Sociale
Speciale

SPECIALE/ Çifti nga Gjakova zbulon ‘sekretin’ e marrëdhënies së lumtur: 15 vite udhëtime, natyrë dhe dashuri pa kushte (VIDEO)

31 Maj, 14:16| Përditesimi: 31 Maj, 14:25

  • Share

Në një fugon të modifikuar për kamping, të parkuar buzë shëtitores së qytetit të Kukësit, ku malet mbulojnë horizontin si gardianë të heshtur, qëndrojnë dy figura të qeshura, Veton Sylhasi dhe Mërgime Mula, një çift nga Gjakova që prej më shumë se 15 vitesh nuk i kanë ndarë udhëtimet nga jeta, as natyrën nga dashuria.

Veton Sylhasi, 55 vjeç, menaxher i projekteve arsimore, dhe bashkëshortja e tij Mërgime, 48 vjeç, ekonomiste, janë simbol i një lidhjeje të veçantë, jo vetëm bashkëshortore, por edhe shpirtërore me tokën, pyjet, malet dhe çdo cep të paprekur të trojeve shqiptare.“ Kamperi është shtëpia jonë e dytë “thotë Vetoni , duke përkëdhelur qenin e tyre që i shoqëron në çdo aventurë dhe në arratisjen e tyre në natyrë në vendet e vogla te atdheut tim te madh siç shprehet Vetoni.

Fugoni i tyre, shtëpi në rrota, është bërë dëshmitar i qindra netëve nën qiellin shqiptar, në plazhe të izoluara, në maja të larta apo buzë liqeneve të qeta. Më shumë preferojnë të udhëtojnë bashkë për të pasur mundësi që vendet më specifike janë më të lehta për tu eksploruar. Ata kanë një adhurim të veçantë për Shqipërinë sepse sipas tyre ka thesare të fshehura. Fillimet e tyre si çift nuk kishin luksin që kanë sot, por kishin ëndrrën.

Një biçikletë, një çantë shpine dhe një hartë ishin mjetet e para të eksplorimit të tyre, të cilat i afruan më shumë me natyrën dhe me njëri-tjetrin. Ky pasion i përbashkët për lirinë që ofron natyra është bërë themeli i një marrëdhënieje të fortë e të qëndrueshme. Kur dëgjuan për organizimin e gjysmë maratonës së parë në Kukës, “Kukës Half Marathon 2025”, ata nuk ngurruan asnjë çast.

Jo për të konkurruar por për të qenë pjesë e një feste që ndërthur natyrën, sportin dhe komunitetin. Në këtë ngjarje, e organizuar nga Qendra për Progres Rinor Kukës, morën pjesë rreth 200 vrapues nga Shqipëria, Kosova, Evropa dhe Afrika e Jugut. Qyteti i Kukësit u gjallërua nga ngjyrat e veshjeve sportive, ritmi i hapave, brohoritjet dhe fryma pozitive e një komuniteti që festonte jetën në natyrë.

Figura kryesore në garë ishte padyshim kampionia Luiza Gega, e cila triumfoi në garën e 21 kilometrave për femra. Ajo ndau emocionet e saj me publikun dhe përgëzoi Kukësin për mikpritjen dhe organizimin.

Fitues të tjerë në kategori të ndryshme ishin Bledar Mesi dhe Albion Ymeri, të cilët u vlerësuan për perfomancën e tyre të shkëlqyer.

Enkas për të qenë pjesë e këtij komuniteti që dashuron natyrën është edhe Shpresa Çorapi, siç e njihnin kuksianët e para viteve '90, sot quhet Shpresa Malushi. U largua nga Kukësi në moshën 14-vjeçare, por kurrë nuk e la pas qytetin e lindjes. Edhe pse simboli i dikurshëm i Kukësit "Turizmi i Ri" është shkatërruar, kujtimet e fëmijërisë, aromat e qytetit dhe lidhja shpirtërore me vendlindjen kanë mbetur të paprekura.

Jetën e saj e ndërtoi në Tiranë, ku u martua, krijoi familje dhe zhvilloi një karrierë të gjatë si mjeke por gjithmonë e ka ndjerë që një pjesë e saj mbeti në Kukës. Sot, në moshën 64-vjeçare, është në pension. Tashmë e gjen në pistë, me atlete sportive, duke vrapuar nëpër qytetet shqiptare bashke me bashkëshortin. Në Kukës u kthye këtë herë për një arsye të veçantë, pjesëmarrja në "Half Marathon Kukës 2025".Sinkron..Prej tre vitesh bashke me bashkëshortin merret me atletikë në mënyrë aktive. Gara e parë ku mori pjesë e mbush me mall e krenari  aty ku zuri vendin e parë dhe ku kuptoi se çdo etapë e jetës mund të sjellë fillime të reja.

Për herë të parë në gjysmë maratonën e Kukësit, Shpresa nuk ishte vetëm. Në pistë kishte një konkurrente të veçantë: motrën e saj, Mirën, dhe ashtu si Shpresa ajo është një vrapuese e përkushtuar edhe pse në finish mbërriti para motrës.

Për të gjithë pjesëmarrësit përfshirë edhe çiftin nga Gjakova, kjo fundjavë ishte një kujtim që do ta ruajnë gjatë  jo vetëm për atmosferën, por edhe për mesazhin që ngjarja përcolli, se dashuria për natyrën, për lëvizjen, për jetën, nuk ka moshë dhe nuk ka kufij. Kukës Half Marathon tashmë synon të bëhet një traditë e përvitshme, e cila do të sjellë jo vetëm sportistë, por edhe udhëtarë të pasionuar si Veton dhe Mërgime, që e ndajnë dashurinë për jetën përmes çdo hapjeje, çdo fryme dhe çdo pamjeje që ofron kjo tokë, por mbi të gjitha i bën të ndjehen gjithmonë të dashuruar.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?