Kronikë

Zbardhet përplasja me armë në Bushat në gusht të 2024, arrest në burg për Samuel Troshanin dhe Izmir Sakicën! SPAK: Shkuan për të vrarë Prendin e familjarët e tij

19 Shkurt, 14:07| Përditesimi: 19 Shkurt, 15:54

  • Share

TIRANE- Prokuroria e Posaçme jep informacion zyrtar lidhur me operacionin e djeshëm të forcave RENEA në Shkodër. Operacioni u zhvillua në kuadër të hetimeve për përplasjen me armë të ndodhur në Rranxë të Bushatit më 23 Gusht 2024, ku u godit me armë autmojeti i blinduar “Audi A8”, me të cilin udhëtonin Samuel Troshani dhe Izmir Sakica.

Të paktën 3 anëtarë të identifikuar të grupit Bajri në Shkodër, verën e vitit të kaluar, kishin organizuar gjithçka, për të realizuar ndoshta një nga ngjarjet më të rëndë kriminale: Të vrisnin disa familjarë duke i shkuar befasisht në fshatin ku banojnë. 

Samuel Troshani, Izmir Sakica dhe Franko Leka, bashkë me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar nga SPAK, por të konsideruar të gjithë, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, u armatosën deri në dhëmbë, me armë dhe makina të blinduara, për të vrarë një nga rivalët e tyre, Aleksandër Prendin. Grupi i shkoi në fshatin ku ai banon, Rranxë të Bushatit, pasditen vonë të 23 gushtit 2024, për ta vrarë jo vetëm atë, por të edhe anëtarë të tjerë të familjes, banues në të njëjtën zonë. 

Aleksandër Prendi i druhej një ngjarje kriminale ndaj tij. Sapo ka parë automjetet e dyshimta, ka qëlluar me armë ndaj tyre, duke i larguar pa e realizuar vrasjen. Për këto të shtëna që arma e tij nxorri, SPAK e ka shpallur në kërkim për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. 

Dy nga personat që SPAK i gjen pas planit për të vrarë Prendin,  Samuel Troshani, Izmir Sakica, ndodhen në qeli, pasi u vetëdorëzuan në Policinë e Shkodrës më 22 janar 2025 për rrahjen e një qytetari në Shkodër. Ndërsa  më 18 shkurt 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim Izmir Sakica dhe Samuel Troshani dhe janë shpallur në kërkim personat nën hetim Franko Leka dhe Aleksandër Prendi. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale si grup i strukturuar kriminal.

"Nga hetimet e zhvilluara rezulton se më 23 gusht 2024, rreth orës 17.00 të pasdites personat nën hetim Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.

"Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e personit nën hetim Aleksandër Prendi dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë. Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga personi nën hetim Aleksandër Prendi" informoi sot SPAK.

I dyshuari i tretë  Franko Leka  nuk u gjet, edhe pse RENEA zbarkoi në Shkodër në një operacion të shtrirë në pika kyçe që dyshohet se mund të shërbenin si baza për fshehjen e personave të kërkuar ose si vende, ku mund të gjenden prova për hetimet e SPAK. 

Një “Audi A8” i blinduar që mori shenja plumbash, grupi kriminal e la në vendngjarje, dhe polciia zbuloi se ishte e paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja, të cilat nuk i përkojnë të njëjtit mjet.

Gjithashtu po dje me vendim të GJKKO-së është ushtruar kontroll në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës, të cilat dyshohen se përdoren si baza për strehimin e personave nën hetim ose si vende, ku mund të gjenden prova për vepra penale, të cilat po hetohen nga Prokuroria e Posaçme.

Kontrolle u ushtruan në zonën e Dobraçit dhe Livadheve, ku SPAK kishte dyshime se mund të gjenin edhe të dyshuar për masakrën e tetorit të vitit të kaluar më 4 të vrarë në Dobraç.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve për procedimin penal me nr.220 të vitit 2024, ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues. Më datë, 16.02.2025, përmes vendimit nr.11, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 11, të datës 16.02.2025 ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe F.L., të dyshuar për kryerjen e veprave penale, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje“, kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake“, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80- 28/4, 278/1, 333/a dhe 334/1, të Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg“, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim A. Prendi, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje“, e mbetur në tentative dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake“, parashikuar nga nenet 76-22 dhe 278/1 të Kodit Penal.

Nga hetimet e zhvilluara rezulton se më 23.08.2024, rreth orës 17.00 të pasdites personat nën hetim Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe F.L., bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.

Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e personit nën hetim A. Prendi dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë.

Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga personi nën hetim A. Prendi.

 Nga provat e siguruara në vendin e ngjarjes rezulton të ketë pasur shkëmbim zjarri, jo dëmtime të shëndetit të personave të përfshirë, por vetëm të mjeteve. Njëri nga mjetet me të cilën kanë lëvizur personat nën hetim, është dëmtuar si pasojë e të shtënave në vendin e ngjarjes. Ai ka rezultuar i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja, të cilat nuk i përkojnë po të njëjtit mjet.

Më 18 shkurt 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim Izmir Sakica dhe Samuel Troshani dhe janë shpallur në kërkim personat nën hetim F.L. dhe A. Prendi

Gjithashtu, në po të njëjtën datë, në zbatim të vendimit nr. 123, të datës 17.02.2025, të Gjykatës së Posaçme është ushtruar kontroll në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës, të cilat dyshohen se përdoren si baza për strehimin e personave nën hetim ose si vende, ku mund të gjenden prova për vepra penale, të cilat po hetohen nga Prokuroria e Posaçme.

Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për bashkëpunimin në kryerjen e kontrolleve dhe ekzekutimin e masave të sigurisë.

S.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?