Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez njoftoi të hënën nëntë masa të reja që synojnë ndalimin e "gjenocidit në Gaza". Për herë të parë, Sanchez përdori hapur fjalën "gjenocid" për të përshkruar ofensivën ushtarake në enklavën palestineze, diçka që qeveria spanjolle e kishte shmangur.
Në një fjalim televiziv, udhëheqësi i Spanjës hodhi akuza ndaj Izraelit, duke thënë se ajo që po bën nuk është mbrojtja e vetvetes, por shfarosja e një popullsie të pambrojtur. Ai tha se, megjithëse Spanja de facto ka zbatuar një ndalim eksporti të armëve në Izrael që nga viti 2023, qeveria tani do të miratojë urgjentisht një ndalim “të përhershëm”.
Madridi do të ndalojë gjithashtu anijet që transportojnë karburant për forcat izraelite të përdorin portet spanjolle. Avionët që transportojnë materiale mbrojtëse do të ndalohen të hyjnë në hapësirën ajrore spanjolle. Sanchez shtoi gjithashtu se njerëzit “të përfshirë drejtpërdrejt në gjenocid, shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime lufte në Gaza” do të ndalohen të hyjnë në territorin spanjoll.
“Ne e dimë që këto masa nuk do të jenë të mjaftueshme për t'i dhënë fund krimeve të luftës, por shpresojmë që ato të shërbejnë për të ushtruar presion mbi kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe për të lehtësuar vuajtjet e popullit palestinez. Spanja e vetme nuk mund të ndalë luftën, por kjo nuk do të thotë që ne nuk mund të përpiqemi”, u shpreh kryeministri spanjoll.
Masa të tjera përfshijnë ndalimin e importeve nga vendbanimet e paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor dhe Gazën e pushtuar, kufizimin në minimum të shërbimeve konsullore spanjolle vetëm për qytetarët spanjollë që jetojnë në territoret e pushtuara dhe rritjen e pranisë së Spanjës në Rafah me trupa shtesë dhe projekte të reja të përbashkëta me Autoritetin Palestinez për të siguruar ushqim dhe ilaçe.
Spanja do të rrisë gjithashtu kontributin e saj në agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRËA) me 10 milionë euro dhe do të zotohet për 150 milionë euro ndihmë shtesë humanitare për Gazën në vitin 2026.
Pas njoftimit të kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez për një sërë masash "për të ndaluar gjenocidin në Gaza", Izraeli u përgjigj duke u ndaluar hyrjen në vend zëvendëskryeministres dhe ministres së Punës Yolanda Diaz dhe ministres së Rinisë Sira Rego, të dyja nga partia e krahut të majtë Sumar.
Komente

Te gjitha shtetet te marin shembull nga Spanja.mjaft bllabllablla.duke pershir dhe Trampin qe perdrillet me lojra fjalesh
Përgjigju