Speciale/ Blegtorët në udhëkryq, të zgjedhin kullotat apo emigrimin! Realiteti i trishtë i çobanëve që udhëhiqen nga pasioni (VIDEO)

20 Prill, 18:16| Përditesimi: 20 Prill, 18:19

  • Share

Thonë se blegtor të bën vendlindja. Të bën tradita e të pareve. Dashuria për tokën dhe fshatin. Blegtori nuk njeh moshë. Është i gatshëm të qëndrojë prej mëngjesit në mbrëmje në shërbim të dhenve e gjedhëve. Por pasioni e dëshira nuk mjaftojnë për t’u siguruar jetesën e përditshme këtyre njerëzve.

Në fillim të muajit prill me dhjetëra blegtorë udhëtuan me traktorët e tyre nga Kavaja, Vlora, Berati, Fieri, Lushnja dhe u mblodhën në protestë tek rrethrotullimi i Savrës në autostradën Lushnje- Fier.  Në shenjë demonstrative blegtorët kanë derdhur një tanker me qumësht të freskët në rrugë.

Protestuesit u shprehen se qumështi shitet me çmim tejet të lirë, pasi grumbulluesit dhe fabrikat e përpunimit të bulmetit kanë fiksuar çmimin. Aktualusht një litër qumësht shite me shumicë 67 lekë, ndërsa një vit më parë ishte me 77 lek/litër.

Fermerët kërkuan nga Ministria e Bujqësisë të ulen në bisedime përndryshe do të intensifikohen protestat. Por Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj iu përgjigj në mënyrë indirekte protestuesve teksa shkruan në rrjetet sociale se “formalizimi përmes kontratave në marrëdhënien blegtor-pikë grumbullimi është rruga e vetme për të garantuar një treg të sigurt dhe me çmime të balancuara”

Këta janë blegtorë me mbi 100 krerë dele ose dhi e më shumë se 10 krerë lopë. Akoma më i trishtë është realiteti i atyre që nuk kanë mundësi të arrijnë këta numra për të përfituar subvencionin modest. Hasan Liçi 85 vjeç nga Krasta e Elbasanit. Prej 6 dekadash merret me blegtori. E ka punë por edhe pasion të cilin thotë se e trashëgoi nga gjyshi.

Sot mosha e ka detyruar të ulë numrin e krerëve, pasi të rinjtë në familje preferojnë t’i qëndrojnë larg blegtorisë dhe bujqësisë. Ndërsa përpiqet të bindë të rinjtë ti përkushtohen blegtorisë, pasi çmimi i bulmetit dhe mishit është rritur ndjeshëm bariu thotë se ai vetë do të tërhiqet nga kujdesi për kafshët vetëm kur të mos ia lejojë shëndeti.

Të dhënat zyrtare flasin për një rënie me 2 mijë krerë gjedh në Qarkun e Elbasanit krahasuar me një vit më parë, ndërsa në bagëtitë e imëta ulja rezulton me 1 mijë krerë.

Tufat e bagëtive të imta janë pakësuar në qarkun e Kukësit, por ka ende shpresë se blegtoria mund të mbijetojë përsa kohë gjejmë çobanë të apasionuar si Blerim Thaçi. E takojmë 32-vjeçarin teksa kullot dhitë e rracës autoktone në një shpat mali në fshatin Domaj të bashkisë së Hasit. Bashkë me xhaxhain kanë investuar në këtë sipërmarrje jo të lehtë, pasi i vetëm, tregon ai, është vështirë të mbarështosh 220 krerë.

“Kemi 220 krere bashkë me një kushëri, i kullosim me marrëveshje një here unë njëhere ai. Janë dhi të kuqe, dhi hasi. Tani është vështirësia më e madhe se janë duke u shtuar. Humb dhia në mal e han ujku. Mundi me i madh eshte tani.  

“Me këto jetojmë, i shesim kecat. Duhet me e rujt 6 muaj me e shit kecin. Këtu në fshatin tem vetem unë jam. Andej nga Gjinaj kanë 3 tufa”.

Blerim Thaçi tregon se vite më parë emigroi në Greqi ku mësoi zanatin e muratorit, fitimet ishin më të mira atje, por u kthye në vendlindje për të mos braktisur prindërit e moshuar dhe sot është çoban, traditë e trashëguar nga i ati.

“Tan jetën çoban, që i vogël i kam ndihmu babës. Baba është lodh më ngelen mua.”

Mbarështimi i dhenve është punë me leverdi sepse është rritur kërkesa në treg për mishin dhe qumështin, por duhet më shumë mbështetje nga shteti për të mbuluar shpenzimet. Skema e subvencionit parashikon 1200 lek/ krerë, por një vit më parë Blerimi mori vetëm 600 lek për krerë. Pra në total 130 mijë lek për gjithë tufën.

“Shteti duhet me na ndihmu me subvencione. Vjet kemi marr gjysmen e asaj që na takonte.

Një problematikë tjeter është rruga e amortizuar rreth 40 kilometra që lidh fshatin e tij, Domaj me qytetin e Kukësit.

“Rruga është problemi më i madh. Gjeja kryesore është rruga”.

Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Bujqësisë në Kukës, para 10 vitesh në shkalle qarku kane qene 60 mije krere te imta ndersa sot janë 45 mijë krerë. Shkaqet e rënies së numrit te krereve jane emigrimi dhe pagesa e ulët e subvencioneve krahasuar me vendet e rajonit.

Problematika të ngjashme gjejmë ngado nëpër Shqipëri.

Blegtorët që takuam në fushat e Maliqit thanë se po falimentojnë këtë vit, për shkak të rënies drastike të çmimit të qumeshtit. Ankohen se nuk mbulojnë dot as shpenzimet për ushqimin blegtoral. Kanë ngritur zërin ne protesta, por asnjë zgjidhje nuk kanë marrë.

“Qumështi është shumë i lirë. Një litër ujë është 700 lekë. Një litër qumësht është 500 lekë (te vjetra). Do ia japim atyre që i merr me aq sa i merr. Ca ti bëjmë.” tha një fermer.

“Me 1200 lek (te vjetra) për litër na e marrin, ndersa vjet ishte me 1400 lekë/liter. Nuk ke ku të ankohesh. Ka shumë vështirësi se nuk del gjë. Me të keq. Nuk ke ku të punosh, të paktëm këtu e ke punën tënde”, tha një tjetër fermer.

“Shumë shumë 550-600 lekë. Ca e shesim e ca e mbajmë. Marrim 2-3 mijë lek në ditë. Asnjë ndihmë nga shteti”, tha një tjeter.

Blegtorët e vegjël nuk marrin as subvecione, ndaj janë të goditurit nga tregtia e pandershme. Skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi, parashikon pagesa për fermeret me tufa te medha deri në100 krere dele ose dhi si dhe per ata qe kane me shume se 10 krere lope.

“Subvencione nuk të japin. Duhet të kesh 100 kokë dhen për të marrë. Unë kam 5 dhen dhe 11 lopë. Lopët i bëra, tani të shohim po na dhanë.”

Mungesa e subvencioneve ka sjellë rënie të numrit të bagëtive, jo vetëm në Maliq por në gjithë qarkun e Korçës. Të dhënat e Drejtorisë së Bujqësisë për vitin 2023 tregojnë se në total janë 217 mijë krerë bagëti të imta, ndërkohë që para 4 vitesh qarku juglindor kishte 300 mijë krerë.

E gjithë kjo panoramë, për shumicën e fshatrave në Shqipëri I ka vendosur blegtorët në udhëkryq. Për disa është zgjedhje pa të cilën nuk jetojnë dot:

“Të rinjve u bëj thirrje të kthehen e të punojnë tokën.” thotë çobani 85 vjeçar nga Krasta.

“Ma me leverdi asht jashtë shtetit, kam qenë 4 vjet në Greqi dhe kam punu mjeshter, murator. Ma fitim kam në zanatin tim, por tash i kam për zemer dhente. Mi la baba tash me vjen keq me i shit. Atë punë që do më shumë duhet me e ndjek. Unë ua di dhive ndaj merrem me to”. tregon Blerim Thaçi nga Hasi.

Për të tjerë nuk është zgjidhja e mangësive finaciare:

“Unë u ktheva për familjen. Tani jam në moshë, por do të ikin djemtë.” shprehet blegtori nga Kallmi i Fierit.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?