Ai që u përfol më shumë dy ditët e fundit do të jetë trajneri i ri i Spanjës. Luis Enrique është zyrtarizuar si trajneri i kombëtares së Spanjës, duke pasuar në këtë rol Julian Lopetegui, të shkarkuar një ditë para nisjes së Botërorit të Rusisë, dhe Fernando Hierro, që e drejtoi “La Roja” në Kupën e Botës së kësaj vere.
Ka qenë presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, ai që ka konfirmuar gjithçka para mediave, pas një mbledhjeje me bordin drejtues:
Kontraktimi i Luis Enrique për dy vitet e ardhshme si trajner i Spanjës është miratuar unanimisht nga bordi drejtues. Ka një marrëveshje të plotë për këtë emër dhe sigurisht javën e ardhshme ai do të paraqitet për prezantimin e tij.
Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales
Luis Enrique është ish-trajneri i Barcelonës dhe ish-lojtari i Real Madridit, dy gjigantëve të futbollit spanjoll.
Bordi i drejtorëve e ka miratuar njëzëri emërimin e tij deri në “Euro 2020”, me propozimin e presidentit Luis Rubiales. Ai nuk do të ketë një klauzolë ndërprerjeje të kontratës dhe vjen me stafin e vet teknik në këtë detyrë.