Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit

Opinion

SPAK të hetojë vilat e politikës duke filluar nga Lalzi! Kush e ka radhën pas Llallës?!

23 Shtator 2021, 20:21| Përditesimi: 23 Shtator 2021, 20:27

  • Share

Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, sidomos SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, apo siç quhet rëndom “FBI”-së shqiptare ka shtuar akoma më shumë besimin e qytetarëve shqiptarë tek drejtësia e re.

Një besim i tillë është shumëfishuar akoma më shumë, nga mbështetja pa rezerva e aleatëve tanë të mëdhenj, SHBA e BE, të cilët s’janë kursyer as për mbështetjen financiare, as për logjistikën dhe trajnimin e ekspertëve shqiptarë.

Mbi të gjitha, drejtësia e re ka një “koracë” të fortë mbrojtjeje nga ana e SHBA, që eleminon të gjitha interferencat e politikës, sado që të mundohet të ndikojë në preferencialitetin e dosjeve të rënda të krimit, korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin për t’i renditur në “top-listë” si të parat në rendin e hetimit.

Shtuar këtu dhe trajtimin financiar që është shumë i kënaqshëm dhe që lejon vërtetë pavarësi të plotë për të gjithë pjesëtaret e drejtësisë së re.

Të paktën në letër një gjë e tillë është e mundshme dhe prokurorët e SPAK kanë të gjithë lirinë e mundshme, për të marrë në dorë çështje të rënda dhe sensitive dhe me impakt për publikun, për t’i hetuar dhe dërguar në Gjykatën e Posaçme për gjykim.

Për më tepër që kanë dalë jashtë “axhendës” së hetimit të SPAK, hetimet për çështje të vogla dhe ordinere që do të merrnin kohë dhe energji të panevojshme, duke lënë mënjanë dosjet e rënda të mbartura ndër vite apo të krijuara rishtas, për zyrtarët dhe politikanët e lartë. Eshtë hequr!

Ndërkohë që nuk ka asnjë imunitet zyrtar apo mbrojtje politike për të gjithë ata që mund të akuzohen për korrupsion, lidhje me krimin dhe përfitimin e parave të paligjshme.

Me dënimin e ish Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla me 2 vite burg për mosdeklarimim pasurie, ndonëse tre akuzat e tjera, të pastrimit të parave, mosdeklarimit në kufi të parave cash dhe pasurimit të paligjshëm “firuan” rrugës, sidomos kur u ndalën në “stacionin” e gjyqtarit Lazer Sollaku, dënimi i Llallës kishte në vetvete elementin e kthimit të besimit tek drejtësia e re dhe se askush nuk është aq i fuqishëm sa të shuajë akuzat për veprat penale.

Këtë e theksoi dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim një ditë më parë, teksa përshëndeti vendimin e Gjykatës për dënimin me 2 vite burg të Llallës, ku nënvizoi se tashmë paprekshmëria e njerëzve të fuqishëm ka marrë fund.

Ambasadorja i inkurajoi sërish prokurorët që të veprojnë kundër zyrtarëve që keqpërdorin postin, pavarësisht sa të fuqishëm janë ata. “Është mirë të shihet drejtësia e vënë kundër zyrtarëve të korruptuar. Prokurorët duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve, pa marrë parasysh sa të lartë apo të fuqishëm, të cilët keqpërdorin pozitën e tyre për t’u pasuruar. Askush nuk është mbi ligjin”, deklaroi Kim.

Një suport i fortë amerikan, që ndikon fort në mbështetjen për drejtësinë e re në Shqipëri për të hetuar dhe gjykuar të gjithë zullumqarët e sferave të larta të politikës që kanë abuzuar me paratë e shtetit dhe të qytetarëve shqiptarë për 30 vite me radhë.

Një ndër elementët bazë për goditjen e krimit dhe korrupsionit në parim është goditja aty ku “dhemb” më shumë: Paratë dhe pasuritë e paluajtshme, të vëna përmes abuzimit dhe jo me rrogat e tyre shtetërore. Aq më tepër që shumica e zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë s’kanë deklaruar asnjë biznes të tyrin. Të paktën zyrtarisht.

Nuk do shumë mund për të zbardhur paratë e zyrtarëve që kanë depozituar në bankat shqiptare apo dhe të huaja, pasi tashmë përmes ligjeve, memorandumeve dhe konventave ndërkombëtare të miratuara në Shqipëri apo të nënshkruara me vendet partnere, që japin akses në llogaritë bankare për të gjithë.

Thjeshtë duhet pak vullnet për të zbatuar të gjitha këto “asete” ligjore dhe bashkëpunuese që janë dhënë me shumicë dhe që mund të shfrytëzohen me efikasitet dhe nga drejtësia shqiptare për të bllokuar dhe konfiskuar paratë përfituara përmes abuzimit me paratë e shtetit, dhe për të prerë mbështetjen financiare për këta njerëz të inkriminuar.

Duke hequr në këtë mënyrë dhe mundësinë që poseduesit e këtyre parave të kenë dorë të lirë për të “blerë” lirinë e tyre me paratë e vjedhura apo të përfituara përmes krimit të organizuar dhe abuzimit me pushtetin.

Nuk ka ndonjë vështirësi të madhe, çdo financier sado i thjeshtë mund të bëjë një llogari të thjeshtë, se si një familje vetëm me dy rroga shteti, posedon vila me vlerë deri në 2 milionë euro, pallate në bregdet, vendlindje dhe kryeqytet, shkollon fëmijët jashtë vendit në shkollat më të shtrenjta dhe universitetet që të “kripin” kokën me tarifat e larta.

Nuk do asnjë filozofi të madhe t’i kryqëzosh këto të dhëna, të bësh thjeshtë një mbledhje dhe zbritje dhe të shpenzimeve mujore e vjetore e të nxjerrësh paratë e pajustifikuara nga ana e politikanëve tanë që kanë qenë dhe zyrtarë të lartë, apo dhe të ish pjesëtarëve të drejtësisë, tashmë të nxjerrë jashtë sistemit për shkak të mosjustifikimit të pasurisë.

Është dhe kërkesë e shtuar e aleatëve tanë, SHBA dhe BE, që të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë e shtetit e të qytetarëve shqiptarë, duhet të paguajnë jo vetëm me burg por dhe të kthejnë paratë e vjedhura.

Madje BE një ndër kushtet e shtuara për të nisur bisedimet për anëtarësimin në BE, ka gjykimin dhe dhënien drejtësi për të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë që kanë mbetur në “rrjetën” e Vettingut, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë. E cila në disa raste ka qënë marramendëse.

Nuk ka asnjë vështirësi që të bëhet një hetim për të gjithë të afërmit e zyrtarëve të lartë, politikanëve shqiptarë, të njerëzve të drejtësisë, të cilët papritmas gdhihen biznesmenë, “bossë” në fusha të ndryshme, ndërkohë që para se të ngjitej në hierarkinë politike dhe të pushtetit i afërmi i tyre, ishin “kothere” nga pasuria.

Duhet të shkaktojë trazim fakti që, ndërkohë që në të gjithë vendin, ka sherre vëllai më vëllanë për pronën, pasurinë, paratë, gjyshja, baxhanaku, kunati, vjehrri apo dhëndërri dhurojnë si pa të keq 100 mijë euro për njeriun e tyre në hierarkinë e pushtetit, hedhin mbi 100 mijë euro në një valle dasme. Pra a bën përshtypje një fakt i tillë për drejtësinë e re.

Apo luksi që demonstrojnë fëmijët e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe të drejtësisë, përmes makinave të shtrenjta, udhëtimeve jashtë vendit, frekuentimi i plazheve më të shtrenjta të globit, ndërkohë që nuk kanë bërë një punë në jetën e tyre. Apo kanë ngritur biznese, duke futur për herë të parë në literaturën politike të deklarimit të pasurisë fjalën “sekser”, pavarësisht se mund të jetë djalë ministri apo ish ministri, ish kryeministri apo drejtori të rëndësishëm në institucionet që kanë lekë. “Sekser” për të lehtësuar punën tek babai, vëllai, kunati, baxhanaku apo vjehrri e dhëndërri, dhe përfituar nga paratë e shtetit.

Po të kishim qenë një vend normal me një drejtësi normale, pasuritë e këtyre abuzuesve me paratë e shtetit dhe të qytetarëve shqiptarë, do të ishin konfiskuar me kohë dhe vakt. Por drejtësia e kalbur deri më tani nuk e bëri.

Ndaj shqiptarët besojnë tek SPAK e institucionet e tjera të drejtësisë së re. Dhe në këtë kontekst, mbështetur dhe në pavarësinë e garantuar nga aleatët tanë, SHBA dhe BE, financiarisht nga shteti shqiptar dhe nga ligjet e miratuara për Reformën në Drejtësi në funksion të këtij pavarësimi, na duket sikur ka ardhur koha që SPAK të bëjë ndonjë “xhiro” nga Gjiri i Lalzit, tërë vija bregdetare shqiptare, periferia e Tiranës, dhe të evidentojë dhe “dyllosë” vilat e politikanëve dhe zyrtarëve tanë rrogtarë, të hetojë thellësisht se si janë vënë këto para, në emër të kujt janë këto pasuri marramendëse të patundshme.

Nuk themi të dënojnë, por të hetojnë! Pastaj të vendosin se çfarë do bëjnë me këto pasuri, që janë miliona e miliona dollarëshe. Të vëna “vetëm me rroga shteti”, maksimumi 180 mijë lekë të reja.

Nuk besojmë se do të përballen me “policinë” private të “Bllokut” të ri të politikës shqiptare, të cilët më shumë se një vit më parë bllokuan hyrjen e mediave për të filmuar. Kanë frikë të arrijnë deri këtu.

Ndaj, ekspertët e SPAK thjeshtë të mbajnë shënim gjithçka për pronësinë, vlerën e saj, territorin ku shtrihet, dhe pastaj të hetojnë më vonë. Kur të vijë koha, por thjeshtë të bëhet si akt, verifikimi i këtyre pasurive në terren. Ngjall besim tek qytetarët se dhe mund të “çahet Blloku”.

Vetëm se SPAK duhet të nxitojë, pasi janë shpeshtuar vizitat në Hungari, dhe nuk është çudi që të akuzuarit për korrupsion dhe abuzim me paratë e shtetit të kërkojnë dhe të gjejnë strehim politik në këtë vend anëtar të BE, që nuk e refuzon azilin politik. Gruevski e bëri vite më parë!

Sinjali që dha drejtësia e re me dënimin e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla e konfiskimit tashmë të një pjesë të pasurisë së tij, prej afër 1 milionë euro na mbush më shpresë se është hapur vetëm sipari i dhënies fund të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë.

E themi këtë sepse Adriatik Llalla është zyrtari i parë i shpallur dhe “non grata” nga SHBA. Ajo që vlen të pyesim është se kush e ka radhën pas Llallës për t’u përballur me drejtësinë e re?

Pasi janë shumë politikanë e gjyqtarë e prokurorë të shpallur “non grata” apo që ju janë revokuar vizat nga SHBA, për korrupsion të lartë shtetëror dhe lidhje me krimin.

Aleatët tanë të mëdhenj dhe qytetarët shqiptarë, ashtu sikurse kanë dhënë mbështetjen e shprehur besimin, kanë pritshmëri të lartë për punën e drejtësisë së re. Presin “goditje” të mëdha, për të justifikuar këtë mbështetje dhe besim.

Le të fillohet me këto gjëra të “vogla” si pasuria, për të arritur tek dosjet e mëdha të vjedhjes së parave publike, krimit shtetëror, vrasjeve politike, apo “blloqeve” të famshme. Madje këto të “voglat” kanë pjellë dosjet e mëdha! Jemi në pritje, thjeshtë duhet vullnet nga drejtësia e re!

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?