Spanjë- Policia spanjolle ka shkatëruar në Madrid një organizatë shqiptare të trafikut të drogave të forta, e cila bashkë me ekstrakomunitarë të tjerë nga rajoni ballkanik, dyshohen si përgjegjës për transportin e një ngarkese me të paktën 1,1 tonë kokainë.
Aksioni është finalizuar pak ditë më parë nga Policia Kombëtare e Spanjës, njësia ‘Greco’, që çoi në çmontimin e një grupi të supozuar lokal të dedikuar për tregtimin e drogës.
Operacioni rezultoi në të paktën 8 arrestime dhe pesë kërkime në zona si San Miguel de Deiro (Vilanova), Poio dhe Bueu.
I fundit u kap një tjetër shqiptar me banim në qendrën Avenida de Marín, që u lokalizua fal një video që qarkullonte në rrjetet sociale nga banorët vendas.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se hetimi lidhet me operacionin e kryer shkurtin e kaluar në portin e Marinit, ku u gjet një sasi prej 120 kilogramësh kokainë të bashkangjitur në bykun e një anijeje tregtare ruse, “Crown Garnet”.
Pjesë e grupit dyshohen edhe persona të tjerë të implikuar, por dosja mbetet ende nën hetim nga autoritetet spanjolle.
Të njëjtat burime bënë me dije se grupit me bazë në Arousa i ishte sekuestruar “sasi të vogla” droge. Më vonë doli se përmbajtja ishte afërsisht 30 gramë heroinë, 160 gramë të tjera kokainë dhe afërsisht 100 gramë hashash.
Megjithatë, rëndësia e rastit ishte se çoi direkt tek organizata kriminale dhe krerët e saj. Operacioni u shtri edhe në Galicia dhe Vilanova.
Sipas medias spanjolle, organizata është përgjegjëse për të paktën 1,1 tonë drogë të transportuar në vendin iberik dhe me vlerë mbi 500 milionë euro nësë shitej në treg me doza, e gjitha e kapur në bregdetin e Vigos në janar dhe shkurt të këtij viti, informon media spanjolle.
Anëtarët e organizatës janë kryesisht shqiptarë dhe nga vendet e tjera të Ballkanit.
Komente
