Kronikë

SPAK zgjat me 3 muaj hetimet për Ilir Metën, avokati: Prokurori politike, do e çojmë deri në Strasburg, po mbahet tej afateve në burg

9 Qershor, 15:28| Përditesimi: 9 Qershor, 16:04

  • Share

Prokuroria e Posaçme zgjat me 3 muaj hetimet për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar prej 21 tetorit 2024.

Ish-presidenti akuzohet për lobimi në SHBA për partinë ish-LSI dhe dosjën CEZ-DIA. Më 27 maj, Metës iu komunikuan akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë

Lajmin e konfirmoi sot (9 qershor) avokati mbrojtës, Kujtim Cakrani, i cili dha edhe një deklaratë për mediat, duke u shprehur se do e ankimojnë vendimin e Prokurorisë dhe do e kundërshtojnë si të paligjshëm. Afatet përfundonin ditën e nesërme (10 qershor) dhe me shtyrjen e re shkojnë deri në muajin shtator.

Ai vuri theksin tek mbajtja e paligjshme në paraburgim e Metës, edhe pas më shumë se 7 muaj nga arrestimi dhe komunikimi tashmë i akuzës, duke u shprehur i befasuar nga vendimi më i fundit i organit të akuzës.

Sipas Cakranit, SPAK shprehet se po pret informacione dhe prova, një prej tyre një ekspertim për ish-vjerrën e Metës, teksa e cilësoi inkuizicion dhe prokurori politike.

“Thonë se nuk janë mbledhur provat për të dhe e mbajnë në burg Presidentin e Republikës. Nuk janë mbledhur prova, nuk ka asnjë fakt pse mbahet dhe është absurde që presidenti qëndron në paraburgim. Presidentit i është komunikuar akuza, afati mbaron nesër, teksa SPAK e ka shtyrë me 6 muaj, erdha dhe më dhanë vendimin sot. Problemi qëndron pse mbahet presidenti ende në paraburgim, ai nuk është kundër hetimit dhe procesit, por pse mbahet? Ju e dini pse mbahet, çështja është politike, edhe mënyra se si u arrestua ishte politike, sikurse edhe kryetari i Bashkisë së Stambollit. Presidenti Meta është rrëmbyer dhe SPAK-u është kthyer në një Prokurori politike. Hetimet kanë nisur 6 vitet më parë. Çështja hetohet nga Tirana dhe jo SPAK, por SPAK po të donte kishte hetuar policët që rrëmbyen presidenti. Inkuizicioni që po bëhet ndaj Metës është i paprecedentë në botë. Është e pamoralshme dhe joligjore ta mbash ende në paraburgim”, tha Cakrani.

Avokati pretendoi më tej se SPAK i ka tejkaluar të gjitha afatet, duke shpjeguar edhe argumentet që i ka dhënë organi i akuzës për zgjatjen.

“SPAK ka tejkaluar afatet e mbledhjes së provave. Ai ka mbi 7 muaj në paraburgim, prokuroria ka detyrim ligjor që çdo dy muaj të bënte referimin për hetimet. Ne do i pasqyrojmë edhe më vonë, do e vijojmë betejën deri në Strasburg. Po përgatiten edhe materialet për Gjykatën Kushtetuese. Tani SPAK na thotë se nuk ka mbaruar akoma mbledhjen e provës, kjo është kërkesë e SPAK për zgjatjen e hetimeve. Ajo dihet se kur i zgjat herimet i kanë me 6 muaj, mund ta çojnë edhe 5 apo 4 muaj. Thonë se po presin provat, presin një akt ekspertimi për ish-vjehrrën e tij, se ça lidhje ka Meta me ish-vjehrrën. Ne nuk jemi kundër hetimit, të hetojë gjithë ditën SPAK. Por kjo është kërkesa, tani jemi njohur me këtë vendim. Padyshim që do e kundërshtojmë”, tha ai.

Cakrani u shpreh se afatet janë zgjatur me 6 muaj, ndërkohë burime nga SPAK thanë se bëhet fjalë për një zgjatje me 3 muaj. Por Cakrani e cilësoi si një përndjekje politike e numrit dy të opozitës.

“Nuk e di me çfarë detyrimesh e ligjesh punon SPAK për këtë inkuizicion, as Aranit Çela nuk ka arritur në këtë situatë. Ai është numri dy i opozitës, pas zotit Berisha. Pas 6 vitesh hetimesh tani kërkojnë përsëri zgjatjen e hetimit. Kjo çështje do shkojë deri në Gjykatën Evropiane, ne jetojmë në një vend autokrat, në autokraci. Këto janë mjetet ligjore”, përfundoi avokati.

Shtatë muaj pas arrestimit, Ilir Meta më 27 maj është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Kreut të PL i janë komunikuar akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Me të njëjtat akuza Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka marrë të pandehur edhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Akuzat i janë komunikuar nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, prokurorët e dosjes e cila përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Akuzohet pritet t’i komunikohen në vijim edhe të akuzuarve të tjerë, Ema Çoku e Piro Xhixho.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?