Ndërsa numri i të prekurve me koronavirus po shënon rritje në të gjithë Europën, Spanja vazhdon të jetë një nga vendet veçanërisht të goditura. Vendosja e maskave vazhdon të mbetet e detyrueshme, baret dhe restorantet funksionojnë me vetëm 50 për qind të kapacitetit të tyre dhe grumbullimet e më shumë se 10 personave janë të ndaluara.
“Vazhdojmë të jemi në gatishmëri. Situata nuk është e mirë, veçanërisht në disa rajone dhe ndaj duhet t'i japim fund", tha Pedro Sanchez, Kryeministër i Spanjës.
Në ato zona ku virusi është më i përhapur po kryhen teste për COVID-19. Në disa pjesë të Barcelonës, banorëve të moshës nga 18 në 40 vjeç u është kërkuar të bëjnë testin, por për garanci po inkurajohen gjithashtu edhe persona të tjerë.
Spanja, sikurse Italia e Franca, u godit rëndë në muajin mars, por rishfaqja e virusit ka shkaktuar një situatë edhe më të rëndë. Disa fajësojnë për këtë zbatimin e dobët të rregullave të distancimit fizik.
Shkollat pritet të rihapen së shpejti dhe ekspertët kanë ofruar një farë garancie për siguri mes shqetësimit të familjeve mësuesve e nxënësve.
Spanja i mbylli shkollat në muajin mars, madje përpara se të anulonte aktivitetet sportive. Tashmë përparësi mbetet rikthimi i fëmijëve në shkollë edhe pse urdhri për ndalimin e grumbullimeve të mëdha vazhdon.