Një nga fermat e kanabisit të zbuluara nga policia spanjolle

Bota

Spanjë/ Kthyen depot dhe magazinat në ferma kanabisi, goditet grupi i shqiptarëve, 7 të arrestuar! Kopshtarët kujdeseshin për rritjen e drogës në 2 plantacione

30 Prill, 18:54| Përditesimi: 30 Prill, 18:57

  • Share

Barcelonë- Policia spanjolle në Barcelonë ka çmontuar një organizatë kriminale shqipfolëse të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, duke arrestuar 7 persona në dy aksione të ndryshme në pak ditë.

Efektivët e Mossos d'Esquadra njoftuan se në rastin e parë lokalizuan dhe zbuluan një plantacion marijuane të fshehur në katër depo pranë autostradës N-230, midis distriktit Gualda të Lleidës dhe Torrefarrerës. 

Oficerët arritën të arrestonin edhe 3 të rinj shqiptarë, të moshës 24, 25 dhe 26 vjeç, të cilët i kapën ndërsa po bëheshin gati të korrnin më shumë se 3500 bimë kanabisi. Të arrestuarit, të gjithë kopshtarë, akuzohen për një krim kundër shëndetit publik dhe një tjetër për mashtrim me furnizimin me energji elektrike.

Në aksion morën pjesë agjentët nga Njësia e Hetimit, Zona Rajonale e Burimeve Operacionale (ARRO) dhe Siguria Qytetare, kurse emrat e të arrestuarve nuk u publikuan. 

Tre të rinjtë ishin përgjegjës për ruajtjen e plantacionit dhe sigurimin e rritjes së duhur të bimëve. Policia tha se ata u kapën teksa ishin gati për të korrur prodhimin. 

Agjentët nuk u dhanë asnjë mundësi arratisjeje. Hetimi mbetet i hapur dhe arrestime të mëtejshme nuk përjashtohen.

Po këtë muaj, policia zbuloi një tjetër plantacion marihuane në zonën industriale Cometes në Torrebesses. Katër burra, gjithashtu shqiptarë, u arrestuan dhe u akuzuan për pjesëmarrje në një grup kriminal, shkelje të rregulloreve të shëndetit publik dhe mashtrim të furnizimit me energji elektrike, informoi media spanjolle. 

Droga ndodhej në një fermë të braktisur, e cila ishte përshtatur për kultivim kanabisi. Për këtë arsye, ata kishin lidhur një kullë me tension të lartë  pranë fermës. Dy nga të arrestuarit u liruan me kusht po atë ditë, pasi dëshmuan në stacionin e policisë, ndërsa të tjerët u sollën para Gjykatës së Shkallës së Parë të Lleidës.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kontrata e lobimit të PD, besoni se SPAK do zbulojë burimin e financimit?