Speciale/ 28 vite ‘luftë’ mes fiseve në Rrëshen! Si nisi kalvari i ekzekutimeve prej vitit 1995

Ora 10.40, e martë,  26 shtator, ekzekutohet me breshëri kallashnikovi në lokalin e tij në Rrëshen, qytet me rreth 10 mijë banorë, disa metra përballë komisariatit, Martin Bardhi. Në tavolinë me të, u plagosën Indrit Bardhi, Ilir Bardhoku dhe Olti Gjini. Dy autorët e maskuar u larguan nga vendi i ngjarjes me fuoristradë tip “Jeep”. 30 minuta më vonë ky mjet u gjet i djegur në afërsi të fshatit Gëziq, rreth 10 km nga vendi ngjarjes. U duk si një nga vrasjet që herë pas herë ndodhin papritur në qytete e fshatra nga veriu në jug të vendit. Por ky rast dyshohet se është vetëm unaza më e fundit e një zinxhiri vrasjesh filluar para 28 vitesh.

“Pushka e keqe”, siç i thonë mirditorët nisi më 1 Maj - 1995, me vrasjen e të riut Ilir Reçi. U qëllua me armë pranë shtëpisë në periferi të Rrëshenit. Atë kohë bëri shumë bujë, i madh e i vogël, kalonin orë – ditë, duke folur për kanunin, gjakmarrjen. Ishte viktima e parë e fisit Reçi dhe vrasës u dyshua një nga fisi Bardhi.

Pas tij, prita, tradhti mes shokësh, shënuan luftën afro 28 vjeçare mes disa familjeve, kryesisht ato Reçi – Gjini – Bardhi- Jaku, në Mirditë. Familja Bardhi dhe Gjini, njihen për miqësitë me njëra- tjetrën. Kurse tek Reçtë, emri i Martin Bardhit komprometohet keq në 7 Janar 2020, ditën kur Kastriot Reçi ekzekutohet me snajper. Kamerat e zonës, shfaqën lëvizje të dyshimta të Marjan Bardhit, familjar me Martinin dhe me të akuzuarit për vrasjen e Ilirit në 95.

Ndryshe nga Shkodra ku shumë vrasje e kanë zanafillën nga thashetheme më banal, “e di unë kush ka fol për ty”, në Mirditë intriga është e fortë. “Shumë miq e shokë u shkatërruan, u bënë armiq me njëri tjetrin, intriga i vrau”, thotë një polic i vjetër, njohës i mirë i asaj çfarë ka ndodhur në krahinën e 12 Bajraqeve.

Një vit para se të vritej Ilir Reçi, në 7 Janar të 1994 ishte vrarë shefi i Krimeve Ndue Kaza. E premte, në mbrëmje, Ndue Kaza, u qellua me pistoletë në mes të qytetit nga Dod Gjini. Në dosje thuhet që Kaza u fut për të shuar një konflikt mes dy grupeve rivale, më i madhi ndër to 20 vjeç. Ky ishte momenti kur Gjinët morën emër e famë.

3 vite më vonë, në 3 korrik të 1997, pa autorë të arrestuar dhe familje në gjak, në qendër të Laçit, vëllai i Komisarit mori hak, duke vrarë 2 vëllezërit, Dod dhe Agustin Gjini. Atë ditë Gjinët tentuan një takim pajtimi, por pa sukses. Xhaxhai i autorit i dërgoi fjalë babait të viktimave “Vrasjen e Dod e Agustin Gjinit e ka nga neve (nga Kaza)”.

Pas 4 vitesh, më 19 Qershor 2001, Martin Kaza, u dënua me 22 vite burg për vrasje të dyfishtë. Për shumë kohë ai u fsheh në Londër nën identitetin e rremë kosovar, Naim Karagia, deri kur u zbulua në 2017, kur ishte 45 vjeç. “Deportimi pas kaq vitesh nga Mbretëria e Bashkuar do të ishte “i padrejtë”, tha ai në sallën e gjyqit .

Katër muaj para se Kaza të vriste Dodën dhe Agustinin, gjatë trazirave të 97-s, brenda burgut të Shënkollit ishte vrarë me snajper, vëllai i tyre Nikolin Gjini i arrestuar për grabitje banke. Gjini kishte marrë peng drejtorin e burgut, dhe kërcënonte se do ta vriste nëse nuk i hapnin qelinë. Në atë kohë për këtë ngjarje u fol shumë pak.

Më pas, për shumë vite, Rrësheni ra në heshtje. Gjinët, Reçtë, Bardhët, por edhe familje të tjera pas trazirave, u vendosën jashtë kufijve. Ata fëmijë të mbrapshtë u rritën, dhe synimi ishte fitimi. Larg sherreve, konkurronin njeri tjetrin me numrin e pronave dhe të investimeve.

“Punët i bënin jashtë Shqipërisë, kur vinin këtu, ruheshin, kujdeseshin të mos binin së sy”, kujton një ish-hetues në Mirditë, sot në pension.

Deri kur në 9 shtator 2016, gjithçka nisi nga fillimi. Vritet duke pirë kafe Saimir Jaku, ish-drejtor i linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE, cili i kishte shpëtuar më parë një atentati. 6 vite më vonë policia arrestoi Dorjan Keqin nga Kruja, lidhje e grupit të Niklës. Por në gjurmim u vunë Reçtë. Konflikti për prishje të pazareve të drogës, u kthye në pistë kryesore hetimi. Një familjar i viktimës i thotë policisë: Më erdhën disa sms, nga një i panjohur P.P, ku më shkruante se Saimiri është konfliktuar me Gaspër Reçin, sepse kishte të dashur  mbesën e Reçve”

Një vit më vonë nga vrasja e Jakut, 28 prill 2017 në shtëpinë e tij në Romë, ekzekutohet Gasper Reçi, 43 vjeç, i skeduar për precedentë në fushën e narkotike. Brenda në banesë ishte vajza e tij e vogël. Asnjë autor i dyshuar. Pas 5 muajsh, më 6 shtator 2017 në Belgjikë, vritet Kreshnik Gjini 31 vjeç, nipi i Saimir Jakut.

“Ai ndihej i kërcënuar, daja e tij është vrarë në Shqipëri”, dëshmoi para hetueseve e dashura e viktimës, një vajzë me emrin  Kristina.

Hetuesit belgë e lidhën ngjarjen me hasmëritë në vendlindje. Më 12 Maj 2018, Tonin, (Armando) Gjini, arrestohet si pjesë e grupit të drogës, Met Kanani, dhe qendroi në burg për rreth një vit. Gjini u kap së bashku me 37 persona të tjerë, në një kohë kur u sekuestruan mbi 8.4 ton kanabis me vlerë tregu 10 mln euro.

4 muaj pas arrestimit, më 27 gusht 2018- Armandos apo Toninit, i qëllojnë me armë në Ishull Lezhë, djalin e xhaxhait, Arben Gjini i sapo liruar nga burgu për drogë në Itali. Atentati ndaj tij, u hetua edhe në lidhje me hakmarrjen e vjetër me Kazët, të cilët i vranë dy vellezër për gjakun e shefit të poliicsë Ndue Kazës. Dy muaj më vonë, vëllai Saimir Jakut, kushëri me Gjinët

Plot një vit më vonë nga përplasja në Ishull- Lezhë, 13 gusht 2019- Armando Gjini vritet në sy të dy fëmijëve. Ai u qëllua me breshëri, kur ndaloi makinën, dhe gruaja shkoi në dyqan për tu blerë diçka të vegjëlve. Disa muaj më parë 4 ditë pasi doli nga burgu, iu vendos tritol në makinë. Shpërthimi ndodhi, por Gjini ishte të bijtë në hyrje të shkollës.

Pa u mbushur viti, 7 janar 2020 Kastriot Reçi, përveç të tjerash, edhe pronar i TV lokal ekzekutohet përpallë lokalit të tij në qendër të Rrëshenit. I paskeduar vritet me një plumb të vetëm në zemër, me snajper. Reçi, që në atë kohë ruhej, dhe kontrollonte lëvizjet e kundërshtarëve, u qellua sapo takoi një grua me fëmijë përdore në shëtitoren e qytetit. Hetuesit zbuluan se snajperisti ishte veshur me fustan dhe kishte paruke, me një bisht pas koke.

“Me familjen Reçi nuk kemi konflikte dhe nuk kemi shkuar për ngushëllime pasi as ato nuk kanë ardhur tek ne për ngushëllime për vrasjen e djalit tim Armando Gjini”, dëshmon Gjergj Gjini.

“Nuk kam lidhje me vrasjen e Kastriotit. Nuk kam pasur asnjë marrëdhënie me viktimën prej vitesh, pasi vëllai im ka vrarë në vitin 1995 në qytetin e Rrëshenit Ilir Reçin, kushëri i Kastriot Reçit.”, deklaron Marjan Bardhi.

Në shtator të po këtij viti, 15 shtator 2020, mbi urën e Nisharakut në Tiranë u tentua eliminimi i Preng Gjinit vëllai i Armando Gjinit. Në pjesën e përparme të makinës e tij shpërtheu 400 gramë C4. Atentati u dyshua në lidhjet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve, por vetë Gjini e mohoi këtë gjë: Nuk kam asnjë hasmëri dhe konflikte me persona të tjerë. Më është vrarë vëllai por nuk mbaj përgjegjësi për veprimet e tij.

Kur fiks tre muaj më pas, në 15 dhjetor 2020 u vra Anton Keli, duke zbritur nga makina e tij, mirditorët thonin “Pushka ka marrë për keq” . Keli u qellua me pistoletë nga afër. Kushëri i tretë me Armando dhe Preng Gjinin, por njihej si person që nuk përfshihej në çështjet e tyre. Në këtë rast Reçtë reaguan përmes avokatit të tyre duke u distancuar nga ngjarja. Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta shkruan:  Mjaft më me vrasje. Rrësheni, u përgjak sërish. Prapë një vrasje tjetër pa autor. Pendohuni! Do të vijë një ditë gjykimi i Zotit, në këtë botë e në tjetrën. Nuk do t'i shpëtojë dot askush

Ata që ekzekutuan 61-vjeçarin Martin Bardhin më 26 shtator, një tjetër vrasje pa autorë,  nuk pyetën as për policinë përballë lokalit të viktimës, ndaj të cilit shtinë me breshëri. I sapo liruar nga burgu, ai humbi jetën në vend, kurse Indrit Bardhi, Ilir Bardhoku dhe Olti Gjini, në tavolinë me objektivin u plagosën. U fol për konfliktin më 26 Mars, mes djalit të tij Enrik Bardhi dhe Saimir Reçit, nip i Kastriot Recit në 2020.

“Dihet konflikti që kanë pasur mes fisesh po punojmë për zbardhjen e ngjarjes” tha drejtorit të policisë së Lezhës Alfred Elezi.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • arki: 21/10/2023 14:57

    Nik Gjinaj nder cunat me te mire te Mirdites eshte vrare kot ne Belgjike pa asnje faj ne keto histori, e di gjithe Mirdita. Shikoni kush jane drejtorat ne polici qe kane 20 vitet e fundit ne karriere e do kuptoni kush i ngaterron keto histori me vrasje. Diku paguhet leke ne polici se te veiten 7 vete per 5 vite pa asnje autor nuk eshte e thjeshte, diku paguhen kafet

    Përgjigju
  • Çupi: 21/10/2023 14:14

    Ata "hetuesit" e vjetër e ngatërrojnë Kazën kot në këtë mesele...ajo punë kreu, filluan femrat në Itali, skafet në Vlorë, dhe kanabisi e kokaina 10 vjetët e fundit...këtu është meseleja....

    Përgjigju
  • Pse mor: 21/10/2023 10:54

    A jan ne terezi keta apo jo? Qysh vritet kusheriri i brezit te trete Keli per hasmeri kur nuk ngaterrohej me kusherinjt ne hasmeri? O ju vrafte Zoti te gjith ju budallenjve ...borxh pa la è hak pa mar ok por kshu o trapa

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?