Abuzuan me tenderat/ Sekuestrohet kompania ‘5D Konstruction' e 2 shoqëri të tjera në pronësi të Redi Mollës e Mariglen Qatos! Bllokohen troje e apartamente të familjarëve të tyre

9 Korrik, 10:58| Përditesimi: 22 Korrik, 12:32

  • Share

TIRANË- Shoqëria tregtare ‘5D Konstruksion’ sh.p.k.,së bashku me pasuritë e luatjshme e të paluajtshme të saj, është vendosur në sekuestro preventive me kërkesë të SPAK dhe firmosur nga Gjykata e Posaçme. 

Sipas SPAK pronarë ‘de facto’ të kompanisë '5D' janë Ish drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla dhe ish drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës të cilët po hetohen nën masën e sigurisë 'arrest me burg' prej 28 marsit 2024 pasi akuzohen për abuzime me tendera.

Përmes një njoftimi Prokuroria e Posaçme njoftoi sot (9 korrik 2024) se është duke hetuar për të përcaktuar se sa para ka fituar kompania “5D Konstruksion” sh.p.k nga fitimi i tenderave publik.

Gjithashtu SPAK bën me dije se është duke hetuar edhe mënyrën se si qarkullonin personat e dyshuar paratë, duke përfshirë veprimet financiare të kryera nga “5D Konstruksion” sh.p.k brenda aktivitetit të saj tregtar, si dhe destinacionin e shumave monetare të transferuara nga kjo kompani në drejtim të të tretëve, qofshin biznese apo personave.

Nga hetimet e deritanishme Prokuroria e Posaçme thotë se ka krijuar dyshime të arsyeshme se paratë e fituara, sipas tyre në mënyrë të paligjshme, nga “5D Konstruksion” janë nxjerrë nga bankat nga persona të tjerë, të cilët i merrnin në formën e pagesave për punime, por që ishin fiktive. Këta persona që i nxirrnin nga bankat ua kthenin më pas “cash” Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, të cilët më pas një pjesë të fitimeve i kanë ri-investuar në aktivitetin tregtar të “5D Konstruksion” dhe pjesën tjetër në blerjen e pasurive të paluajtshme.

Marrë shkas nga këto përfundime të deritanishme të hetimeve më 5 korrik GJKKO miratoi kërkesën e SPAK të bërë që më 26 qershor për sekuestrimin e disa pasurive të Mollës e Qatos dhe familjarëve të tyre.

Kështu që është vendosur sekuestro preventive mbi  “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me të gjitha pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj. Kompania figuron me administrator dhe pronar 100% Nestor Muhamellarin, por që sipas SPAK zotërohet nga ish drejtorët Molla e Qato. 

Janë sekuestruar dhe kompania “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të Redi Mollës dhe 24 % e kuotave në “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, një kompani që po ndërton një hotel me 5 yje në Durrës. Këto kuota janë në pronësi të “Restur”, pra të Redi Mollës.Gjithashtu SPAK ka sekuestruar një truall 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m² dhe një tjetër truall me sipërfaqe 51.3 m², të dyja në rrugën “Tefta Tashko”, në emër të familjare të Redi Mollës, Selim Molla dhe Ollga Molla.

Sa i përket pasurive të drejtorit tjetër, Mariglen Qato, SPAK thotë se janë sekuestruar një apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², dhe 2 parkime nga 42 m², për të cilat është lidhur kontrata mes “5D Konstruksion” dhe familjares së ish drejtorit, Sanie Qato. E njëjta ka ndodhur edhe për një tjetër apartament me sipërfaqe 86.4 m², edhe ky në emër të Sanie Qato.

Prokuroria e Posaçme thotë se hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar dhe vazhdojnë edhe persona të tjerë që mund të jenë përfshirë.

GJKKO firmosi më 28 mars 2024, tre masa sigurie arresti në burg për, Redi Molla, ish-Drejtor i Ujësjellës Kanalizime në Bashkinë Tiranë, Taulant Tusha, ish- Drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Mariglen Qato, ish-Drejtor Inspektoratit së Mbrojtjes së Territorit, në Bashkinë Tiranë. Gjashtë masa sigurie "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore' u firmosën ndaj pesë drejtuesve në bashkinë e Tiranës: Konkretisht ndaj Deborah Keçi, drejtuese e “Klubin Sportiv Tirana”, pranë Bashkisë Tiranë, e pezulluar nga ky post, Enton Punavija, Drejtor i Drejtorisë së Transportit në bashkinë e Tiranës;  Julian Zanaj,  Drejtor i Prokurimeve në bashkinë e TiranësEglantina Zere, Drejtore e Drejtorise se Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit në bashkie e pezulluar nga ku post dhe  Albano Janku Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit të Burimeve Njerëzore; dhe Nestor Muhamellari,administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Në njoftimin e SPAK thuhej se Redi Molla për gjatë kohës që ushtronte funksionin e Drejtorit në “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” dhe Mariglen Qato gjatë kohës që ushtronte funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në UKT kanë shpallur fitues shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k. në 11 tendera nga viti 2016 deri në 2020.

Njoftimi i SPAK

'Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vijuar hetimet paraprake për procedimin penal nr.75, të vitit 2023, që bën fjalë për veprat penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike”, “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 257/a/2, 258/2, 244, 259/2 dhe 287/2 të Kodit Penal.

Nga ana e organit procedues janë kryer veprime të mëtejshme hetimore për të përcaktuar shumat monetare që janë përfituar nga shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k. si rezultat i realizimit të kontratave publike të përfituara në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e prokurimit publik, si dhe si rezultat i veprimeve të kundraligjshme që përbëjnë veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 258 dhe 259 të Kodit Penal.

Po kështu, janë kryer veprime hetimore për të verifikuar mënyrën e qarkullimit të shumave monetare që përbëjnë “produkt” të veprës penale, duke përfshirë veprimet financiare të kryera nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k brenda aktivitetit të saj tregtar, si dhe destinacionin e shumave monetare të transferuara nga shoqëria tregtare në drejtim të subjekteve të tjera tregtare apo në drejtim të personave të tretë.

Nga veprime hetimore të kryera në këtë drejtim janë mbledhur provat e nevojshme nga të cilat krijohen dyshime të arsyeshme se, shumat monetare të përfituara në mënyrë të parregullt nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k që përbëjnë “produkt” të veprës penale, pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktike duke u disponuar në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare, si dhe pjesërisht janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të shoqërisë tregtare të mësipërme. Janë mbledhur prova të mëtejshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm  se shumat monetare të përfituara në gjendje “cash” janë përdorur më pas për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme.

Pasi janë kryer veprimet hetimore të nevojshme Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në datën 24.06.2024, kërkesën për vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për disa pasuri që mundet të konfiskohen.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.388, datë 05.07.2024, ka vendosur pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme dhe caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasuritë si më poshtë:

  1. Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si shoqëri tregtare që është përdorur dhe ka shërbyer si mjet për të realizuar veprat penale, që lejohet të konfiskohet sipas nenit 36/1, shkronja (a) të Kodit Penal. 
     
  2. Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve Selim Molla dhe Olga Molla, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
     
  3. Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve Selim Molla dhe Olga Molla, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
     
  4. Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit Redi Molla, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
     
  5. Pasuria 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, rregjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator Redi Molla, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
     
  6. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², me emërtimin B_43, si dhe pasuritë parkim Nr.P24 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m² dhe parkim nr.P25 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m², për të cilat është lidhur kontrata e sipërmarrjes midis shtetases Sanie Qato dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet. 
     
  7. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m², me emërtimin A_42, për të cilën është lidhur kontrata e sipërmarrjes datë 29.09.2023 midis shtetases Sanie Qato dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet. 

Në datën 08.07.2024 policia gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kanë nisur veprimet përkatëse procedurale për vënien në ekzekutim të vendimit gjyqësor të mësipërm, me qëllim marrjen në administrim të pasurive të sekuestruara. Veprimet e ekzekutimit të vendimit gjyqësor janë në proces dhe po vijojnë të kryhen edhe në ditën e sotme.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.'- njofton SPAK.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • halla esma: 09/07/2024 16:45

    KJO QEVERI DUHET TE JAPE DOREHEQHEN,,,NUK E DINTE EDI RAMA KUSH ISHIN KETA ,,KU PUNONIN DREJTUESIT E 5 D.. KUR I DHA STATUSIN E PRIVILEGJUAR....TURP....QEVERI DHE BASHKI E KORRUPTUAR DHE HAJDUTE...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?