SPANJË - Guardia Civil ka çmontuar, në kuadër të operacionit “BOP”, një grup kriminal që përbëhej prej 7 shqiptarësh, të cilët grabisnin shtëpi luksoze në disa zona të Spanjës.
Në total, grupi akuzohet për të paktën 16 grabitje, duke vjedhur sende me vlerë prej të paktën 10 milionë eurosh. Aktiviteti i këtij grupi karakterizohej nga një nivel i lartë dhune, pasi grabitësit lidhnin banorët dhe i kërcënonin me armë zjarri. Përveç kësaj, ata ishin shumë të specializuar në fshehjen e veprimtarisë së tyre dhe shmangien e masave të sigurisë.
Fillimi i hetimit
Hetimi filloi në qershor 2024, kur agjentët e Njësive të Policisë Gjyqësore të Guardia Civil në Algeciras dhe Sevilla morën informacion për disa grabitje në Sotogrande.
Hetuesit u përballën fillimisht me strategjitë e sofistikuara të grupit për të shmangur ndjekjen nga policia. Pasi kryenin grabitjet, ata ktheheshin në vendin e tyre të origjinës për t’u larguar nga vëmendja e autoriteteve. Kur situata qetësohej, ata riktheheshin në Spanjë për të vazhduar aktivitetin kriminal.
Pavarësisht këtyre masave, hetuesit arritën të zbulojnë rikthimin në Spanjë të disa anëtarëve të grupit. Fillimisht, ata u mblodhën në disa qytete si Barcelona, Alicante, Murcia dhe Málaga, për të vendosur më pas bazën e tyre të operacioneve në një vilë pranë La Puebla de Cazalla, në Sevilla.
Kur u zbulua kjo bazë, agjentët shtuan survejimin dhe ndjekjet për të identifikuar të gjithë anëtarët e organizatës dhe për të kapërcyer teknikat e tyre të avancuara të fshehjes dhe maskimit.
Dhunë ekstreme dhe planifikim i detajuar
Hetimi zbuloi se ky grup kriminal kishte kryer disa grabitje të dhunshme në të gjithë Spanjën, veçanërisht në zona me banesa luksoze.
Si vepronin?
Ata planifikonin me kujdes çdo grabitje, duke analizuar masat e sigurisë së shtëpive dhe rutinën e banorëve.
Gjatë grabitjeve, mbulonin fytyrat, visheshin krejtësisht me të zeza dhe përdornin doreza për të mos lënë gjurmë.
Kërkonin vetëm para, bizhuteri dhe sende luksoze, të cilat i fusnin në çanta dhe i transportonin në një automjet mbështetës që i priste jashtë.
Automjetet ishin me fuqi të lartë, me targa false, dhe përdoreshin për arratisje të shpejta.
Përdornin dhunë ekstreme, duke lidhur dhe kërcënuar viktimat me armë zjarri ose mjete të forta për t’i detyruar të tregonin vendet ku mbanin sendet me vlerë.
Bizhuteritë dhe orët e fshehura nën tokë
Megjithëse shumë sende me vlerë u sekuestruan, hetuesit nuk arritën të gjenin menjëherë objektet më të vlefshme të grabitura. Duke qenë të sigurt se ato duhet të ishin në vilë, ata kryen një kërkim të dytë të detajuar me detektorë metalesh në zonën e jashtme.
Si rezultat, gjetën të groposura tre armë zjarri dhe kuti me një sasi të madhe bizhuterish dhe orësh luksoze.
Çfarë u gjet?
35 ora luksoze
186 bizhuteri të shtrenjta
Vlera totale e sendeve të sekuestruara mund të tejkalojë 10 milionë euro, sipas denoncimeve të para. Deri më tani, janë zbardhur 16 grabitje të kryera në Cádiz, Málaga, Sevilla, Córdoba, Murcia, Alicante dhe Portugali.
Komente
