SPANJË - Garda Civile e Komandës së Almerisë zbuloi një shtëpi prej gati 700 m2 e cila përdorej si çerdhe droge. Tre persona u arrestuan dhe u sekuestruan 180 kg lëndë narkotike kanabis sativa, e ndarë në 170 thasë.
Aksioni i policisë spanjolle filloi më 12 mars të këtij viti, kur patrulla vërejti në këtë shtëpi hyrjen dhe daljen e disa personave ku kryhej ambalazhimi i lëndës narkotike.
Gjatë vëzhgimit gjithashtu u pa edhe lëvizja e disa automjeteve në dalje të shtëpisë me dyshimin se njëra prej tyre mund të përdorej për transportin e lëndës narkotike.
Dy orë pas fillimit të operacionit patrulla të ndryshme përgjuan dy automjete në dalje të shtëpisë, njëra përdorej si mjet transporti, tjetra përdorej për transportin e lëndës narkotike.
Pas ndalimit, në automjetin e dytë u konstatua lënda kanabis sativa e ambalazhuar në vakuum dhe e etiketuar sipas shumëllojshmërisë dhe përqindjes në THC, ndërsa u arrestuan dy shqiptarë.
Më pas u bë kontrolli i banesës, ku u gjetën paketime të shumta me etiketa, disa kuti çanta, makina ambalazhimi me vakuum, një precizion dixhital, peshore, llamba të përdorura për kultivimin e marijuanës.
Efektivët e gardës civile zbuluan edhe pronarin e banesës dhe e arrestuan gjithashtu për trafik narkotikësh, pasi dyshohet se ai kishte dijeni për veprimin e paligjshëm të qiramarrësve të tij në shtëpi.