“Reflection” është një cikël meditativ prej 26 punimesh artistike të sjella prej datës 22 shkurt në Galerinë e artit “Kalo”, në Tiranë nga piktorja Denisa Paho. E diplomuar prej vitit 2006, në Institutin e lartë të Arteve artistja nga Pogradeci tregon si lindi dashuria e saj për pikturën dhe se si prej vitesh e ushtron profesionin e saj me pasion të pandalë duke derdhur në telajo idetë e saj.
Lidhjen e fortë të saj me pikturën ajo e zbuloi që në vegjëli. Kur Denisa ishte në kopësht filloi të shfaqë interesin e parë mbi vizatimin dhe artin pamor ku ra në sy të edukatores. Prej atëherë formësimi i saj vazhdoi më tej në Liceun Artistik, ku rrugëtimi drejt këtij pasioni u bë i pandashëm për të.
“Qëkur isha fëmijë, kam pasur një dëshirë shumë të madhe vizatimin. Dhe gjatë kohës që mësoja shihja, nëpër librat e mi vizatime të ndryshme. Mësimet e para të artit i kam marrë në Liceun Artistik, “Tefta Tashko Koço”, në Korçë dhe më pas në Akademinë e Arteve në Tiranë. Që në kopësht fëmijët e shfaqin atë interesin e tyre për të vizatuar. Më tej në shkollën “8 vjeçare”, I mbaj mend vizatimet e asja kohe”
E lindur në qytetin liqenor të Pogradecit me një pasion të veçantë për artin e të bukurën Denisa sjell tregon se jeta e saj krijuese nuk ka kaluar pa vështirësi, por sot ndjen se ka krijuar individualitetin e saj artistik.
Të drejtën e studimit për Grafikë e fitoi falë dashurisë së madhe dhe vullnetit këmbëngulës ndaj një qëllimi, të cilin e arriti duke konkurruar për 3 herë me rradhë në Akademinë e Arteve në Tiranë.
“Në të vërtetë ka qenë pak i vështirë si rrugëtim për mua, në mënyrë graduale nga shkolla e mesme në vite 1996-2000, aq më tepër që rrugën e bëja me linjë të përditshme nga Devolli në Korçë. Pastaj, pas përpjekjeve të mëdha mbas tre viteve e kam fituar Akademinë e Arteve. Ka qenë një sakrificë e madhe, po, më pas mendoj se m’u shpërblye kjo sakrificë. Pa ndihmën e prindërve nuk mund ta realizoja dot këtë ëndërr.
Arti shprehës i Denisës, jep atmosferën e një këndi realist. Imazhet e lëvizjes që fshihen pas xhamit, rrjetës dhe pasqyrës vijnë përmes një komunikimi pamor të personazhit me një trajtë ambigue të realitetit.
“Koncepti i kësaj ekspozite, është sa bashkimi aq edhe ndarja e hapësirave publike me ata private. Dhe kjo ndarje krijohet nëpërmjet paneleve transparente, të cilat mund të jenë prej xhami, rrjetë, plastikë dhe kjo bën sa ndarjen aq edhe bashkimin e këtyre hapësirave, që në fakt duken se kanë diversitet mes njëra-tjetrën. Ky panel transparent bën që, ato të zbuten dhe të kalojnë gradualisht, në imazhe të sfumuara dhe jo të qarta.
“For rent”, “Blurry images from grid” “In construction”, “Invert colores” janë disa nga pikturat e realizuara prej saj duke filluar nga viti 2011 ku bie në sy kontrasti i ngjyrave, duke krijuar një unitet në stilin e saj, të artit pamor.
Vaji në pëlhurë është një ndër teknikat e përdorura ku tonalitet e holla të ngjyrave dhe shumica e imazheve kompozohen e reflektohen mbi një panel transparent.
“Teknika më e përdorur nga ana ime është vaji në pëlhurë. Kam gjetur veten tek kjo teknikë. Mundohem të përdor një tonalitet të hollë të ngjyrës duke e bërë atë transparente dhe duke i dhënë një lloj ndjeshmërie ngjyrave brenda kuadratit.
Praktikante e besimit islam, prej moshës 16 vjeç tematikat e frymëzimit të piktores janë të larmishme. Ato vijnë si depërtimin në botën psikologjike të personazheve.
“Në fakt, unë frymëzohem nga jeta e përditshme, është frymëzimi im i parë. Kur jam në ecje, në punë, në shtëpi përzgjedh pjesë që më duken më interesante. Fillimisht, i realizoj si fotografi dhe më pas punohen në pikturë. Baza është në natyrë po e shikoj në një këndvështrim ndryshe, tjetër, duke mos parë atë normalen. Janë disa komponentë që e kompletojnë punën si këndvështrimi nga e sheh artisti, përdorimi i ngjyrës me një sensibilitet dhe ndjeshmëri duke bërë bashkim të elementëve. Është edhe ana psikologjike e personazheve, duke hyrë më thellë në brendësinë e imazheve që transmetohen”.
Origjinale, e veçantë, e prirur dhe e plotë në artin e saj, Denisa tregon se në ditët sot pozicioni i gruas në shoqëri nuk është i vlerësuar sa duhet, pasi ende vijojnë të ekzitojnë elementë paragjykues në roli e saj.
“Unë kam filluar 16 vjeç që të praktikoj Islamin dhe ka qenë një ndër mirësitë më të mëdha që më ka ndodhur në jetën time. Më bën të ndihem mirë ky besim dhe ndihem krenare. Në vitin e dytë të shkollës së lartë kam vendosur mbulesën duke qenë e bindur në atë çfarë ky besim përfaqëson. Gruaja ka një rol tepër të rëndësishëm në familje, por, nuk ka atë vlerësimin e duhur që duhet të ketë gruaja në shoqëri. gjë që mendoj se besimi islam e kompleton gruan në të gjitha aspektet. Në fillimet e Islamit kam patur goxha paragjykim, sepse njerëzit nuk ishin mësuar të shihnin vajzat e mbuluar, ndërsa sot kanë ndryshuar gjërat ”.
Mësuese e lëndës së “Artit pamor” në shkollën 9 vjeçare “Tafil Rezhepi” në Pirg, të Korçës ajo tregon se krahas angazhimit në profesion nuk harron të gjejë kohën edhe për familjen e saj.
“Marrëdhënia ime me fëmijët është shumë e ngushtë, që me lindjen e fëmijës së parë djalit dhe më pas vajza. Kam qenë gjatë gjithë kohës e përkushtuar ndaj tyre. Pavarësisht se kam punuar në mënyrë sistematike, por angazhimi ndaj familjes ka qenë makismal. Unë jam mësuese e artit Pamor në një shkollë 9 vjeçare, bashkëshorti është ai që i shoqëron fëmijët në shkollë ndërkohë që unë jam në punë. Kur kthem gjithë pasditja është pranë tyre, por sigurisht duke gjetur kohën për pikturën.
Me një qasje unike në stil ekspozita “Reflection “ përmban 26 punime të ndryshme artistike të cilat janë prezantuar në Galerinë “Kalo” në Tiranë prej 24 shkurtit.
Me vullnetin dhe besimin për të mos u ndarë kurrë nga piktura, Denisa tregon se jeta e gjithsecilit prej nesh mbetet burim frymëzimi për një artist, ndërsa të ardhmen e sheh me projekte të radhës artistike.