Në një reagim në Facebook, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagon pasi SPAK zbuloi një tjetër rast të dyshuar korrupsioni. Burimet thonë se bëhet fjalë për një kartë bankare që Meta dhe Kryemadhi e kanë përdorur për shpenzime, e cila iu është dhënë nga biznesmeni Ardian Shatku, kushëri i Monika Kryemadhit.
Por edhe Meta e mohon, duke thënë se ai nuk ka kryer asnjë akt të paligjshëm as në Shqipëri, SHBA apo vend tjetër. Kreu i PL thotë se mban përgjegjësi vetëm për veten dhe për askënd tjetër. Me ironi, Meta shkruan se Dumani kërkon ta mbajë çift me Monikën me “zor”, pasi edhe kur iu komunikuan akuzat si i pandehur, statusin e kishte ende i martuar.
Reagimi i plotë i Ilir Metës
Në respekt të qytetarëve, të cilëve u kam shërbyer edhe si President i Republikës, edhe si Kryeministër edhe si Kryetar i Kuvendit, edhe në funksione të tjera ekzekutive dhe parlamentare, distancohem me neveri nga dizinformacionet e shpërndara dhe të rrjedhura në media me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Dumanit, për gjoja episode të reja të çiftit Meta-Kryemadhi.
Unë e mirëkuptoj pasionin e tyre për të mbajtur me pahir në opinion një çift, që nuk ekziston më as juridikisht prej një viti.
Madje pasioni i Altin Dumanit është “kaq i zjarrtë” për të mbajtur gjallë këtë çift në publik dhe në shërbim të hetimeve të tij prej 6 vitesh me urdhër të Charles McGonigalit dhe Edi Ramës, që nga dhjetori 2019, aq sa edhe në akuzën si i pandehur që m’u komunikua më 27 maj, statusin tim e kishin ende i martuar, kur ndërkohë që ky status nuk ekziston juridikisht prej 1 viti.
Akoma më të turpshme janë lajmet që qenka zbuluar një kartë e paligjshme që implikon Ilir Metën.
Asnjë akt i paligjshëm as nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Republikën e Shqipërisë, as në SHBA dhe as në një vend tjetër.
Opinioni publik do ta shohë këtë gjatë gjykimit në themel, që nuk mund të jetë i mbyllur si “listat e mbyllura,” por do të jetë i hapur për qytetarët, ku ne do të çmontojmë akuzat e shërbëtorëve të Edi Ramës dhe ku të gjithë do t’i shohin edhe “dëshmitarët” të Edi Ramës.
Ilir Meta mban përgjegjësi vetëm për Ilir Metën dhe për askënd tjetër. Ilir Meta nuk mban përgjegjësi as për fëmijët e tij, që i ka në moshë madhore dhe i ka këshilluar që gjithmonë të jenë shembull i respektimit të ligjit dhe aq më tepër nuk mund të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë e tij, pasi siç e dini një prej tyre ishte edhe mik me Charles McGonigalin, iniciatorin me kërkesë të Edi Ramës për nisjen e hetimeve ndaj Ilir Metës edhe për çështjen CEZ-DIA edhe për çështjen Bami.
Por prokurorët e Ramës i kërkojnë Ilir Metës të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë, shokët dhe shoqet e të tjerëve.
Meqë jemi te lobimet dhe Kryesia e Partisë së Lirisë e ka shumë të qartë, për opinionin publik kam një pyetje: Po letërporosia për Charles McGongial, që ka 4 vite i dënuar, është dërguar apo po vonon ngaqë e kanë nisur “me not”?
E falenderoj me mirënjohje, avokatin tim, Z. Kujtim Cakrani për mbrojtjen e shkëlqyer dhe parimore!
Lajmi kryesor:
Meta kërkon lirinë/ SPAK prova të reja, zbulon shpenzime me kartë të re krediti! Kreu i PL: Përgjegjësi e Monikës! Shtyhet seanca në GJKKO
SI.E./ReportTv.al