Kronikë

Veliaj pyetet për dy orë në SPAK për përdorimin e celularit të policit në furgonin e burgut! Telefonata me Xoxën u zbulua nga përgjimet

20 Mars, 12:05| Përditesimi: 20 Mars, 17:19

  • Share

TIRANË- Këtë të enjte, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u soll nga paraburgimi i Durrësit në SPAK në orën 10:00 të mëngjesit, aty ku mësohet se për 2 orë u pyet nga agjentët e BKH-së dhe prokurori Ols Dado, në prani të dy avokatëve të tij, Artur Selmani dhe Ermir Beta.

Burime, thonë për Report Tv, se Veliaj u vu në dijeni për hetimin e dytë që ka nisur ndaj tij për përdorimin e telefonit celular të një polici të paraburgimit të Durrësit, gjatë kohës që transportohej me makinën e burgjeve për të marrë pjesë në seancë në Gjykatën e Posaçme në Tiranë.

Mbajtja e sendeve të ndaluara në burg, është vepra penale me të cilën SPAK po e përball, referuar faktit se edhe furgoni i policisë së burgjeve për personat me masë sigurie arrest në burg, konsiderohet me të njëjtat rregulla si qelia. E përdorimi i telefonit, është i ndaluar.

Burimet thonë se nga telefoni i policit të burgut, i cili gjithashtu është marrë në pyetje nga SPAK, kryebashkiaku ka bërë një telefonatë me bashkëshorten e tij, e cila është zbuluar pikërisht nga celulari i Ajola Xoxës i cili është vënë në përgjim.

Po këtë të enjte, Gjykata e Lartë nuk pranoi rekurset e paraqitur nga ankuesit, Arbër Veliaj dhe Ajola Xoxa kundër kontrolleve më 24 dhjetor 2024, në kompaninë e vëllait të Veliajt dhe zyrën ligjore të bashkëshortes së tij, të lëna në fuqi edhe në Apelin e Posaçëm. 

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt i akuzuar për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ndërsa në masë detyrim paraqitje edhe për akuzën e fshehjes së pasurisë është në hetim edhe bashkëshortja e tij. 5 biznesmenë akuzohen për korrupsion me masë detyrim paraqitje, ndërsa sipërmarrësi Elman Abule në "arrest shtëpie", i dyshuar edhe për pastrim parash.

SI.E./G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sa e dëshironi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?