TIRANE- Shtatë grupe të strukturuara kriminale me fuqi të jashtëzakonshme në disa prej qyteteve më të mëdha të vendit, grupe që vetë Prokuroria e Posaçme kujdeset të evidentojë se kishin karakteristikë dhunën e egër të treguar në kryerjen e krimeve dhe që u zbuluan falë dekriptimit të bisedave në Sky ECC ishin të ndara në kampe lufte me njëri-tjetrin.
Nga hetimet e kryera SPAK ka zbuluar 2 aleanca të fuqishme që kanë vënë përballë 4 grupe kriminale kundër dy të tjerave. Në qendër të kësaj lufte ishte emri më i rëndësishëm prej të gjithëve Ervis Martinaj.
Martinaj do vriste Durim Bamin
Grupi kriminal i Martinajt ishte në aleancë të ngushtë me grupin e Lezhës, atë të drejtuar nga ish deputeti i PS-së Arben Ndoka. Martinaj dhe Ndoka, me qëllim luftën ndaj armiqve të tyre, grupin e Durim Bamit me Dukat dhe grupin Hyseni në Vlorë, si përforcim, kishin kontaktuar për realizimin e krimeve një grup tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit, të drejtuar nga Emiljano Shullazi dhe Astrit Avdulaj. Shullazi dhe Avdulaj, edhe pse në burg, ndihmonin Martinajn dhe Ndokën.
Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi Ervis Martinaj, i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale Ervis Martinaj, kontakton shtetasin Viktor Imeri, i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit Fatmir Hyseni. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit Emiljani Shullazi dhe A.Avdylaj, të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e Durim Bami, etj.
Emiljano Shullazi kontakton me të hetuarin T. B., të cilit i kërkon vrasjen e Durim Bami. Po kështu Emiljano Shullazi, siguron informacione për lëvizjet e Durim Bami. Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit Arben Ndoka.', thuhet në njoftimin e SPAK.
Ish bosi i lojërave të fatit Ervis Martinaj, tashmë i zhdukur që prej verës 2022, kontaktoi me Viktor Imerin, i cili sapo kishte përfunduar burgun dhe i kërkon vrasjen e Fatmir Hysenit. Nga ana tjetër Shullazi kontakton me një person me iniciale T.B të cilit i kërkon vrasjen e Durim Bamit, për të cilin kishte siguruar informacione dhe ia kishte vënë në dispozicion edhe ish deputetit Ndoka në Lezhë.
Durim Bami me Dukajt do te vriste Martinajn dhe Ndoken
Grupi i Durim Bamit evidenton SPAK spikat në zonën e Fushë Krujës dhe ka qenë në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka. Për t’i bërë ballë kësaj lufte me këto dy grupe kriminale Bami bën aleancë me armiqtë e betuar të Ervis Martinajt, Leonard Dukën dhe Fatmir Hysenin. Qëllimi kryesor i kësaj aleance ishte eliminimi i Ervis Martinajt dhe Arben Ndokës.
'Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami, i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka. Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami, bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit Ervis Martinaj, dhe që drejtohet nga shtetasit Leoanard Duka dhe Fatmir Hyseni, persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinajt dhe Arben Ndokës dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.', thuhet në njoftimin e SPAK.
Perplasja Martinaj-Duka
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022, kur u bë denoncimi në polici prej xhaxhait të tij për humbjen e kontakteve. Ervis Martinaj gjithashtu është në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani i cili ka thënë se Martinaj e kishte paguar për të vrarë Indrit Doklen.
Kreu i klanit “Duka”, Leonardi dhe Martinaj më parë kishin qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit, më pas patën përplasje të ashpra pikërisht dhe u përfshinë në një konflikt pikërisht prej këtij aktiviteti disa milionësh. Pas prishjes së ortakërisë mes tyre, Martinaj mori peng dhe keqtrajtoi babanë e Dukës.
Pas kësaj, ishte radha e Dukës që të merrte hak ndaj Martinajt, fillimisht duke dashur ta eliminojë atë fizikisht, por pasi dështoi, i ekzekutoi krahun e tij të djathtë, Santiago Malkon. Përveç krahut të tij të djathtë, Martinajt i është ekzekutuar Fabjol Gaxha në përplasjen e bllokut si dhe kushëriri i tij Brilant Martinaj në korrikun e vitit 2022. Ndërkohë Leonard Duka është arrestuar në Belgjikë, falë Interpol dhe pritet ekstradimi i tij në Shqipëri. Sa për Martinaj, ende nuk dihet se cili është fati i tij.
Grupi i Edison Recit
Gjithashtu SPAK ka evidentuar edhe ekzistencën e grupit tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi Edison Reçi, i fisit të famshëm të Reçëve në Rrëshen, nipi i Kastriot Reçit. Me qëllim hakmarrjen Reçi ka organizuar vrasjen e Preng Gjinit më 15 shtator 2020, atentat që dështoi por Gjini mbeti i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit me eksploziv të automjetit me të cilin udhëtonte.
Lajmi kryesor:
Megaoperacioni i SPAK/ Goditen 7 grupe kriminale! 50 urdhërarreste, 14 të ekzekutuara në Shqipëri, 6 jashtë! Sekuestrohen 4.5 mln prona, mes tyre gati 3 mln euro cash
G.K//ReportTv.al