SPECIALE E REPORT TV/13 vite pas krimit shtetëror të 21 janarit, pritet SPAK! Ja provat që sjell Strasburgu për të rihapur hetimet

21 Janar, 13:58| Përditesimi: 12 Mars, 07:34

  • Share

Përvjetori i 13-të i masakrës shtetërore të 21 janarit, ku plumbat ‘me uniformë’ u morën jetën 4 protestuesve në Bulevard, erdhi ndryshe nga të mëparshmit.

Klithmës së fortë për drejtësi të familjarëve të viktimave dhe pjesës më të madhe të shoqërisë shqiptare i shtohet edhe vendimi i një prej gjykatave më të rëndësishme që bota e civilizuar ka krijuar, Gjykata Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Në një dhomë me 7 gjyqtarë, në një vendim 7 me zero totalisht unanim, Gjykata e Strasburgut ‘vuri pikat mbi i’, drejtoi gishtin nga vrasësit dhe përgjegjësit e vërtetë, ato që urdhëruan, të cilët bënë gjithçka që të devijonin dhe bënin të pamundur hetimin e institucioneve, teksa kërkoi nga shteti shqiptar hetim ezaurues, zbardhje të plotë të rrethanave që çuan në vdekjen e Aleks Nikës e 3 protestuesve të tjerë, dhe plagosjen e dhjetërave të tjerëve, sidomos zbulimin dhe dënimin e e atyre që vrasjet i urdhëruan.

Vendimi i Strasburgut i datës 14 nëntor 2023 erdhi si një thirrje e madhe për të shkuar pikë së pari në veshët e drejtësisë së re në Shqipëri. Prokuroria e Posaçme SPAK do të duhet të zbardhë akuzat për urdhërim të vrasjesve, prishje dhe devijim të hetimeve, pengim të drejtësisë nga zyrtarët mëtë lartë të qeverisë shqiptare të asaj kohe, të drejtuar nga Sali Berisha.

Shteti vrau më 21 janar, u urdhërua të qëllohej në turmën e qytetarëve me plumba të vërtetë, u urdhërua që Prokuroria të mos lejohej të hetohej, u fshehën prova, u manipuluan prova, u mashtruan organet e drejtësisë, u kërcënua Prokurorja e Përgjithshme, të vrarë të pafajshëm që mbeten pa drejtësi.

Për të gjitha këto, detyra është para SPAK, dënimi i fajtorëve sipas Gjykatës së Strasburgut është imperativi që ngjarje të tilla të mos përsëritën më në historinë e një kombi.

SHTETI VRAU MË 21 JANAR

Për Gjykatën Evropiane  të të Drejtave të Njeriut nuk ka asnjë ekuivok që ishte shteti shqiptar, qeveria e tij e kryesuar nga Sali Berisha, ata që janë përgjegjës për vrasjen e protestueve më  më 21 janar.

"Goditje vdekjeprurëse e të afërmit të kërkueseve nga punonjësit e shtetitgjatë një proteste politike që degjeneroi në dhunë përpara ndërtesës së Kryeministrisë”

Dhe gjithçka pa asnjë arsyetim të qenësishëm.

“Gjykata nuk mund të pranojë argumentin se mbrojtja e një ndërtese në vetvete përbënte bazë legjitime për përdorimin e forcës vdekjeprurëse”

Kundër disa njerëzve totalisht të papërfshirë në asnjë akt të dhunshëm,

“Në një moment të pacaktuar, disa oficerë të Gardës së Republikës filluan të përdorin armët e tyre të zjarrit, duke qëlluar me plumba manovër, por edhe të vërtetë, me justifikimin për të penguar vazhdimin  e  sulmit  të  protestuesve  ndaj  godinës.  Rreth  orës  16:10,  si  pasojë  e  të  shtënave,  tre protestues  vdiqën  në  vend.  A.  N.,  i  cili  në  ato  momente  ndodhej  pranë  trotuarit  përballë Kryeministrisë dhe nuk ishte i përfshirë në asnjë akt të dhunshëm, u godit nga një plumb në kokë. Po kështu, tre viktimat e tjera ndodheshin jashtë oborrit të Kryeministrisë dhe asnjëra prej tyre nukishte e përfshirë në akte të dhunshme. (Pika 15 e vendimit)

Gjykata nënvizon se në vendim se gjithçka nisi me përgatitjen e planit nga ana e Gardës së Republikës, ku një grupi zjarr ishte në gatishmëri.

“Në veçanti, komandanti i “Njësisë Speciale” përgatiti planin nr. 28s/9, të 21 janarit 2011, i cili parashikonte, aq sa është e rëndësishme, që një:“grupi i përbërë nga gjashtë oficerë do të jetë në gatishmëri, gati për të hapur zjarr në rast të thyerjes së kordonit të Njësisë së Dytë dhe Njësisë Speciale”. (Pika 8)

....oficerët do të pajiseshin edhe me pushkë sulmi “tipi 56”, përfshirë plumba manovre dhe të vërtetë” (Pika 9)

Strasburgu thotë se institucionet nuk kishin marrë mjete të tjera efektive më 21 janar dhe nuk i kanë ezauruar ato, përveçse në një rast të vetëm të topave të ujit dhe gazit lotsjellës dhe qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim nëse forcat e sigurisë kishin në dispozicion mjete të mjaftueshme jovdekjeprurëse për kontrollin e turmës (Pika 158)

Mbetet e paqartë se çfarë saktësisht çoi në reagimin e oficerëve që të qëllonin me armët e tyre të zjarrit, sepse protestuesit që depërtuan perimetrin e sigurisë tashmë ishin shtyrë nga një grup oficerësh të pajisur me mburoja dhe shkopinj gome.  Duke marrë parasysh afatin kohor të këtyre ngjarjeve dhe provat e tjera në dispozicion në dosjen e çështjes, nuk është provuar se në momentin kur u përdorën plumbat e vërtetë, grupi relativisht i vogël i protestuesve të dhunshëm përbënte një rrezik serioz dhe të çastit ndaj ndonjë personi (Pika 159)

Protestuesit para Kryeministrisë u qëlluan nga Garda e Republikës për vdekje pa paralajmërim.

Gjykata vëren gjithashtu se paralajmërimi me gojë i bërë përpara përdorimit të armëve të zjarrit nuk përmendte në mënyrë të shprehur që oficerët do të qëllonin, por vetëm se “masa” do të ndërmerreshin “në përputhje me ligjin”. Ky paralajmërim ishte i paqartë dhe i pasaktë, dhe nuk mund të konsiderohej se përbënte një paralajmërim të duhur përpara përdorimit të armëve potencialisht vdekjeprurëse (pika 170)

‘MISTERI’ I PLUMBAVE NË GARDHIN E KRYEMININISTRISË

Në vendimin 48 faqësh, Gjykata e Strasburgut e përmend disa një fakt të rëndësishmë që është zbuluar gjatë hetimeve, që në gardhin para Kryeministrisë janë konstatuar shenja plumbash.

Më 7 shkurt 2011, hetuesit e policisë këqyrën përsëri vendin e protestës dhe vunë re se gardhi metalik i ndërtesës ishte dëmtuar nga forca e atyre që dukej se ishin predha. Ata bënë fotografi të gardhit (pika 31)

Kur u pyetën oficerët e gardës nuk e shpjegonin dot se pse kishte shenja në gardhin metalik të gardës. Të njëjtën përgjigje dha edhe komandanti i tyre Ndrea Prendi.

“Në përgjigje të pyetjes nëse mund të jepte ndonjë shpjegim për shenjat e lëna nga predha në gardhin metalik të ndërtesës (të cilat ishin në lartësinë e njeriut), Ndrea Prendi u përgjigj se nuk mund t’i shpjegonte shenjat” (Pika 39)

Ka dyshime të forta që shenjat mund të vërtetojnë faktin se gardistët kishin qëlluar drejt turmës dhe një pjesë e mirë e plumbave janë ndalur nga gardhi.  (Pika 141). Gjykata kritkon mosmarrjen parasysh të këtij fakti gjatë hetimeve dhe mos sqarimin shterues të tij.

“Mosmarrja parasysh e numrit të madh të gjurmëve të lëna nga predha të gjetura, në nivelin e lartësisë së njeriut, në gardhin metalik në të dyja anët e portës hyrëse, ku kishte ndodhur pjesa më e madhe e konfrontimit të dhunshëm” (Pika 120)

Mos hetimi efektiv dhe mos zbardhja e plotë e përgjegjësve të vërtetë të 21 janarit për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka një arsye të fortë. Qeveria në atë kohë dhe vetë Kreu i saj Sali Berisha bënë gjithçka që t’i prishnin ato.

“Deklaratat publike të nxituara më pas, të bëra nga nëpunës të lartë, se viktimat ishin qëlluar nga një distancë e afërt dhe me armë që ishin të ndryshme nga ato që përdoreshin nga Garda ose policia ngrenë dyshimet nëse autoritetet ekzekutive ishin të përkushtuara që në fillim për të zbardhur plotësisht ato ngjarje të rënda dhe për të mos devijuar apo ndërhyrë në mënyrë të papërshtatshme në hetimin penal” (Pika 109)

Deklaratat e Berishës fill pas ngjarjes, i cili ishte në kërkim të puçistëve ndaj tij, që fliste për çadra pistoletë, sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë, moszbatimi i urdhrave të prokurorisë, fshehja e provave ishin vetëm disa prej veprimeve të evidentuara nga ana e Strasburgut.

Sulmin ndaj Prokurores së Përgjithshme, Gjykata e videnton në dy raste, ndërsa e thekson kërcënimin e Berishës për kryeprokuroren kur  thotë zonja ta dijë se ta dijë se ajo ka hyrë në territor shumë të gabuar. (Pika 28). Strasburgu kujdeset t’ia kujtojë Sali Berishës edhe deklaratat lavire bulevard për Ina Ramën.

 “Më  27  janar  2011,  gjatë  një  takimi  me  familjarët  e  oficerëve  të  policisë  dhe  të  Gardës,Kryeministri kritikoi sërish – këtë herë me fjalë ofenduese – Prokuroren e Përgjithshme personalisht për mënyrën se si po hetoheshin ngjarjet e 21 janarit 2011.

MASHTRIMI ME KAMERAT E SIGURISË

Jo vetëm me deklarata por Sali berisha përmendet me emër në vendimin e Gjykatës së Strasburgut edhe në tentativat për të gënjyer grupin hetimor dhe për të feshur provat. Fillimisht nisi me një deklaratë të tillë:

Më 23 janar 2011, gjatë mbledhjes së kabinetit, Kryeministri deklaroi se zyra e tij ishte epajisur me një sistem kamerash sigurie që kishte regjistruar ngjarjet gjatë protestës. Ai shtoi se ikishte kërkuar sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë që regjistrimet t’i vendoste në dispoziciontë prokurorëve. (Pika 32)

Por vetëm 3 ditë më vonë më 26  janar  2011,  prokurorët  i  kërkuan  Zyrës  së  Kryeministrit  që  të  jepte  një  kopje  të pamjeve të regjistruara nga kamerat e sigurisë të vendosura përreth ndërtesës. Në përgjigje të kësaj, Kryeministria dha regjistrimet e bëra nga një kamerë që ndodhej në çatinë e godinës, ndërsa një kërkese të dytë disa ditë më vonë Kryeministria iu përgjigj se kamerat e tjera ishin jashtë funksionit që nga viti 2009.

Më 4 mars 2011, prokurorët sekuestruan hard diskun (regjistruesin digjital të diskut) e sistemit të kamerave të Kryeministrisë. Në të njëjtën datë, Zyra e Kryeministrit njoftoi prokurorët se një kamerë  tjetër  sigurie  kishte  regjistruar  më  21  janar  2011  dhe  u  dërgoi  atyre  një  videoregjistrim. Kamera e dytë ishte orientuar drejt portës së hekurt në veri të ndërtesës – një zonë me interes përhetimin.  Megjithatë,  pamjet  e  kamerës  zgjasnin  vetëm  pak  minuta  dhe  mbulonin  periudhën  paspërfundimit të protestës. (Pika 35).

Por e gjitha kjo teori e qeverisë së atëhershme se kamerat nuk punonin prej vitesh ra poshtë nga një ekspertim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më 13 gusht 2011, autoritetet amerikane dhanë një raport ekspertimi ku thuhej se hard disku i Kryeministrisë ishte riformatuar manualisht (domethënë të dhënat e indeksit kryesor ishin fshirëmanualisht) më 22 janar 2011, në orën 00:51 dhe më 28 janar 2011, në orën 12:10. Në raport,gjithashtu, thuhej se të dhënat në hard disk ishin kopjuar në një disk të jashtëm në mbrëmjen e 21janarit 2011 dhe më 28 janar 2011. Në fund, raporti zbuloi se përmbajtja e hard drive përfshinte të dhëna që tregonin se njëmbëdhjetë kamera sigurie ishin konfiguruar në mënyrë që ato të mund të regjistronin. (Pika 44)

Pra, nuk ishte një kamera apo 2 por plot 11 të tilla, materiali i së cilave ishte kopjuar, ishte ruajtur diku tjetër dhe ishte fshirë që të mos binte në duart e prokurorisë. Për këtë u hetua dhe më pas u shpall i pafajshëm nëpunësi i IT-së i Kryeministrisë. Strasburgu vë në duke se gjykatat e brendshme shqiptare arritën në përfundimin se hard disku ishte riformatuar por vunë re se nuk kishte asnjë provë që këtë veprim e kishte kryer i pandehuri. Gjykatat gjithashtu pranuan se mosdhënia nga ana e të pandehurit e videoregjistrimit të dytë, të kopjuar, në kohën e duhur tregonte sjellje të pakujdesshme dhe jo qëllim kriminal

U REFUZUAN EDHE URDHRAT E PROKURORISË

Për t’i vënë shkopinj nën rrota hetimit penal dhe për më tepër për të paralajmëruar prokurorinë Sali Berisha paralelisht me këtë hetim krijoi një komision hetimor, të cilin Gjykata e Strasburgut e veçon në vendimin e saj. Madje edhe qëllimin për këtë komision hetimor gjyqtarët e kanë të qartë.

“Është e rëndësishme që menjëherë, paralelisht me hetimin penal, u krijua një komision hetimor parlamentar – jo për qëllim të sqarimit të fakteve dhe përgjegjësisë së mundshme të shtetit për ngjarjet e 21 janarit 2011”, por për të hetuar mbi abuzimet e dyshuara nga prokurorët që po hetonin ngjarjet; Prokurorja e Përgjithshme u thirr dhe iu nënshtrua kritikave të ashpra publike nga anëtarët e atij komisioni”

Kulmi arriti kur qeveria vendosi të mos zbatojë urdhrat e prokurorisë. Herët në mëngjesin e datës 22 janarit, një ditë pas masakrës, prokurorët nxorën urdhërndalime për gjashtë oficerët e lartë të Gardës së Republikës, por zbatimi i këryre urdhrave u refuzua. Pas i kërkua një herë shtyrja gjë që nuk u pranua nga prokuroria, drejtori i përgjithshëm i Policisë njoftoi Prokuroren e Përgjithshme se për shkak të gabimeve teknike dhe administrative, urdhër-arrestet nuk mund të ekzekutoheshin.

Gjykata e Strasburgut kujton dhe citon në vendim edhe deklaratën e Kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha në lidhje me këtë kërkesë të Prokurorisë.

“Edhe pse grushti i shtetit po i përmbahet strategjisë së tij, ne do të vazhdojmë detyrat tona si qeveri. Unë them [ata] do të vazhdojmë, sepse Prokurorja e Përgjithshëm – e cila brenda 6 orëve, pa asnjë hetim, dje urdhëroi arrestimin e të gjithë zinxhirit [të komandës] së Gardës së Republikës – sot nuk ka urdhëruar masën e arrestit me burg ndaj njërit prej krye-terroristëve dhe krye-banditëve që u filmua dhe u fotografua nga mediat shqiptare dhe të huaja me revolver në brez në derën e Kryeministrisë” deklaroi Berisha më 24 janar 2011

E gjitha kjo përplasje solli që oficerët e lartë të Gardës së Republikës, për të cilët ishin lëshuar urdhra arresti  të merreshin në pyetje më më 8 shkurt 2011, 18 ditë më vonë që nga Gjykata e Strasburgut interpretohet kështu:

“Mosekzekutimi i urdhrave të ndalimit çoi në humbjen e tetëmbëdhjetë ditëve, ndërmjet datës kur u lëshuan urdhër-ndalimet dhe datës kur prokurorët mundën të merrnin në pyetje të dyshuarit kryesorë. Akoma më i rëndësishëm është fakti që përveç humbjes së kohës së çmuar, autoritetet humbën në mënyrë të pakthyeshme mundësinë për të marrë në pyetje të dyshuarit menjëherë pas ngjarjes, duke minimizuar kështu çdo mundësi për marrëveshje të fshehtë ose shtrembërim të së vërtetës. (Pika 112)

GJYQI NDAJ GARDISTËVE

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjeti si shkelje të konventës lënien e vrasjes së Aleks Nikës pa përgjegjës dhe shprehet në vendim se kërkesa e familjarëve të viktimave për përgjegjësi të “zinxhirit komandues” ishte e drejtë.

Strasburgu merr në analizë të gjithë procesin gjyqësor ndaj Komandantit të Gardës atëherë Ndrea Prendit dhe oficerit të grupit të zjarrit Agim Llupos. 

Duke theksuar se Prendi ashtu edhe Llupo kishin qëlluar njëkohësisht me plumba të vërtetë drejt protestuesve, duke nënkuptuar një urdhër të koordinuar të mundshëm mes tyre, Gjykata thotë se Aleks Nika ka qenë pikërisht pranë njërit prej viktimave nga plumbat e kryekomandantit Prendit.

Ndryshe nga deklarata e tij fillestare, ku ai nuk kishte përmendur gjuajtjen me armë në ditën e protestës, Ndrea Prendi. dyshohet se ka qëlluar njëmbëdhjetë plumba në drejtim të një grupi protestuesish, duke vrarë njërin prej tyre. Aleks Nika dyshohet se ka qëndruar pranë atij protestuesi. Pas përfundimit të protestës, dyshohet se Ndrea Prendi ka ndërruar tytën e pistoletës së tij me atë të M. K, koleg i Gardës dhe i bashkëakuzuar në proces – për të fshehur faktin që Ndrea Prendi  kishte qëlluar me armën e tij.  (Pika 56)

Pasi u shpallën të pafajshëm nga shkalla e parë, ishte Gjykata e Apelit Tiranë e cila më 18 shtator 2013, me dy vota pro dhe një kundër, shpalli Prendin dhe Llupon fajtor për vrasje nga pakujdesia, dhe i dënoi përkatësisht me një dhe tre vjet burg.  Sipas 2 anëtarëve të trupit gjykues të Gjykatës së Apelit Tiranë, nuk ishte provuar se i akuzuari kishte për qëllim të vriste këta persona në fjalë; ky fakt përjashtoi akuzën e vrasjes me dashje. Megjithatë Strasburgu veçon mendimin e pakicës së njërës prej gjyqtareve të trupit gjykues.

Një gjyqtare pati mendim pakice. Ajo u shpreh se, sipas saj kishte prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se Ndrea Prendi dhe Agim Llupo kishin pasur objektiv të drejtpërdrejtë turmën e protestuesve dhe jo të qëllonin në ajër. Ajo konkludoi se ata duhej të shpalleshin fajtorë për vrasje. (Pika 63)

‘MISTERI’ I VRASËSIT TË ALEKS NIKËS

Duke analizuar të gjitha faktet, Gjykata e Strasburgut arrin në përndimin se hetimi për vrasjen e Aleks Nikës nuk mund të quhet i ezauruar.

“Hetimi që është kryer në këtë çështje nuk mund të konsiderohet si një hetim efektiv që mund të çojë në identifikimin dhe ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për ngjarjet e pretenduara dhe në përcaktimin e të vërtetës” (pika 128)

Gjykata thotë se pas vdekjes së Aleks Nikës në spitalin e Stambollit, autoritetet turke nxorën më 5 shkurt 2011 një  plumb  nga  koka  e  tij, teksa i bën një rezymë odisesë së plumbit që sipas ekspertëve ka humbur formën e tij origjinale dhe karakteristikat identifikuese për shkak të dëmtimit; prandaj nuk ishte e mundur të përcaktohej arma nga e cila kishte dalë.

Vetëm së fundmi autoritetet kanë bërë me dije se plumbi për të cilin autoritetet do të kërkojnë një tjetër ekspertim në Itali. Për Gjykatën e Strasburgut vrasja e Aleks Nikës është ende pa një autor dhe përmendja e faktit që Nika ka qenë pranë Faik Myrtajt që u vra nga Ndrea Prendi duket si një indicie nga ana e gjyqtarëve.

Për këto arsye por edhe për të gjitha të përmendura më sipër, për Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut për Aleks Nikën drejtësia mungon dhe çështja duhet zbardhur.  Për të gjitha këto urdhri nga Gjykata e Strasburgut për autoritetet shqiptare është i qartë:

“Autoritetet e brendshme të vazhdojnë përpjekjet për qartësimin errethanave të vdekjes së të afërmit të kërkueseve dhe për ndëshkimin e personave përgjegjës (Koka e vendimit)”

HETIMI I PAPLOTË,  ZINXHIRI KOMANDUES I GARDËS

“Të marra së bashku, këto mangësi janë të mjaftueshme që Gjykata të arrijë në përfundimin se autoritetet kombëtare nuk arritën të ndiqnin seriozisht dhe në mënyrën adekuate disa linja kyçe të hetimit në lidhje me natyrën e çdo urdhri të dhënë nga personat në zinxhirin komandues gjatë ngjarjeve – duke përfshirë por jo vetëm në lidhje me përdorimin vdekjeprurës të armëve të zjarrit dhe mundësinë që demonstruesit të kishin qenë drejtpërdrejt në shënjestër të personelit të armatosur” (121)

Kjo është thirrja më e fortë e Gjykatës së Strasburgut: Të hetohet kush dha urdhrin, zinxhiri komandues që të qëllohej në mish ndaj protestuesve. Hetimi i zinxhirit komandues do ta bënte çonte direkt dosjen në SPAK, pasi urdhri mund të jetë dhënë edhe nga kryeministri i atëhershëm Sali Berisha, i cili gjatë gjithë protestës qëndroi brenda në godinë teksa njerëz vriteshin poshtë zyrës së tij.

Gjykata thotë se ka dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin hetimin apo të ndërhynin padrejtësisht gjatë tij për të shtrembëruar të vërtetën. Duke cituar familjarët e Aleks Nikës Gjykata thotë se të shtënat e njëpasnjëshme vdekjeprurëse të katër protestuesve dhe plagët jovdekjeprurëse të shkaktuara shumë të tjerëve, nuk mund të pajtohen me versionin e ngjarjeve sipas të cilit oficerët e Gardës kishin qëlluar me armë individualisht.

“Kërkueset argumentuan më tej se në fakt, parë së bashku me prova të tjera, sugjerohej fuqishëm se ishte dhënë një urdhër i përgjithshëm për të qëlluar drejtpërdrejt në drejtim të turmës. Këto pretendime ngrenë një sërë pyetjesh përkatëse në lidhje me cilësinë e hetimit. (pika 116)

Fakti që u qëllua njëkohësisht nga gardistët për GJEDNJ është një fakt i rëndësishëm ndërsa drejtësia duhet bërë që 21 janarë të tjerë të mos ketë në të adhmen.

“Nevojiten hetime të plota, të paanshme dhe të besueshme për shkeljet e të drejtave të njeriut që ndodhën më 21 janar 2011. Përgjegjësit për aktet e dhunshme dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut duhet të mbajnë përgjegjësi. Kjo është e nevojshme për të vendosur drejtësinë, por edhe për të parandaluar zhvillime të tilla të rënda në të ardhmen” (Pika 29)

Deklaratat e bëra në sallën e gjyqit nga ana e gardistëve në atë kohë se nuk ishte dhënë një urdhër për të qëlluar, Gjykata e Strasburgut i sheh me skepticizëm të thellë.

“Gjykata ka dyshime nëse ky version i ngjarjeve mund të konsiderohet i besueshëm për të treguar një mënyrë veprimi për një forcë të armatosur të centralizuar dhe të specializuar që e gjen veten përballë një turme armiqësore; kjo duket se është gjithashtu në kundërshtim me udhëzimet dhe rregullat e angazhimit që komanda e Gardës ju kishte dhënë njësive të saj në përgatitje të protestës” (Pika 118)

VENDIM HISTORIK, QË KLITH PËR DREJTËSI

“Sot ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme. Sot Gjykata e Strasburgut i ka dhënë të drejtë familjes Nikaj dhe faktikisht karrëzuar procesin që është bërë në Shqipëri për 21 janarin. Që do të thotë i ka hapur rrugën atij hetimi të munguar për zinxhirin e komandimit. Sot një gjykatë supreme europiane ka thënë se është përdorur forcë vdekjeprurëse e pajustifikuar. E di çdo të thotë kjo? Dhe ka saktësuar që procesi i bërë duke e lënë këtë punë mbi individë, është një proces që nuk konsiderohet i drejtë. Flet qartësisht për zinxhirin e komandimit. Ka vrarë qeveria në 21 janar. Vendimi thotë se ajo fjalia plumbin ballit nuk mund të kalojë si një plumb që shkoi në drejtim të paditur”,

Nga ana e mazhorancës vendimi u konsiderua historik, që do t’i jepte edhe një herë mundësinë institucioneve të drejtësisë të bënin drejtësinë për atë që ndodhi në një nga ditët më të zeza në historinë e Shqipërisë shtet.

Ndërsa protagonisti absolut i asaj dite, ish Kryeministri Berisha, një ditë pas vendimit asnjë fjalë nuk ndryshoi nga leksiku i pasdites së 21 janarit 2011 kur filloi betejën që të prishte drejtësinë, tashmë fakt ky i certifikuar me vendim të Gjykatës Evropiane  të të Drejtave të Njeriut.

 

“Sqaroj shqiptarët se nëse ai proces nuk është hetuar siç duhet, ai nuk është hetuar vetëm për shkak të Edi Ramës. Për të mbrojtur Edi Ramën, i cili është autori i vërtetë prapa asaj që ndodhi. I cili erdhi dhe e rrethoi kryeministrinë me banda dhe banditë, në një protestë më të dhunshmen në historinë e vendit. Me qëllime të caktuara ndaj pushtetit.

....Natyrisht nuk mund të mos them këtu, se keqardhja ime është se në atë vendim, ndodhet firma e Dorian Pavlit, kushëririt të Edi Ramës” deklaroi Sali Berisha 15 nëntor 2023

Drejtësia shqiptare ka dhënë vetëm 4 vite burg në total për 2 jetët ë ndërprera në mes në demonstratën e 21 janarit, duke i konsideruar ato vrasje nga pakujdesia. Sa i përket vrasjes së Aleks Nikës çështja mbetet ende në Prokurorinë e Tiranës. Predha që i mori jetën atij është ende në proces ekspertimi ndërsa para se të fliste Strasburgu ishin familjarët që kërkonin që 21 janarin ta merrte SPAK. Në fund të janarit 2023, PS depozitoi në Prokurorinë e Posaccme kallëzim penal ndaj Sali Berisha, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendi.

Strasburgu na vjen në ndihmë ta shërojmë këtë plagë të së kaluarës një herë e mirë, duke gjetur vendin e secilit në historinë e vendit, në ngjarjet që kanë shënjuar ndërgjegjen tonë kolektive për mirë apo pë keq.

Një klithmë për drejtësi që vjen në këtë moment kur institucionet e reja të drejtësisë po i japin disa përgjigje të rëndësishme shqiptarëve.

Një klithmë drejtësie që shkon në postën e prokurorisë së posaçme SPAK, tashmë bashkëngjitur urdhrin e një Gjykate Ndërkombëtare:

TË DËNOHET KUSH VËRTETË VRAU NJERËZ TË PAFAJSHËM MË 21 JANAR.

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sapa: 27/02/2024 14:30

    Po ikni o plehra,do denoni ju te korruptuarit e ketij vendi.Qyqaret po.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?