SPAK po heton dy tendera të KQZ, kompania Smartmatic për Report TV: Nuk na shqetëson hetimi! Prokurimi u përshtat me kuadrin ligjor

5 Shtator, 10:25| Përditesimi: 5 Shtator, 11:59

  • Share

Prej gushtit të këtij viti, SPAK po heton dy tendera të KQZ, të cilat i ka fituar kompania Smartmatic për identifikimin dhe votimin elektronik. Tenderat për pajisjet e identifikimit biometrik dhe votimit e numërimit elektronik kapin vlerën e 21 milion dollarëve.

Në një reagim ekskluziv për Report Tv, kompania Smartmatic në hetim nga SPKA, u përgjigj duke thënë se: Nuk na shqetëson hetimi.

Kompania e cila mori 21 mln dollarë për identifikimin biometrik dhe votimin elektronik në zgjedhjet 2021 thotë se fatura e tenderit respektoi ligjin shqiptar dhe kërkesat e KQZ.

Më tej, kompania shton për Report Tv  se prokurimi u përshtat me specifikimet teknike dhe buxhetin e KQZ

Sa i përket faturës së fryrë për Shqipërinë, Smartmatic thotë se çdo ofertë që ne paraqesim është unike

Përgjigjia e plotë:

E dashur Esiona,

Sipas Forumit Ekonomik Botëror, dezinformimi është aktualisht kërcënimi i vetëm më i madh për integritetin e zgjedhjeve në mbarë botën. Kjo është arsyeja pse ne vlerësojmë që ju u thelluat për të kërkuar të vërtetën në vend që të nxitoni të publikoni pasaktësi në lidhje me kompaninë tonë dhe të bini potencialisht pre e aktorëve të këqij që punojnë për të delegjitimuar zgjedhjet për interesat e tyre personale.

 Në lidhje me pyetjet tuaja:

 - A është kompania juaj e shqetësuar për këtë hetim?

Jo

 - A ka pasur ndonjë ndryshim në marrëveshjen tuaj me KQZ-Shqipëri krahasuar me vendet e tjera të botës ku veproni?

Nuk ka dy juridiksione të njëjta. Çdo proces prokurimi është i përshtatur me kërkesat specifike teknike, kufizimet buxhetore dhe kuadrin ligjor të vendit përkatës. Kontratat dhe marrëveshjet duhet të jenë në përputhje me ligjet e vendit specifik ku janë nënshkruar.

 - A i ka blerë Shqipëria pajisjet dhe shërbimet tuaja me çmim më të lartë se vendet e tjera?

Çdo ofertë që ne paraqesim është unike dhe përshtatet me kërkesat e procesit të tenderimit.

 - A ju është kërkuar ndonjëherë ryshfet nga zyrtarët shqiptarë?

Jo.

 Për shkak se ne e vlerësojmë çdo herë që një gazetar na kontakton, ne gjithashtu do të dëshironim të ndajmë një deklaratë që adreson pyetjet tuaja:

“Që nga themelimi i tij në vitin 2000, Smartmatic është rritur për t'u bërë lider në industrinë zgjedhore, duke u shërbyer organeve të menaxhimit të zgjedhjeve në mbi 35 vende. Ky lidership mbështetet nga suksesi ynë në fitimin e proceseve të prokurimeve ndërkombëtare në pesë kontinente, të drejtuar nga teknologjia dhe shërbimet tona më të fundit, si dhe nga ofertat tona konkurruese.

Në zgjedhje, nuk ka dy juridiksione të njëjta. Çdo proces prokurimi është i përshtatur me kërkesat specifike teknike, kufizimet buxhetore dhe kuadrin ligjor të vendit përkatës. Kjo është arsyeja pse çdo ofertë që ne paraqesim është unike. Kuptimi i kësaj na ka mundësuar që të operojmë me sukses në Evropë, Azi, Afrikë, Oqeani dhe Amerikë.

Ju lutem mos ngurroni të na kontaktoni nëse keni ndonjë pyetje.

Më 22 gusht 2024 KQZ i dorëzoi SPAK dokumentet e plota që Prokuroria e Posaçme kërkoi në lidhje me tenderat për pajisjet e identifikimit biometrik si dhe votimin e numërimin elektronik me vlerë totale 21 milionë dollarë.

SPAK ka nisur hetimet në lidhje me dy tendera të dhëna nga KQZ për pajisjet e identifikimit biometrik në gjithë vendin si dhe për votimin e numërimin elektronik të zgjedhësve (projekt pilot që u implementua në njësinë 10 në Tiranë) në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Të dy tenderat janë fituar pa garë nga kompania 'Smartmatic International Holding B.V”, vlera fituese e të cilëve ishte shumë pranë fondit limit.

Konkretisht SPAK ka kërkuar nga KQZ dokumentet e tenderit që mban datën 23 dhjetor 2020 për “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor”. Po ashtu dhe për një tender të dytë të dhënë po në vitin 2021 (mars) për 'Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave!'.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?