartë por sërish akuza e ‘kiametshme’ u rrëzua.

Vetëm për këtë dështim, ky institucion meritonte një analizë të thellë, pasi Saimir Tahiri duhej ose të dënohej me prova e fakte me akuzat të cilat kishte fiksuar SPAK, ose duhej të shpallej i pafajshëm. Puna e organit e të hetimit me pranimin e akuzës së saj nga gjykata matet, jo me rrëzimin e dështimin.

Ndërkohë që ka një sërë çështjesh të tjera të mëdha në dorë, duke filluar nga “Gërdeci” ku mbetën të vrarë 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë nga shpërthimi i biznesit të demontimit të municioneve të Shkelzen Berishës, djalit të ish kryeministrit Sali Berisha.

Deri më tani po këndohet kënga “rreth e rreth bahçes i rashë, djalin nuk e pashë…”, pasi nuk është thirrur as ish kryeministri dhe as vetë autori i biznesit Shkelzen Berisha. Të paktën të pyeten me statusin e personit që ka dijeni. Zero thirrje. Madje herë deklarohet se do sqarohet (jo hetohen) vetëm dalja e disa fakteve të reja për ish ministrin e Mbrojtjes, pasi çështja në themel është hetuar, gjykuar dhe është dalë me vendim.

Kanë marrë dënim disa persona, thjeshtë dhe vetëm për një “aksident teknologjik” dhe jo korrupsion e krim shtetëror. Pastaj del më pas po SPAK dhe thërret ish ministrin e Drejtësisë Aldo Bumçi, i cili kishte dhënë dakordësinë për ligjshmërinë e biznesit të Shkelzenit, duke i dërguar dhe një kopje djalit të ish kryeministrit, që kishte ngritur ‘zyrën’ në Ministrinë e Mbrojtjes. Një kakofoni zërash nga SPAK, çka tregon se nuk po heton “Gërdecin”. Madje la për të kuptuar se e ka mbyllur këtë çështje me kohë dhe vakt.

Kemi dosjen CEZ-DIA, afera 500 milionë euroshe e privatizimit të OSHEE, ku pavarësisht provave dhe fakteve asgjë nuk është bërë nga ana e SPAK. Madje nuk janë thirrur as personat që kanë lidhje me këtë dosje, që sërish janë familja Berisha teksa Nuel Kalaj miku i familjes merr si sekser 7 milionë euro me një dorë. Askush nuk po gjendet për të dëshmuar në SPAK. Për këtë aferë akuzohet dhe ish Presidenti Ilir Meta, emri i të cilit ka dalë nga komunikimet me ish kreun e DIA-s Kastriot Ismailaj. As që janë thirrur për t’u pyetur. Janë dosje sensistive këto.

Nuk është bërë asnjë hap as për hetimin e privatizimit të ish klubit “Partizani” nga një grup njerëzish, më kryesor dhe strumbullari mes tyre, dhëndërri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, ku mbi këtë sipërfaqe trualli janë ndërtuar pallate me vlerë miliona e miliona euro. Janë thirrur në SPAK ish ministra mbrojtje, ish gjeneralë, por ata që kanë përfituar nga kjo aferë as që ka sinjale për t’u marrë dëshminë, jo më për t’u hetuar. S’themi t’i akuzojnë po të paktën t’i pyesin.

Kështu dhe me dosjet e tjera në ngarkim të ish presidentit Meta për burimin e parave për të lobuar në SHBA apo dosje të tjera të rënda, që nga shërbimet në shëndetësi e deri tek inceneratorët. Nuk ka një hetim linear dhe shterrues për të kopsitur një dosje tamam dhe për ta dërguar në Gjykatën Speciale. Ne nuk diskutojmë cilësinë e hetimit, nuk është puna jonë të kontestojmë mënyrën e hetimit. Pritshmëria jonë është që të shohim para drejtësisë, dënohen apo jo varet nga vertetimi i akuzave me prova dhe fakte, të gjithë maskarenjtë e politikës që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve për 32 vite me radhë. Këtë duam. Asgjë tjetër!

Fatkeqësisht vëmë re dhe një fakt të rëndë. Na duket sikur hetimi i SPAK është ngjashëm me leximin e një teksti shumëfaqësh ku një rresht lexohet dhe pesë të tjerë jo, një rrëmujë e vërtetë dhe akoma më keq kjo u serviret mediave për t’ia përcjellë publikut. Mediat nuk kanë faj, botojnë ato që u japin, megjithëse duhet ta marrin tekstin të plotë, jo jashtë kontekstit, pasi këtu bëhet fjalë jo vetëm për fate njerëzish që mund të linçohen dhe pa të drejtë, por është në lojë dhe integriteti i institucionit më të lartë të hetimit në Shqipëri, prej të cilit pritshmëritë janë të larta.

Qofshim të gabuar, por duke parë atë që serviret në media, qoftë detaje të dosjeve qoftë dhe deklarimet publike të kreut të deritanishëm të SPAK, duan vetë prokurorët që të ‘rrjedhin’ informacionet nga dosjet hetimore pasi ata e kanë “çelësin” e tyre vetë në qafë dhe këtu s’duhen fajësuar gazetarët, ajo që na prezantohet s’është e “puthitur” me qëllimin e ngritjes së SPAK, që ka “gëlltitur” dhe po “gëlltit” miliona euro shpenzime për trajtimin e tyre special: Hetimin.

Ajo që kemi evidentuar jo pa dhimbje është fakti se SPAK nuk po e përballon dot presionin e politikës, e cila sulmon institucionin e hetimit për arsyet dhe hallet e veta, si dhe presionin pozitiv të shqiptarëve që duan të shohin përballë drejtësisë zullumqarët e këtyre 32 viteve, por dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë rezultate, pasi kanë investuar shumë në para dhe në ekspertizë për këtë institucion drejtësie.

Dhe me sa duket i gjendur nën këtë presion të gjithëanshëm për të parë rezultate dhe dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në këtë vend, SPAK në vend që të bëjë hetime shterruese për dosjet sensistive, më shumë po tenton të prodhojë lajme. Lajme që hidhen në publik përmes mediave, në mënyrë fragmetare, thjeshtë për “scup” mediatik, për të thënë se po punohet dhe po hetohet. Madje shoqërohen dhe me ankesa të tipit: kemi presion nga politika, na kanë kërcënuar ne dhe familjet dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Për ta bërë më interesant lajmin.

Në krye të herës anëtarët e SPAK, që kur janë zgjedhur në këtë institucion e kanë ditur si dreqi se do kenë presione nga politika për të “zbehur” dosjet kundër tyre. Berisha e Meta nuk i kanë rreshtur sulmet ndaj SPAK, herë duke e quajtur vepër të Sorosit, herë të komanduar nga ambasadorja Yuri Kim apo kryeministri Edi Rama, e herë duke e quajtur dështim të Reformës në Drejtësi. Madje edhe sot lideri i “Rithemelimit” lëshoi akuzat e tij ndaj SPAK.

Por SPAK është dhe nën presion nga qytetarët e partnerët tanë ndërkombëtarë që e besuan dhe kanë patur pritshmërinë e madhe për të zhdukur të keqen që ka mbërthyer këtë vend që me rrëzimin e komunizmit: luftën ndaj korrupsionit. Fundja prokurorët specialë janë aty për të treguar se s’kanë frikë dhe për ta përcjellë këtë vendosmëri dhe tek qytetarët, që ta ndjejnë se është dikush që mbron interesat e tyre por dhe i mbron ata nga krimi e zyrtarët e korruptuar.

Duke qënë se SPAK në këtë drejtim ka bërë shumë pak, kompensimin e asaj që duhej bërë sipas ligjit dhe Kushtetutës, po mundohen ta bëjnë përmes prodhimit të lajmeve sipas interesit të tyre. Pra për të thënë se “Kola është në punë”. Ndërkohë që nuk ka asnjë hetim për dosjet e rënda. Madje nuk kanë nisur as vetë prokurorët e këtij institucioni një hetim, por kanë marrë në “dorëzim” kryesisht ato dosje që kanë ardhur nga politika. Këtu janë treguar të gatshëm sidomos ish kryetari Arben Kraja, me “shokët e lagjes” në Lalz. Megjithëse kanë kaluar 3 vite nga ngritja e këtij institucioni, e marrjen prej prokurorëve të SPAK të betimit se do të hetojnë pa kompromis të gjithë të ‘paprekshmit’ apo ‘dinozaurët’e politikës shqiptare. Për këtë qëllim janë zgjedhur aty, dhe për këtë qëllim paguhen tmerrësisht shumë, në raport me institucionet e tjera në Shqipëri.

Ndaj themi se për shqiptarët dhe për askënd nuk ka rëndësi se kush u zgjodh në krye të SPAK, pasi nga trupa përbërëse e tij zgjidhet kryetari. Rëndësi ka qasja ndaj hetimit, ku shanset janë tani. Por nëse vijojnë në konkurrojnë mediat për ‘scupe’ mediatike, atëherë do të ishte mirë që këto para të hedhura pa kursim nga partnerët tanë dhe buxheti i shtetit të jepeshin për njerëz të tjerë.

Përsërisim sërish se është nevoja për të krijuar një trupë me prokurorë të huaj që të mos pyesin se kë ka përballë, president apo ish president, kryeministër apo ish kryeministër, ministër apo ish ministër, zyrtar apo ish zyrtar të lartë të shtetit, por t’i thonë të bardhës ‘e bardhë’ e të zezës ‘e zezë’ dhe të hetonin dosjet e rënda të korrupsionit në Shqipëri. T’i dënonin por dhe t’i detyronin të kthenin paratë e vjedhura nga arka e shtetit prej këtyre zyrtarëve që nga dita e parë e startimit të qeverisjes së parë pluraliste. Ky është mision, nuk është emision televiziv.

Zgjedhja e Altin Dumanit në krye të SPAK na jep shpresë, ka dhënë prova se u shkon dosjeve deri në fund. Për më tepër që ka mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha nuk i ka borxh askujt nga këta “dinozaurët” e politikës shqiptare. Mbështetjen e shqiptarëve e ka si gjithnjë. Por të presim!

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vini: 17/12/2022 04:09

    Edhe Dumani si te tjerët eshte,a eshte shqipetar!,shpresat jane te pakta,

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?