Krimet e Renda

SPAK-u fokus te bosët e krimit dhe politikës! Krimet në familje, droga dhe gjobëvëniet kalojnë te rrethet

23 Nëntor 2019, 12:41| Përditesimi: 23 Nëntor 2019, 12:44

  • Share

Me emërimin e 8 prokurorëve të rinj nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e strukturës së re të hetimit SPAK, ditën e hënë automatikisht merr dhe fund epoka e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.  Për një periudhë 15 vjeçare kjo prokurori por edhe gjykata e Krimeve të Rënda, solli teknika të reja hetimore që për kohën kur u hap ishin të panjohura në Shqipëri dhe që përdoreshin shumë rrallë.

Fiks në dhjetor të 2004 Krimet e Rënda me një trupë gjyqtarësh dhe prokurorësh të kaluar në skaner nga shumë organizma dhe dekretuar nga presidenti I kohës Alfred Moisiu, nisën ecurinë e hetimit proaktiv për shumë dosje penale. Drejtuesi i parë i kësaj prokurorie, Adnand Kosova dhe shefi i hetimit të Krimeve të Rënda Kostaq Beluri, krijuan një frymë grupi, ku për çështje shumë të rëndësishme caktonin tre ose katër prokurorë që të përfaqësonin hetimin në gjykatë dhe të ndiqnin në dinamikë veprimtarinë kriminale të personave të ndryshëm.

Puna hetimore filloi të marrë formë dhe për një kohë shumë të shkurtër filloi “shkundja” e disa prej grupeve me të fuqishme të kohës, që në atë periudhë ishte utopi për ti shoqëruar dhe jo më arrestuar. Grupi i Aldo Bares, ai i Lulzim Berishës, Gaxhait dhe Zanit në Vlorë, arrestimi i Nard Kokës për kontrabandë cigaresh,shoqërimi i Gazidedes së SHIK-ut,arrestimi i bandës së Cërrikut dhe Qafë Gjashtës, e zbardhja shumë ngjarjeve të vjetra kriminale të vitit 1997 nëpërmjet të penduarve, ngritën nivelin e hetimeve në Shqipëri dhe ata që konsideroheshin si të paprekshmit, u futën burgjeve.

Njëherësh u goditën dhjetëra grupe kriminale që trafikonin lëndë narkotike hashash, heroinë dhe kokainë ku sot e kësaj dite disa prej anëtarëve të këtyre grupeve vijojnë të vuajnë dënimin. Nga ana tjetër disa kanë dalë dhe tashmë në këtë kohë të paqartë për shkak të situatës politike dhe reformës në drejtësi, kanë filluar të marrin teren, duke vepruar në forma më të sofistikuara dhe agresive se 15 vite më parë. Pikërisht pas 15 viteve, Krimet e Rënda mbyllin ciklin hetimor duke ja lënë vendin një trukture tjetër hetimore që quhet SPAK. Puna e kësaj prokurorie për një periudhë 8 vjeçare trumbetohej në nivelet më të larta të Komisionit Europian dhe të qeverisë “Berisha”.

Ishte pikërisht lufta kundër krimit të organizuar dhe goditja e bandave të vitit 1997 dhe individëve të caktuar kriminalë, që solli marrjen e statusit të asocim stabilizimin dhe futjen e Shqipërisë në organizatën euro-atlantike NATO. Sot Shqipëria ka nevojë për një strukturë të re, më të ashpër dhe agresive ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mënyrë që ti jap një dimesion të ri qasjes me funksionimin e ligjit, ku synohet që bosat e krimit dhe bosat e politikës së korruptuar të arrestohen dhe dalin para gjykatës.

Momentalisht në strukturën e re SPAK, janë emëruar 8 prokurorë, ku pesë prej tyre janë pjesë e Krimeve të Rënda. Altin Dumani, Behar Dibra,Edvin Kondili, Ened Nakuçi dhe Klodian Braho, janë emrat që shërbejnë ende dhe sot tek Krimet e Rënda dhe që do vijojnë të jenë pjesë e SPAK, që pritet të fillojë punën në dhjetor të 2019. Ndërkohë emrat e rinj që vijnë në këtë strukturë, janë Enkelejda Millonai, Elida Celami dhe Arben Kraja.

Kjo strukturë do të ketë ndihmën e një strukture tjetër hetimore që është Byroja Kombëtare e Hetimit. Ende pezull vijojnë të mbeten katër emra prokurorësh të njohur që kanë shfaqur kandidaturën për SPAK, si Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Doloreza Musabelliu dhe Aita Jella,të cilët ende nuk kanë dalë para vettingut. Tashmë kur në dhjetor 2019 do zyrtarizohet dhe ngritja e prokurorisë së posaçme SPAK, të gjitha dosjet e prokurorëve aktualë tek Krimet e Rënda janë dorëzuar dhe inventarizuar.

Një pjesë e këtyre dosjeve do vijojë të hetohet nga SPAK, ndërsa pjesa tjetër si dosjet që kanë të bëjnë me vrasjet në familje, trafikimi i narkotikëve, gjobëvëniet do i kalojnë për hetime të mëtejshme prokurorive të rretheve. Dosjet penale që do vijojnë të hetohet nga 8 prokurorët e rinj të SPAK, do hidhen në short dhe më pas do ndahen sipas shortimit. Ndërkohë prokurorët aktualë që ndodhen tek krimet e Rënda, do të emërohen nga KLP në prokuroritë e rretheve, aty ku disponohen vende vakante.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?