STUTTGART - Spanja mposhti 5-4 Francën në një gjysmëfinale dramatike në Ligën e Kombeve dhe gjen në finalen e së dielës Portugalinë, për duelin që është i gjithi iberik.
Ndeshja nisi me një ritëm të kujdesshëm nga të dyja skuadrat, të vetëdijshme për forcat dhe cilësitë që posedonin. Ishte Spanja ajo që hapi vrullshëm takimin dhe vendosi diktatin që në pjesën e parë.
Në minutën e 22-të Williams realizoi pas një asistimi të shkëlqyer nga Mikel Oyarzabal, duke mposhtur portierin Maignan për rezultatin 1-0. Vetëm tre minuta më pas, Oyarzabal asistoi sërish, këtë herë për Mikel Merinon, i cili dyfishoi shifrat në 2-0.
Franca pati raste të mira për të kthyer ndeshjen, por Kylian Mbappe, Desire Doue dhe Adrien Rabiot nuk arritën të konkretizonin.
Pjesa e dytë ishte edhe më spektakolare, me plot gjashtë gola të shënuar. Lamine Yamal shënoi nga penalltia në minutën e 54-t për 3-0, ndërsa një minutë më vonë, Pedri realizoi për 4-0 pas një asistimi të bukur nga Nico Williams.
Kur gjithçka dukej e mbyllur, Mbappe ringjalli shpresat me një penallti të kthyer në gol në minutën e 59-të për 4-1. Ndryshimi i madh në lojën e Francës erdhi me hyrjen e Rayan Cherki.
Yamal shënoi golin e tij të dytë personal në minutën e 67-të për 5-1, por Cherki reagoi menjëherë duke realizuar për 5-2 në të 79-ën. Pesë minuta më vonë, një pasim i tij perfekt gjeti Malo Gusto, gjuajtja e të cilit detyroi Dani Vivianin të shënonte në portën e vet për 5-3.
Në minutën e katërt shtesë, Cherki asistoi sërish, këtë herë për Randal Kolo Muanin, i cili e dërgoi rezultatin në 5-4, duke krijuar tension të madh në sekondat e fundit.
Pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm të Francës, Spanja arriti ta ruajë epërsinë dhe të sigurojë një biletë për në finalen e madhe të së dielës, ku do të përballet me Portugalinë për trofeun e Ligës së Kombeve.
Komente
