Bota

Spanjë/ Alarm i rremë për zjarr në ‘Ryanair’, pasagjerët hidhen nga krahët e avionit, 18 të lënduar! Po fluturonte nga Majorka për në Mançester (VIDEO)

5 Korrik, 21:40| Përditesimi: 5 Korrik, 21:45

  • Share

Spanjë- Të paktën 18 persona u plagosën në aeroportin e Majorkas në Spanjë, gjatë evakuimit nga një avion “Boeing 737” i kompanisë Ryanair, që po përgatitej për t’u nisur drejt Mançesterit në Angli.

“Corriere” informon se fillimisht në bord u raportua për një zjarr të mundshëm, që më pas rezultoi i pavërtetë, por që u bë shkak për kaosin dhe bilancin e të lënduarve dhe që u mbyll pa viktima. Ngjarja ndodhi orët e vona të mbrëmjes së premte (4 korrik).

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregonin dhjetëra pasagjerë që nxitonin të shpëtonin nën panik, teksa hidheshin deri edhe nga krahët e avionit, duke kërcyer nga lartësia prej të paktën 3 metra.

Shumë prej tyre u lënduan sapo prekën tokën dhe morën plagë të ndryshme. Në raste evakuimi emergjent, zakonisht fryhen të gjitha rrëshqitëset e shpëtimit në daljet e avionit. Nuk është ende e qartë pse vetëm njëra prej tyre ajo në derën e përparme të majtë ishte në funksion.

“Një fluturim nga Palma për në Mançester ndërpreu ngritjen për shkak të ndezjes gabimisht të një drite alarmi për zjarr”, konfirmoi kompania ajrore në një deklaratë.

Dhe më tej shtohet:

“Pasagjerët u evakuuan duke përdorur rrëshqitëset fryrëse dhe u rikthyen në terminal. Gjatë zbarkimit, një numër i vogël udhëtarësh pësuan lëndime të lehta (dëmtime në kyçin e këmbës, etj.), dhe ekuipazhi kërkoi ndihmë mjekësore menjëherë. Më tej, për të minimizuar shqetësimet për pasagjerët, ne siguruam shpejt një avion zëvendësues për të kryer fluturimin, i cili u nis nga Palma në orën 07:05 të mëngjesit të së shtunës. Kërkojmë ndjesë të sinqerta pasagjerëve të përfshirë për çdo shqetësim të shkaktuar”.

Fluturimi i Ryanair 3446 ishte planifikuar të nisej nga Palma në orën 22:50. Nga 18 personat e plagosur, gjashtë u dërguan në spital.

A.Q/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?