SPECIALE/ Çfarë është bërë me rindërtimin deri më sot një vit nga tërmeti tragjik? (VIDEO)

26 Nëntor 2020, 10:59| Përditesimi: 26 Nëntor 2020, 11:14

  • Share

Zgjimi pa ikur nata në 26 nëntor 2019 erdhi ndryshe, frikshëm, dhimbshëm dhe i dëmshëm për qindra e mijëra familje shqiptare.

Toka u dridh nga një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, me thellësi 38 km, me epiqendër  22 km nga Durrësi dhe 30 km nga Tirana. Mjaftuan vetëm disa sekonda që të shuheshin 51 jetë, mbi 900 të plagosur, 17 mijë familje mbetën të pastreha e deri në 202 mijë e 291 persona u prekën në mënyrë direkte e indirekte në të gjithë vendin.

Teksa dëmet vlerësoheshin ditë pas dite, me dhjetëra familje u strehuan nëpër çadra në mënyrë provizore për tu zhvendosur më pas në ambiente me qira, ku detyrimi mujor u mor përsipër nga qeveria.

11 bashki ndër më të prekurat Shijaku, Durrësi, Kruja, Tirana, Kamza, Kavaja, Kurbini dhe Lezha u kapluan nga gjendja e emergjencës së fatkeqësisë natyrore deri në mars të vitit 2021, ndërsa operacionet e kërkim shpëtimit në gërmadhat e banesave vijuan për më shumë se një javë, me shpresën se poshtë tyre do të kishte ende jetë.

Përveç anës sociale, ishin me qindra pallate, banesa, biznese dhe institucione u dëmtuan. Në vlerë monetare të gjitha dëmet u vlerësuar nga ekspertët mbi 1 miliardë euro, dhe dëmet më të mëdha mbi 696 milionë euro ishin në strehim, ndjekur nga humbjet tek biznesi me 150 milionë euro dhe së treti turizmi me 90 milionë euro dëme.

Buxheti i shtetit, shoqatat e bamirësisë dhe donator vendas dhe të huaj morën përsipër emergjencat e para, por sytë ishin nga Konferenca e Donatorëve e titulluar “Bashkë për Shqipërinë”. Kabineti qeveritar më 17 shkurt zbriti në Bruksel në konferencën e organizuar nga Komisioni Evropian për të prezantuar dëmet dhe për të kërkuar mbështetjen e tyre për të rindërtuar vendin, dhe pjesë e saj ishin mbi 100 shtete.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj prisnin nga konferenca që të plotësonte 40-60% të dëmeve ekonomike të shkaktuara, por ndërkombëtarët i tejkaluan të gjitha pritshmëritë. Shtetet e huaja i premtuan vendit 1.15 miliardë euro, nga të cilat 300 milionë euro ishin grante, dhe 850 milionë euro ishin kredi të buta.

“Është një moment fantastik që të kuptojmë që BE mund të na ngrejë nervat por është unik dhe projekti më vizionar dhe më i mrekullueshëm që i ka bërë të gjithë njerëzit bashkë”, ishin këto fjalët e para që kryeministri Edi Rama në përmbyllje të konferencës.

Me premtimin se brenda 2 vitesh familjet do të ishin të gjithë në banesat e reja, nxënësit në godinat moderne, infrastruktura publike më e mirë dhe institucionet të riparuara qeveria rikthehet në vend me objektivin madhor ‘Rindërtimi i Shqipërisë’.

Mbështetja më e madhe financiare u dha nga Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian, ndërsa shumë shtete u zotuan për ndërtimin e banesave individualisht. Turqia ishte ndër shtetet që ka nisur ndërtimin e 524 banesave individuale në Laç.

Por çfarë është bërë deri më sot një vit nga tërmeti tragjik?

26 nëntori i vitit 2020 i gjen qytetarët ende pa strehën e tyre private, por në banesa me qira dhe 1200 të tjera në çadra, pasi rindërtimi nuk ka përfunduar. Banesat e para, është premtuar se do të dorëzohen në dhjetor 2020.

Janë rreth 1000 familje që pritet të hyjnë në shtëpitë e reja në fund të këtij viti, ndërsa deri në mars të 2020, është premtuar që do të marrin në dorëzim banesa e reja 3 mijë familje. Ndërsa i gjithë procesi për ndërtimin e banesave individuale është parashikuar të mbyllet në maj të vitit 2021.

Ndërsa Kamza është e vetmja bashki ku puna ka mbetur peng e tenderave që kanë dështuar dhe kanë rezultuar të pasuksesshëm.

Sa i takon anës financiare fillimisht Ministria e Financave në buxhetin e vitit 2020 akordoi një fond prej 20 miliardë lekësh për të nisur rindërtimin. Ndërkohë më pas buxheti për këtë investim u shtua edhe me 14 miliardë lekë, për të avancuar më tej, duke e çuar fondin në 34 miliardë nga të cilat 3 miliard ishin donacione.

Deri më tani janë alokuar në projekte 33 miliardë lekë. Sipas Ministrisë së Rindërtimit janë financuar 4 projekte, konkretisht me 7.2 miliardë për objektet arsimore, 7.1 miliardë lekë për banesa, 9.2 miliardë për grante rikonstruksioni dhe 2.4 miliardë për infrastrukturën publike.

Ndërsa sa i takon njësive zbatuese janë dhënë deri më tani 10.3 miliardë lekë për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, 6.9 miliardë për bashkinë e Tiranës, 9 miliardë grante për bashkitë, 137.4 milionë lekë për Agjencinë Kombëtare për planifikimin e Territorit dhe 6 miliardë lekë për zëra të tjerë. Me të gjitha këto fonde në total pritet të ndërtohen 3,470 banesa individuale dhe 4,646 banesa kolektive (apartamente).

Ndërkohë janë 167 Objekte Arsimore në programin e Rindërtimit, nga të cilat 37 godina kanë njësi FSHZH, 38 Objekte Bashkia Tirane dhe 92 Objekte Donatoret. Nga këto 34 objekte kanë filluar punimet parashikohen të mbarojnë afërsisht në javën e dytë e të tretë të dhjetor 2020.

Nga ana tjetër fondet e premtuara të donatorëve nuk erdhën deri më tani në dorë të qeverisë, por u menaxhuan nga vetë shtetet përkatëse. Të gjitha shtetet që vendosën të japin grante dhe kredi morën përsipër të ndiqnin procedurat tenderuese e deri tek investimi vetë.

 “Unë jam shumë i kënaqur me fondeve të vendosura në dispozicion nga donatorët pot nuk jam i kënaqur me shpejtësinë e punimeve nga ata. Ne po i përfundojmë shkollat me fondet e buxhetit të shtetit, ndërsa ata ende nuk i kanë filluar”, u shpreh më 10 nëntor ministri i Rindërtimit në Komisionin e Ekonomisë. 

Përthithja e këtyre fondeve ka qenë një proces i ngadaltë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Rindërtimit, aktualisht grantet e angazhuara midis donatorëve dhe shoqatave shqiptare arrijnë në 277 milionë euro në projekte, dhe janë miratuar 18 marrëveshje me 260 milionë euro, dhe janë 3 marrëveshje të tjera. Ndërkohë, Ahmetaj deklarojnë se krahas granteve, po negociohet edhe për 3 hua në vlerën e 250 milionë eurove.

Po ashtu për qiratë e familjeve deri tani kanë shkuar 3 miliardë lekë dhe janë strehuar 14 mijë familje, dhe janë parashikuar 1.5 miliardë lekë për vitin që vjen.

Për vitin që vjen për rindërtimin do të jepen 28 miliardë lekë ndërkohë që pritet të përmbyllen një pjesë e pallateve përveç përfundimit të banesave individuale. Ndërkohë i gjithë programi të rindërtojmë vendin është premtuar të përmbyllet në vitin 2022, vit kur do të jepen 6 miliardë lekë.

Edhe pse rindërtimi po vijon duket se frytet reale të tij nuk do të jenë këtë vit por në 2021, për këtë arsye ai është karta e fortë e rimëkëmbjes ekonomike dhe e fushatës zgjedhore. Për këtë arsye edhe akuzat e opozitës kanë qenë të ashpra, por qeveria gjithmonë ju është përgjigjur njësoj.

“Rindërtimi është fytyra dhe përgjegjshmëria e qeverisë”, u shpreh Rama.

“Tërmeti i nëntorit ishte një mësim i madh, kemi parë çudira” kështu u shpreh në shtator drejtori i Institutit të Ndërtimit, para se të largohej nga jeta i ndjeri Agron Hysenlliu.

Ora 11:53
Varhelyi: BE në krah të Shqipërisë në procesin e rindërtimit

Një vit pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin tonë, atë e ka rikujtuar edhe komisioneri Evropian për Zgjerimin Olivier Varhelyi.

Varhelyi me anë të një postimi theksoi edhe njëherë mbështetjen që BE, i ka dhënë Shqipërisë në procesin e rimëkëmbjes.  

“Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë Shqipërinë edhe një vit pas tërmetit të 2019 dhe mbështetjes së treguar në konferencën e donatorëve e organizuar nga Komisioni europian. BE po ndihmon në rehabilitimin dhe rindërtimin e 58 objekteve shkollore për mbi 20,000 studentë. Po ashtu mbështet rehabilitimin e trashëgimisë kulturore dhe objeketeve të dëmtuara nga tërmeti.”



Në fjalën e tij ai theksoi se rindërtimi ndjek parimet e llogaridhënies dhe transparencës dhe ndërtimit më të fuqishëm dhe në të mirë të të gjithëve.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ema: 26/11/2020 11:20

    E embel apo e hidhur gjendja ka hecur mir ne krahasim me shum shtete edhe fqinjet tan qe termetet kan me shum se 25 vite qe kan ren e njerezit flen akoma ne barake

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?