Zyrtarë spanjollë dhe të huaj, me maska të zeza në fytyrë, nderuan viktimat e pandemisë së koronavirusit dhe punëtorët shëndetësorë.
Ceremonia e së enjtes në Madrid u udhëhoq nga Mbreti Felipe VI dhe Mbretëresha Letizia.
Rreth 400 të ftuar jashtë Pallatit Mbretëror, përfshirë të afërm të disa viktimave, vendosën trëndafila të bardhë në një piedestal të zi.
“Ju nuk jeni vetëm në dhimbjen tuaj, është dhimbje e jona e përbashkët, është pikëllim që sot shprehet nga të gjithë spanjollët”, tha Felipe, duke iu drejtuar të afërmve të viktimave.
Spanja është një ndër vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi.
Mbi 257,000 njerëz janë infektuar atje dhe mbi 28,400 kanë humbur jetën.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së dhe shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, gjithashtu morën pjesë në ngjarjen në Madrid.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i rasteve pozitive me koronavirus në gjithë botën ka arritur në mbi 13.5 milionë.
Prej tyre, mbi 584,000 vetë kanë vdekur dhe mbi 7.5 milionë janë shëruar.