TIRANË- Prokuroria e Posaçme SPAK prej fillimit të muajit shkurt ka nisur një hetim për një vendim të Gjykatës Kushtetuese, pas informacioneve se ka pasur tentativa për ta ndikuar për favorizimin e pandehurit Pëllumb Gjoka dhe të përshirë të tjerë, për të zhbërë rëndësinë e përgjimeve të SkyECC. Për këtë arsye prokurori Klodjan Braho ka vënë në përgjim të paktën një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, avokatë dhe persona të tjerë të përfshirë, ndërsa janë vendosur mjete përgjimi për filmim ose fotografi në vende publike, gjë që ka sjellë reagime të forta që flasin për një skandal.
Në një reagim të sotëm Gjykata Kushtetuese, përmes një njoftimi për median mohon të ketë pasur ndikim apo presion të jashtëm.
Nuk kemi pasur asnjë ndikim apo presion të jashtëm. Vendimet tona kolegjiale dhe të pavarura. Do vijojmë të ushtrojmë kompetencat me korrektësi, integritet dhe e pavarur' thuhet në njoftim.
Por çfarë ka ndodhur?! Një vendim unanim i Gjykatës Kushtetuese, i marrë më 30 dhjetor 2024, që rrëzonte kërkesat e të akuzuarit nga SPAK Pëllumb Gjoka për shkelje të të drejtave të njeriut dhe që lidhej me vlefshmërinë e përgjimeve SkyECC, nuk ishte zbardhur deri në fillim të shkurtit, teksa ligji sanksionon se duhej brenda 30 ditëve. Në vendimin e 30 dhjetorit rrëzohen kërkesat për lirim por nuk kishte asnjë arsyetim nëse përgjimet SkyECC mund të merreshin si provë apo jo.
Për këtë arsye, siç tregohet edhe në dokument qe Sghqiptarja.com e disponon, prokurori i SPAK Klodian Braho, thotë se ka pasuri informacione se personat të interesuar për të favorizuar Pëllumb Gjokën por edhe persona të tjerë që kanë interesa të ngjashme kundër përgjimeve SkyECC, po tentojnë të ndikonin te anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që në zbardhjen e vendimit të arsyetuar t’i favorizonin. Pra të relativizonin përgjimet, duke i bërë të papërdorshme në procesin ndaj Gjokës por edhe në procese të tjera penale.
Këto informacione, sidomos ai që po tentohej të ndikohej tek anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Gent Ibrahimi sipas SPAK kanë bërë që prokurori Braho të nisë procedimin penal dhe firmoste nje urdhër përgjimi në ambiente publike për anëtarin Kushtetueses por edhe persona të tjerë të përfshirë, ku nuk përjashtohen edhe anëtarë të tjerë të Gjykatës më të rëndësishme në vend.
Pjesë nga autorizimi i prokurori Klodjan Braho për te pergjuara edhe Gjykatën Kushtetuese
"Gjatë kësaj periudhe, në pritje te shpalljes së vendimit të arsyetuar te Gjykatës Kushtetuese, ka informacione dhe ekzistojnë të dhëna se nga persona te interesuar për të favorizuar shtetasin Pëllumb Gjoka, por edhe persona të tjerë që kanë interesa të ngjashme, po kryejnë veprimeve për të ndikuar te anëtarë të caktuar te Gjykatës Kushtetuese për të favorizuar ata në mënyrën e arsyetimit të vendimit gjyqësor te mësipërm.
Sipas informacioneve, edhe pse Gjykata Kushtetuese ka vendosur rrëzimin e Kërkesës, palët e interesuara po kërkojnë që ndikojnë te gjyqtarë te caktuar për të bërë të mundur arsyetimin e vendimit në formën me të favorshme për kërkuesin Pëllumb Gjoka me qëllimin për të kushtëzuar apo realativizuar përdorimin e provave nga aplikacioni SkyECC në procesin gjyqësor
Ekzistojnë të dhëna se personat e interesuar mund të kenë ushtruar mbi gjyqtarin Gent Ibrahimi, me qellim për të realizuar qëllimin e tyre në mënyrën e formulimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar, kundrejt ofrimit apo premtimit të përfitimeve parregullta.
Të dhënat dhe informacionet e mësipërme, të vlerësuara në lidhje edhe me mungesën e arsyetimit sipas afatit të rregullores dhe ecurinë e çështjes gjyqësore të gjykimit në themel, vijnë në lidhje logjike dhe në përputhje me njëra tjetrën dhe janë në gjendje që të përbëjnë të dhëna të mjaftueshme për të filluar ndjekjen penale dhe për të kryer veprime te mëtejshme procedurale
Në këto kushte, ekzistojnë dyshime se mundet të jenë konsumuar, elementët e veprave penale "Korrupsioni aktit i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë dhe "Korrupsioni pasie gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve Le drejtësisë të parashikuara nga nenet 319 dhe 319/ç të Kodit Penal
Neni 221 i K.Pr. Penale për veprat penale të parashikuar nga nenet 319 dhe 319/c tế Kodit Penal, lejon kryerjen e përgjimit në vende publike.
Neni 221/3, pikat (b) dhe (c) dhe (c) te K.Pr. Penale lejojmë përgjimin e personit të dyshuar dhe të personave të tjerë që dyshohet se marrin transmetojnë komunikime, apo marrin pjesë në transaksione me të dyshuarin
Në zbatim të nenit 223/1 te K.Pr. Penale pajisjet do të shërbejë për kryerjen e përgjimit, do te mbahet nga strukturat e policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të ngarkuar me kryerjen e përgjimit
Për sa më sipër, duke qene se ndodheni përpara kushteve te lejuara për kryerjen e përgjimit ambiental në vende publike, si dhe te kryerjes se vëzhgimit dhe filmimit, në bazë të neneve 221/2 e 3 dhe 222/6 te K.Pr.Penale.
AUTORIZOJ
1. Kryerjen e përgjimit në vende publike të subjekteve të këtij procedimi penal te përmendur më sipër, të shtetasit Gent Ibrahim si dhe subjekteve të tjera te këtij procedimi penal, të shoqëruar me vëzhgim, filmim dhe fotografim
2. Përgjimi do te kryhet me kohëzgjatje 15 ditore, duke filluar nga data 10.02.2025 deri më datë 25.02.2025
3. Për kryerjen e përgjimit ngarkohen OPG dhe policia gjyqësorë ne Sektorin e Forcës së Posaçme, Operacionale në Drejtorinë Vendore te Policisë së Tiranës të cilët duhet të mbajnë proces verbalet përkatëse për zbatimin e këtij autorizimi", thuhet në autorizimin e SPAK të siguruar edhe nga Report Tv.
Sipas autorizimi përgjimi do të kryhej nga Forca e Posaçme Operacionale në drejtorinë e Tiranës për një periudhë 15 ditore, nga data 10 shkurt deri më 25 shkurt.
Kryetarja e GJK Holta Zaçaj letër Dumanit
Ky informacion se anëtarë të Gjykatës Kushtetuese ishin vënë në përgjim nga Prokuroria e Posaçme pa vendim gjykate u përmend në media, ndërsa kjo bëri që menjëherë Gjykatë Kushtetuese, përmes një letre të sigluar më 19 shkurt nga kryetarja Holta Zaçaj, t’i niste një kërkesë për informacion kreut të SPAK Altin Dumani nëse kishte apo jo kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari. Dumani i ka kthyer përgjigje më 26 shkurt ku i thotë se “Në Prokurorinë e Posaçme nuk është paraqitur asnjë kallëzim penal për ndonjë nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk është ‘person nën hetim’ asnjë prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.
Duke pasur parasysh reagimet e shumta që flasin për një skandal, Report Tv është interesuar tek të dyja institucionet për ndonjë koment, por si Prokuroria e Posaçme ashtu edhe Gjykata Kushtetuese kanë thënë se nuk kanë koment.
Pjesë nga përgjigja e Dumanit drejtuar Zaçajt
Çudia, ligji lejon përgjimin pa autorizim gjykate
Sa i përket hapësirës ligjore që SPAK ka shfrytëzuar për të bërë këtë përgjim ndaj anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, duhet thënë se sipas Kodit të Procedurës Penale, nenet 221 dhe nenet 222, thuhet se:
Regjistrimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vende publike dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes lejohen vetëm kur procedohet për vepra të kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se tre vjet.
Në këto raste autorizimi bëhet nga prokurori.
Pra është një hapësirë ligjore që që lejon të përgjohet edhe anëtari i institucionit më të lartë në vend, pa një vendim gjykate.
Akuzat për përgjimet e anëtarëve të Kushtetueses
Një reagim ka pasur edhe avokati Ylli Manjani, i cili është përfolur në media si një prej personave që ka qenë në përgjim nga SPAK për këtë çëshrje. Manjani është edhe avokati që ka përfaqësuar Gjokën me padinë në Kushtetuese.
"Sa më takon kam thënë vetëm të vërtetën, që ka një urdhër përgjimi. Këtë urdhër e disponon media, nga ku jam informuar dhe mund të lexohet tashmë edhe nga publiku.
Mund t'u spjegoj gjithashtu se në bazë të ligjeve të shkruara nuk mund të autorizohet përgjim apo survejim pa u regjistruar më parë një proçedim. Që do të thotë se urdhëri për përgjim apo survejim në fjalë ka dalë vetëm pasi më parë është regjistruar një procedim. Në fakt edhe vetë përmbajtja e urdhërit e sugjeron këtë gjë.Ky lloj autorizimi për përgjim mbi atë bazë ligjore të cituar, që të jetë i ligjshëm bëhet me vendim gjykate dhe jo me urdhër të prokurorit. Jo se do kishte ndonjë dallim esencial në kushtet ku jetojmë, por të paktën formalisht duhet të respektohej ligji. Nejse, kjo është situata legale. Sa për vete, kam dhënë autorizimin që të më përgjojnë sa herë të duan pa asnjëlloj vendimi. Si të duan e kur të duan", shkruan Manjani.
Autorizimi i SPAK për pergjimin e gjyqtarit të Kushtetueses Ibrahimi
Vendimi i plotë i arsyetuar i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e padisë së Pëllumb Gjokës
Foto: Gjykata Kushtetuese
Për vënien në përgjim të të paktën njërit prej anëtarëve të saj, Gjykata Kushtetuese ka bërë një reagim për mediat ku thotë se në ushtrimin e misionit kushtetues ajo udhëhiqet nga parimet e kolegjialitetit, pavarësisë dhe paanësisë, të sanksionuara në ligjin themelor.
Po ashtu Gjykata Kushtetuese mohon të ketë pasur ndikim apo presion të jashtëm.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese, nisur nga debati mediatik i ditëve të fundit, për vënien nën përgjim nga Prokuroria e Posaçme të një gjyqtari kushtetues, që lidhet me ushtrimin e veprimtarisë së tij, konsideron me rëndësi që të sqarojë opinionin publik se në ushtrimin e misionit kushtetues për garantimin e epërsisë së Kushtetutës, ajo udhëhiqet nga parimet e kolegjialitetit, pavarësisë dhe paanësisë, të sanksionuara në ligjin themelor.
Gjykata është e vetëdijshme për ndikimin që ka veprimtaria dhe forca e autoritetit të saj ndaj aktorëve politikë dhe institucionalë, ndaj medias, palëve në proces, ashtu edhe ndaj opinionit publik. Për këto arsye, Gjykata ndjek rregullat e transparencës në vendimmarrje, me qëllim krijimin dhe ruajtjen e besimit publik ndaj saj.
Gjykata ka shprehur edhe më parë bindjen se ushtrimi i veprimtarisë në një klimë besimi nga kushdo i shërben forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur, ndaj ka ngritur shqetësimin rreth keqinterpretimeve dhe përpjekjeve për ta përfshirë atë në debate të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrje konkrete dhe për të ndërhyrë në pavarësinë e saj.
Pa dashur të bëhet pjesë e asnjë diskursi mediatik, Gjykata vlerëson të theksojë se procesi vendimmarrës në ushtrimin e funksionit për dhënien e drejtësisë kushtetuese bazohet në parimet dhe procedurat e parashikuara nga korniza kushtetuese dhe ligjore, duke qenë çdo vendimmarrje rezultat i një procesi diskutimesh të mendimeve dhe qëndrimeve të secilit gjyqtar kushtetues, sipas bindjes së tij të brendshme, për të cilat gëzon imunitet të garantuar nga Kushtetuta në ushtrim të funksionit të tij.
Gjykata, duke pranuar rëndësinë që ka në një shtet të së drejtës ushtrimi i kompetencave të çdo organi publik në respektim të kornizës kushtetuese dhe asaj ligjore, dëshiron të theksojë se ajo, sikundër ka vepruar deri më tani, do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj me korrektësi, integritet dhe e pavarur ndaj çdo ndikimi apo presioni të jashtëm.
Komente

SPAK ka vepruar drejte! Cdo kush qe tenton te ndikoje ne veprimet e SPAK duhet te mendohet mire qofshin keta gjygjtare apo Politikane.
PërgjigjuEshte vene nen pergjim dhe ols dado, ban erioni dhe zoja olldashi...Këta persona mendohet qe kane bashkepunuar per te dhene vendime unanim nen influencen e nje partie politike. Akuza shkon dhe me teper se mendohet per nje grup te strukturuar kriminal. Keto informacjone do dalin shume shoejt...prokurori i ngarkuar me kete ceshtje eshte nje femer...kaq mund te themi per momentin
PërgjigjuEdhe keto besojme me vendim gjykate…
Ehe po. Shko merr rrogen tek Bashkia tani, he te keqen. Se e bere detyren per sot.
Bravo SPAK!
Përgjigjuju gjykates te kushtstuese qe pagoheni nga 6 milion leket rrogen pse nuk e beni punen thuaj per ate qe paguheni? ca pretendojn kto te GJK. "eeej prisni pak tju marrim leje se duam tju pergjojm pak"
Përgjigju