Gjuha e bukur shqipe me rrënjë të lashta, ku mbi fjalët parake të ilirishtes lulëzuan emocionet, ndjenjat, këngët, vallet, legjendat, baladat artet dhe kultura e popullit shqiptar, i ka magjepsur jo pak herë studiuesit dhe albanologët e huaj.
Veçanërisht, janë ata që kanë një lidhje shumë më të ngushtë me shqipen, duke e parë si një kulturë e trashëgimi të rrallë të njerëzimit, sepse ata vetë me intuitën e tyre krijuese zgjodhën të studiojnë rrënjët, kulturën e përdorimit dhe historinë e saj.
Kështu, në një ditë të bukur nisën t’i përkushtohen me pasion mësimit të shqipes, duke e lidhur kuptimin e saj në një mënyrë të pandashme me psikologjinë dhe shpirtin e gjallë të popullit shqiptar.
*
Sir Noel Malcolm, politikan, gazetar, historian, akademik anglez, deri në një moshë madhore, as që e dinte se ku binte Shqipëria dhe nuk kishte asnjë të dhënë për gjuhën e saj.
Lidhja me të ndodhi pas shkëlqimit të karrierës së tij në fushën e studimeve. Ai sot studion historinë dhe kulturën shqiptare dhe ligjërimi i tij në gjuhën shqipe nuk ka nevojë për shumë koment.
Si kanë nisur njohjet tuaja me Shqipërinë?
“E kam njohur Shqipërinë pasi nisa më parë studime të tjera në vende të ndryshme në Ballkan si Bosnje, Rumani etj, dhe kuptova se mungonte çelësi i Ballkanit, domethënë vendet shqiptare. Në fillim shkrova një libër për historinë e Bosnjës dhe pastaj pak më vonë shkrova për historinë e Kosovës. Mendova se do të kemi luftë në Kosovë dhe ishte e rëndësishme se ajo që unë duhet të bëja ishte një histori jo propagandistike e Kosovës.
Dhe historia e Kosovës dhe e Shqipërisë janë aq të ndërlikuara. Natyrisht nisa të interesohem edhe për historinë e Shqipërisë.
Kohët e fundit kam shkruar edhe për Ali Pashën. Shumë interesante si figurë dhe kam gjetur shumë material të panjohuar në arkivat britanike dhe në Francë dhe interesohem e kam studiuar për gjithëlloj figurash dhe histori të shqiptarëve dhe kam zbuluar e mësuar kështu shumë për historinë e shqiptarëve.” - thotë akademiku Sir Noel Malcolm.
*
David Hosafloock është një studiues amerikan që është lindur dhe rritur larg Shqipërisë dhe popullit të saj. Ai nuk ka asnjë lidhje gjaku me shqiptarët dhe ballkanasit, por të lë pa fjalë me saktësinë dhe tejndjeshmërinë me të cilën e flet gjuhën tonë, dhe akoma më tepër të befason me mënyrën sesi e shkruan.
“Pra, në fillim ishin takimet me shqiptarët e parë, të cilët i kam njohur dhe më kanë mësuar me jetesën e shqiptarëve, pastaj nisi interesi për gjuhën.
Kur nisa të studioj pastaj për lëvizjen protestante zbulova që predikimi i parë ishte në Selanik në gjuhën shqipe. Normalisht duhet të shkoja të takoja Dhori Qiriazin e që më priti shumë mirë. Prandaj në këtë rast dua të them se klubi i albanologëve është i vogël, sa edhe kombi shqiptar. Kështu, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin. Libri im ( “Lëvizja protestante te shqiptarët, 1816-1908”) prandaj sjell një prurje të re dhe shumë voluminoze me material të panjohur, dhe të pahulumtuar pothuajse. Dhe kur kemi këto bashkëpërkime të studimeve dhe fakteve dhe duke shtjelluar këto fakte, jam dakord t’ju kthejë nderin, sepse ju më keni ndihmuar edhe mua. Ju faleminderit e suksese të gjithëve! –thotë David Hosafloock.
*
Aleksandër Novik bjellorus, i dashuruar me historinë e shqiptarëve të Ukrainës, gjuhën shqipe e dëgjoi për herë të parë gjatë studimeve universitare.
Që atëherë zgjodhi ta mësonte dhe t’u referohej studimeve të gjuhës dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, me pikënisje nga arbëreshët e Ukrainës.
“Kështu pothuajse tërë jetën time merrem me gjuhën shqipe dhe nuk është vetëm kënaqësi, por edhe obligim të flas shqip. Gjuha shqipe është shumë vështirë nga pikëpamja gramatikore, por edhe populli shqiptar është një popull me shumë tradita dhe jeton jo vetëm në Kosovë, por edhe në jug të Malit të Zi, në Maqedoninë e Veriut dhe në trojet shqiptare jashtë kufijve e më gjerë, ndaj mua më duhet të shkoj kudo në Ballkan ku jetojnë shqiptarë.
Unë e dashuroj gjuhën shqipe, po aq sa gjuhën ruse, për mua të dyja gjuhët janë pothuajse gjuhë amtare.”-thotë Aleksandër Novik.
*
Italo Sarro ka lindur në provincën e Kozencës në Itali. Ai është autor i disa veprave kushtuar Shqipërisë, ku gjurmon historinë e gjuhës dhe vendbanimeve arbëreshe, edhe kur ata vetë janë integruar gjatë shekujve me popullsinë italiane.
E njeh aq mirë gjuhën shqipe, sa ngandonjëherë ka frikë se mos ia prish bukurinë asaj, sidomos kur është përpara kamerave, ka raste që lutet që ta intervistojmë në italisht. Shqetësim i kotë, ai flet bukur shqip. Më shqip se kaq, nuk bëhet…..
“Origjina ime është nga Kalabria. Mbiemri im është Sarro. Ki mbiemër ka të vijë nga Sharri, emri i malit të Sharrit, se arbëreshi kur mërgoi mbajti emrin nga vijmë; o vij nga mali, o vij nga liqeni dhe mbetet mbiemri. Mbiemri im është Sharri. Ishëm nga Sharri.” -thotë Italo Sarro.
I kujtoj prof. Sarro-s se druhet kur thotë se flet pak shqip:
Por ju flisni shumë mirë gjuhën arbëreshe, dhe arbërishtja është një vlerë e mirë për studiuesit. Kush ua mësoj shqipen?
“(Qesh…) Ma mësoi nëna e tata. Ne ishim në katund arbëreshe, e të gjithë flisnim arbëreshe. Gjuha sot po bdirret se televizioni e media e largojnë gjuhën amë. Por kemi traditat tona dhe mbrojat arbëreshe dhe gjindja e ndjen se e kemi këtë gjuhë. Mama ime ka pasur mbroja arbëreshe kur u martua. Deri më 1960-n në fshatin tim ishin të veshur të gjithë me mbroja arbëreshe.”- thotë Italo Sarro.
*
Konstantinos Giakoumis i lindur dhe i rritur në Athinë, sot jeton në Shqipëri. Kontaktet e para me shqipen i ka nisur që në vitet e para të tranzicionit postkomunist, kur ishte student. Ai erdhi në një ekspeditë kërkimore nëpër monumente të ndryshme nga Universiteti i Athinës. Në atë kohë i lindi nevoja të mësonte dhe të fliste gjuhën shqipe, vetëm atëherë zbulon se kjo ishte gjuha e gjyshes së tij arvanitase, ku pak fjalë të saj i kishin mbetur në kujtesë nga fëmijëria, siç është fjala kotofolo, një fjalë ndoshta më origjinale dhe shumë më e bukur se ajo që përdorin shqiptarët e sotëm; llafazan.
Interesante është për ne shqiptarët që shumë nga albanologët e huaj dinë mirë shqip, sepse kjo gjuhë është e vështirë edhe për ne vetë, kur bëhet fjalë për saktësinë në gramatikë, sintaksë, shprehi. Si e nisët peripecinë e mësimit të shqipes?
“-Është interesante. Unë kam ardhur në Shqipëria pak kohë se të hapeshin kufijtë dhe duke qenë se në atë kohë dija greqisht vetëm më kërkuan të futesha në kursin e shqipes e u futa në kursin e gjuhës shqipe me Titos Johalas në Athinë.
U lidha me gjuhën shqipe se m’u kujtua se kur isha i vogël gjyshja më fliste me një gjuhë fëmijësh, që kështu e kujtoja unë, por më vonë mësova se ishte arvanitase. Ajo më thoshte “ise kotofolos”, ajo e kishte për fjalën shqipe je kotfolës, flet kot, llafazan, domethënë.” -thotë Konstantinos Giakoumis.
Tashmë Shqipëria është shtëpia e tij ….
“Ne kemi një subtstrakt kulturor të përbashkët, si fqinj dhe unë mundohem ta nxjerrë në pah.” - thotë Giakoumis.
“Po dhe ne si fqinj në kufij kemi marrë fjalë nga greqishtja; i themi borzilokut vasiloko.”, i them.
“Po më kujtove, unë nusen e kam shqiptare nga Zagoria. Unë jam zagorit nga fshati i gruas. (qesh). Se gjyshja e saj nga Zagoria, thotë: Zgjohu Alma se u feks. U feks është në greqisht.” - .” -thotë Giakoumis.
“Nga ishte gjyshja juaj”, -e pyes.
“Ajo u lind në Greqinë qendrore, se babai i saj ka qenë polic dhe lëvizte, por origjina është nga një fshat Taraburra. Emri i ngeli ku erdhën arvanitët atje, që ishin luftëtarë dhe u bë një fshat me të gjithë burra, të cilëve iu lejuan në vonë të sillnin gratë e tyre dhe krijuan familje.” -thotë Konstantinos Giakoumis.
*
Ioannis Vitaliotis anëtar i Akademisë së Shkencave të Athinë, duke mësuar gjuhën shqipe zbuloi se në dejet e tij kishte prejardhje jo vetëm të arvanitasve ortodoksë, por edhe të arvanitasve katolikë. Prej vitesh duke studiuar rrënjët e gjuhës, kulturës dhe historisë së shqiptarëve, ai ka nisur të lidh nyjet e këputura të origjinës së tij.
“Jam historian i artit bizantin dhe pasbizantin dhe jam kërkues në një qendër shkencore në univesitetin e Athinës. Jam me origjinë nga jo nga nëna, por nga ana e atit arvanitas, dhe duke mbaruar doktoraturën në Paris takova dy kolegë profesorë shqiptarë, arkeologë; Skënder Muçaj dhe Luan Përzhita, rastësisht në bibliotekën e Parisit.
Kemi folur frëngjisht, se në atë kohë unë dija pak arbërisht, arvanitka, dialektin e vjetër, jo shqipen letrare, jo shqipen e sotme. Më ftuan në Shqipëri për të bashkëpunuar në kërkimet arkeologjike në fushën e studimit të pikturës paleokristiane dhe bizatine.
Më ftuan, dhe të them të drejtën nuk u nisa me interesin për të ardhur në Shqipëri e të bëjë kërkime arkeologjike.
Gjuhën shqipe e mësova më lehtë dhe më duket se e mësova edhe qejf, dhe jo si një detyrë siç mësojmë anglishten se duhet ta mësojmë se na duhet që të komunikojmë.
E mësova për qejf. Dhe pastaj rastësisht me takimin (qesh, eh, rasti nuk ekziston për mua), u hap një derë që unë s’e kisha fare parasysh që të vija në Shqipëri edhe për të bashkëpunuar me kolegë shqiptarë.
“Sapo komunikon me shqiptarë kamë vënë re se shqipja jote flitet më rrjedhshëm sesa para kamerës”, -I them. Ai qesh. “Është e vërtetë -thotë. “Jam autodidakt. Faktikisht më ndihmoi pak një mik grek që di arbërisht të vjetër dhe ka mësuar në një shkollë shqipe letrare dhe më ndihmoi edhe me një metodë Dhori Qiarizi. Por të them të drejtën nuk e mbarova metodën. Kam edhe disa shënime pa plotësuar. Pra shënimet janë në gjysmën e saj dhe unë nuk e kam mbaruar.” – thotë akademiku Ioannis Vitaliotis.
“Nga cila zonë e Shqipërisë, Ilirisë, mund të kenë qenë paraardhësit e tu?
“-Nuk dimë saktësisht, mund të flasim sa të duam, por do ta shkurtojë përgjigjen. Ata ishin arvanitas, por gjuha arvanitase ishte një dialekt toskë, por brenda avanitases ka edhe shumë nëndialekte, si në ishullin e babait tim, Andros, ka elementë gegë. Për shembull. Thomi neve “ma”. Ne nuk thomi më i shkurtër, por thomi ma i gjatë se u, ai ishte ma i shkurtë se u.” -thotë Vitaliotis.
A keni zbuluar se keni elementë katolikë të fesë arvanitase?
“Nuk kemi elementë katolikë të fees. Janë ortodoksë të gjithë arvanitasit, por ka në ishullin Andros disa emra që vijnë nga veriu dhe për mua është një mister, elementë katolikë të fesë, kemi vetëm një që I themi Shën Maria, por pak. Ndërsa kemi disa mbiemra që vijnë nga veriu; Biba, Gjoni. Pra këto mbiemra janë nga veriu i Shqipërisë me prejardhje katolike, por janë ortodoksë atje.” -thotë Vitaliotis.
Po ju vetë, sipas studimeve të antropologëve keni një fizionomi që ngjani me malësorët shqiptarë?
“-Ah, po, ngjaj shumë nga gjyshi nga babai, jo nga gjyshi nga nëna se nuk ishte ai arvanit, por nga babai ngjaj shumë….” -thotë akademiku Ioannis Vitaliotis.
Dashuria për gjuhën shqipe e këtyre studiuesve dhe akademikëve të huaj, nuk ka më kthim pas. Kjo dashuri rritet e pasurohet nga pasioni i pashuar për shkencën gjuhësore, që përkthehet prej tyre në mijëra forma, dashuri për Shqipërinë, historinë, kulturën dhe njerëzit e këtij vendi.