Luis de la Fuente e nisi rrugëtimin e tij si trajner i ri i Spanjës duke falenderuar të gjithë ata që e kanë rrethuar në këto vite në federatë. Trajneri zëvendësoi Luis Enrique në stolin e "Furisë së Kuqe" teksa prej vitesh ka qenë teknik te Spanja U-21 duke njohur më së miri ambientin. Në prezantimin para medieve, tekniku 61 vjeçar ka folur edhe për Busquets e Ramos si edhe për pritshmëritë.
“Kemi shkëmbyer mesazhe me Luis Enrique. Kam pasur një marrëdhënie të mirë me të. Po fillon një fazë e re. Kemi krijuar një ide, por asnjë futbollist nuk e ka të mbyllur derën. M’u desh një sekondë për të thënë po”, tha fillimisht trajneri i ri i Spanjës.
De la Fuente pranon se futbolli në Spanjë dhe kryesisht në kombëtare ka nevojë për ndryshime. “Ideja është e panegociueshme, por modeli duhet përshtatur. Duhet ta pasurojmë, të shtojmë nuanca. Futbolli po ndryshon vazhdimisht. Duhet të përmirësohemi dhe të jemi të hapur për gjithçka. Në Botëror kemi parë gjëra të mira dhe duhet të përshtatemi. Kam dhjetë vite në federatë, kam nuancat e mia të lojës. Kërkoj të jem më i mirë se rivali. Synoj ta dominoj lojën, preferoj futbollistët me aftësi individuale, që vrapojnë në hapësirë. Unë mbështes lojtarët me talent, por duhet të ndihmojë ekipin. Nuk më pëlqen të mbroj futbollistin, por të nxjerr potencialin e plotë prej tij. Ne do të përpiqemi të marrim më të mirën nga çdo futbollist. Kemi një fabrikë talentesh të pashtershme. Pablo Torre është një prej tyre. Ne kemi vënë bast për të", vijoi tajneri.
Tekniku foli edhe për të ardhmen e Busquets apo një rikthim të Ramos në kombëtare.
"Nuk do të hyj në debate për Ramos apo një lojtar tjetër. Busquets? Sigurisht që do të doja që ai të vazhdojë, ka ende shumë për t’i dhënë futbollit spanjoll. Nuk do të shikoj kartën e identitetit, por performancën e tij. Primare është puna, ecim ndeshje pas ndeshjeje. Kam besim absolut te futbolli spanjoll. Ka veteranë dhe të rinj që do të marrin pjesë në kombëtare. Ne mund të jemi kampionë për gjithçka dhe unë do të punoj për ta arritur këtë. Synimi është arritja e majës. Unë e di se si mendojnë futbollistët, nuk kam pasur probleme me ta. Kërkoj kohë për të treguar se çfarë duam të bëjmë. Dua afrimitet në ekip, le të ketë bashkim. Nuk dua 48 milionë trajnerë, por 48 milionë tifozë futbolli spanjollë. Dua të rikuperoj krenarinë e vitit 2010, të rikthej ndjesinë, krenarinë dhe nderin”, tha de la Fuente.