Ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Albares, këtë të enjte hodhi poshtë sugjerimin e ministrit të Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, që Spanja të pranojë palestinezët e zhvendosur nga Gaza.
"Toka e banorëve të Gazës është Gaza dhe Gaza duhet të jetë pjesë e shtetit të ardhshëm palestinez," tha Albares në një intervistë për radion spanjolle RNE.
Katz urdhëroi ushtrinë të enjten që të përgatisë një plan për të lejuar "largimin vullnetar" të banorëve nga Rripi i Gazës, raportuan mediat izraelite. Kjo vjen pas deklaratës tronditëse të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili njoftoi se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të marrin nën kontroll Gazën, të zhvendosin palestinezët që jetojnë atje dhe ta shndërrojnë territorin në "Rivierën e Lindjes së Mesme".
Katz shtoi se Spanja, Irlanda dhe Norvegjia, të cilat vitin e kaluar njohën shtetin palestinez, janë "të detyruara ligjërisht të lejojnë çdo banor të Gazës të hyjë në territoret e tyre".