Plani ambicioz i investimeve nuk u realizua në vitin 2024. Institucionet nuk arritën të shpenzonin afro 372 milionë euro fonde që i kishin në dispozicion për projekte të ndryshme. Sipas shifrave nga Ministria e Financave, në total për vitin 2024 janë shpenzuar 734.1 miliardë lekë, ose 37.2 miliardë lekë (372 mln euro) më pak se pritshmëritë.
“Mos realizimi i shpenzimeve publike nga institucionet lidhet me disa faktorë, që lidhen si me planifikimin e keq ashtu edhe me ndikimin që kanë grupe të caktuara”, shprehet eksperti i ekonomisë Zef Preçi.
Qeveria kishte planifikuar në buxhetin e vitit 2024, më shumë se 128 miliardë lekë investime publike, përfshirë edhe rindërtimin, por në fakt u realizuan vetëm 115 miliardë lekë investime.
Eksperti thotë se përveç keq-planifikimit, administrata është e ‘frikësuar’ nga hetimet e SPAK, dhe po ndërgjegjësohet duke u treguar e kujdesshme kur hedh firmën në projektet që hartohen apo në procedurat tenderuese.
“Një faktor në rritje vitet e fundit është edhe frika nga ndëshkimi. Është pozitive që administrata po ndërgjegjësohet që të firmosësh në shkelje të ligjit që të pasurohet dikush tjetër që lobon për projekte të caktuara, është në dëmin e atij që firmos dhe kjo duhet të shikohet me pozitivitet. Por frika nga hetimet e SPAK duhet të kapërcehet se nuk i shërben mirëmenaxhimit të financave publike”, shprehet Preçi.
Ecuria e dobët e investimeve përgjatë periudhës janar-nëntor 2024, u pasua nga një hov pagesash për investime, shërbime të papaguara, për paga, sigurime apo vendimesh gjyqësore në muajin dhjetor e janar. Gjatë kësaj periudhe ministritë harxhuan mbi 158.8 miliardë lekë pasi deri në fund të 11 mujorit ishin shpenzuar në total 575.3 miliardë lekë.
“Shqipëria vijon të përballet me shtyrjen për në momentin e fundit të një pjese të mirë të investimeve publike, që nënkupton prokurime në emergjencë, likuidim faturash për projekte të papërfunduara”, thotë Preçi
Ministria e Financave thotë se shpenzimet patën ecuri të ngadaltë vjet për shkak të vonesave në procedurat tenderuese, vonesave në realizimin e projekteve si dhe në marrjen e fondeve të huaja.
Raportet zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se realizimin më të ulët të investimeve e ka Ministria e Ekonomisë, ndjekur nga ministria e Brendshme, ministria e Mbrojtjes, e Arsimit, e Bujqësisë, dhe e Infrastrukturës, ndërsa performancën më të mirë e ka pasur Ministria e Shëndetësisë.
Raportet zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se realizimin më të ulët të investimeve e ka Ministria e Ekonomisë, ndërsa më të mirë ajo e shëndetësisë.
Sa i takon shpenzimeve kapitale të Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit për periudhën janar-gusht ato kanë qenë në nivel të ulët si rezultat i vonesave me procedurat tenderuese, por edhe ecurisë së ngadaltë të projekteve ekzistuese. MEKI ka shpenzuar vetëm 13% të fondeve për shpenzime kapitale, ose 597.5 milionë lekë, nga 4.7 miliardë lekë që ka në dispozicion.
Shpenzimet për investime nga Ministria e Brendshme janë realizuar vetëm me 13% me realizimin të ulët përgjatë periudhës 8 mujore të vitit 2024, paraqiten programet “Shërbimi i Gjendjes Civile”, “Policia e Shtetit” dhe “Garda e Republikës”.
Shpenzimet kapitale të Ministrisë së Mbrojtjes, janë realizuar me 16% ky nën trendin normal të periudhës. Mbështetje për Shëndetësinë, Emergjencat Civile dhe Arsimimi Ushtarak kanë nivelin më të ulët të realizimit të shpenzimeve nga 1-5%.
Kurse Ministria e Arsimit ka shpenzuar 30.6% të fondeve për investime, ku situata më problematike është tek zhvillimi i sportit me vetëm 3.1% shpenzime.
Ministria e Bujqësisë gjatë 8 muajve ka raportuar se ka shpenzuar vetëm 34% të fondeve. Më problematike është situata me shpenzimet për menaxhimin e qëndrueshëm i tokës bujqësore me vetëm 13% shpenzime.
Shpenzimet për investime të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë janë realizuar me 39% në raport me planin vjetor. Kjo ministri ka 0% shpenzime për programin e komunikacionit, 19% për menaxhimin e mbetjeve urbane, 22% planifikimi urban, 23%transporti hekurudhor. Ndërsa realizimin më të mirë e ka tek programi i transportit rrugor me 53%.
Tek Ministria e Shëndetësisë për 8 mujorin e vitit 2024, shpenzimet janë realizuar në rreth 47% ky nivel realizimi lidhet kryesisht me procedurat e prokurimit, të cilat për disa prej projekteve të investimeve janë ende në proces. 0% investime janë bërë për përkujdesjen sociale, ndërsa më shumë shpenzime janë tek shërbimi i Kujdesit Shëndetësor Parësor janë vetëm 52%.
Nuk ka fare cudi ketu. Por nje manover hajduti. Mos realizimiet u ngarkohen disa organeve nderkohe te tjerat bejne kerdine me ato para.
Përgjigju