SPECIALE/ ‘Dashuritë e pamundura, më të bukurat!’, rrëfimi i Ermal Metës në Report tv: Romani më shëroi plagët! Falja, thelbi i lumturisë

5 Nëntor 2022, 13:55| Përditesimi: 5 Nëntor 2022, 15:25

  • Share

Në zërin që dridhet, teksa rrëfen dramën e personzheve të tij në gjuhën që e ngjizi, ndihet emocioni i autorit...

"Nesër e përgjithmonë" e solli muzikantin, Ermal Meta në atdhe, me një sprovë të re krijuese...

Në afro një javë qëndrimi në Shqipëri, ku pas Italisë, prezantoi romanin e tij të parë në atë që ai e quan gjuha e nënës, tregon përshtypjet se si e pa Shqipërinë sot, 32 vite, shkuar fundit të rrëfimit të tij letrar...

“Pashë gjëra të mira dhe jo të mira, por nuk duhet ta gjykojmë vendin tonë por ta mbajmë sa më afër”, thotë Ermal Meta, muzikant dhe autor i librit.

Nga radha e gjatë e autografëve, në Tiranë, Shkodër e Fier, ku ndodhte të përhumbej në përqafimet e të afërmve që ishin prezent për të, përjetimet siç tregon ishin pozitive. Çdo reagim për librin nga publiku shqiptar që e përqafoi muzikën e poezinë e tij, vjen si një përgjigje, që e çliron sadopak dhe, siç thotë e vesh, me një përgjegjësi të re, ndoshta atë të shkrimtarit të ardhshëm... E shoqëron në këtë rrugëtim botuesja e romanit, Arlinda Dudaj.

“Shkoi çdo gjë shumë mirë dhe nuk e prisja. Kur në fillim nisa të shkruaja këtë libër pritshmëritë e mia ishin të ulta. Përgjithësisht nuk jam nga ata që kanë pritshmëri të larta. Dhe kjo për një sërë arsyesh. Pikësëpari  nuk kam shkruar më parë një roman. Përgjithësisht jam përqëndruar tek muzika. Merrem me muzikë prej moshës 15 vjeçare. Tani jam 41, kështu që u bënë 26 vite dhe aty mund të them se kam një farë përvoje. Një eksperiencë e cila më mungon në prozë. Është një eksperiencë e ndërtuar mbi pasion, por edhe mbi punë ajo e muzikës. Ndërsa, tek sprova në prozë, mund të them se ndoqa instiktin, pa e ditur se ku do të më çonte Nuk e kisha idenë! Mbi të gjitha, e mora këtë iniciativë edhe duke qenë i ndërgjegjshëm, se një publik që do më kishte lexuar, dhe jo vetëm do të më dëgjonte në një farë mënyre e kam. Sepse e kam krijuar përgjatë këtyre viteve… Ose më mirë e kemi ndërtuar këtë raport së bashku. Unë duke shkruar këngët dhe njerëzit që i dëgjojnë ato. Kështu që ishte ky lloj mirëbesimi ndaj meje, i diktuar nga muzika. Dhe unë e dija fort mirë, se shumë njerëz do ta blenin këtë libër me kuti të mbyllur, ndaj nuk doja ti zhgënjeja, e u përpoqa të bëja më të mirën në atë moment. Por nga ana tjetër nuk e dija se cili do të ishte rezultati, ndaj edhe pritshmëritë e mia nuk ishin të mëdha”, shprehet artisti.

E shkroi këtë roman, duke e marrë lëndën e parë në Shqipërinë e shekullit të XX-të. Duke zbërthyer përmes historive njerëzore, vuajtjet e vendit të tij nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në prag të rënies së diktaturës, e shpreson, t'i jap një shtysë lexuesit të huaj, që të kuptoj rropatjet e shqiptarëve pas 90-ës, pa paragjykuar...

“Unë jam përpjekur qëllimisht që të qëndroj larg nga viti 1991. E bëra këtë i nxitur nga fakti sepse mendova që romani do të mbetej në Itali, nuk e prisja të dilte jashtë. Dhe në Itali për Shqipërinë dihet shumë pak. Ose më mirë, gjithçka ata dinë nga Shqipëria, nis nga viti 1991 e deri më sot. Por gjithçka tjetër ka ndodhur më herët nuk e dinë. Dhe natyrisht gjithçka ka ndodhur nga 1991 e në vijim nuk është fryt i rastësisë, ka arsye politike, sociale , ekonomike, ka një sërë krisjesh në historinë tonë...”, thotë Meta.

Romani në shqip, vjen me një gjuhë të ngrohtë e të pasur nga Agim Doksani, e sikundër në Itali, shumë lexues prisnin të zbulonin në të nota autobiografike të autorit. Në vend të kësaj, ai ka zgjedhur që përmes letërsisë e fictionit, t'i ritakojë me ngjarje të së kaluarës, sa të përbashkët, aq edhe personale të personzheve...

“Ndaj fakti që jam këtu duke folur për këtë libër, për mua kishte një rëndësi të veçantë. Sepse ndryshe nga të gjitha vendet e tjera ku do të lexohet, këtu e dinë shumë mirë, ose së paku do të duhet ta dinin se për çfarë flasim. Natyrisht në fillim të gjithë prisnin një historinë time personale por është diçka që nuk kam dëshirë ta bëj. Së paku jo për momentin!”, tregon ai.

Kthehet në retrospektivë, në vitin 1943. Kur në prag të fundit të Luftës, Shqipëria përpiqet të zmbraps dhe pushtuesin gjerman. E rrëfen ngjarjen si një vëzhgues, përmes zhbirilimit të historisë së protagonistit të tij Kajanit.

“Doja të tregoja fatin e një njeriu, fillimisht fëmijë, djalë, burrë, e mandej i moshuar, duke rrëfyer jetën e tij, e brenda këtij rrugëtimi edhe ti zbuloja lexuesit se çfarë ka ndodhur në këtë vend...”, shprehet artisti.

Rrëfimi i tij, ngjall tek lexuesi imazhe filmike. Nga lufta në male e partizanëve, tek krimet e sistemi i kontrolluar komunist, që merr në dorë fatet e gjithsecilit, dhe atyre që mendojnë se i përkasin atij regjimi…

“Ka shumë histori të vërteta, sepse unë kam studiuar e lexuar shumë para se të shkruaja këtë libër,i jam referuar shumë burimeve. Kam lexuar intervista , dokumente historike, libra... Edhe duke folur me të afërmit e mi, kam zbuluar histori të pabesueshme, sepse ky vend është plot me histori të tilla, si dhe me personazhe të jashtëzakonshëm! Dhe në brendësi të kësaj kopertine janë shumë personazhe që unë i kam bashkuar përmes fictionit. Sigurisht që këta personazhe në jetën reale nuk janë takuar kurrë, por unë i solla bashkë në këtë libër, sepse nuk kisha si qëllim të bëja një analizë historike. Doja thjesht të tregoja jetën e një njeriu, përgjatë një harku prej 47 vitesh zhvillim të jetës së tij, nga fëmijë në burrë me flokë të thinjura. E përmes kësaj ti zbuloja lexuesit diçka më shumë për vendin tonë”, shprehet më tej.

I larguar në Itali që në moshën 13-vjeçare, Meta gërmon në historinë e të parëve të tij, duke i përfshirë edhe familjarët në tentativën për të zbuluar më shumë për rrënjët nga vjen…

“U mundova të zbuloja sa më shumë... Pyeta nënën time, rreth asaj që mbante mend. Pyetjet e mia ishin shumë specifike. Në këtë vit, në këtë vend mos ka ndodhur kjo histori? Dhe pastaj gërmoja në kujtimet e dajave, gjyshes sime apo të afërmve të tjerë... Jam futur pak në petkat e gazetarit, bëja pyetjet dhe dëgjoja me kërshëri përgjigjet e tyre duke mbajtur shënime”, thotë autori i romanit.

I gjithë procesi hulumtues përbën një kërkim jo thjesht për vendin, por edhe për veten, për të marrë përgjigje për të gjithë ata që emigruan pas ’90-ës. Ata që në vendet ku shkuan kishin ndrojtje të pohin nga vinin, sepse përballeshin me vështrime skeptike, por mbi të gjitha sepse edhe vetë e gjykonin plagën e vendit të tyre… pa e njohur atë...

“Historitë që më kanë rrëfyer, e them me bindje se tejkalojnë çdo fantazi lidhur me atë që ka ndodhur në këtë vend. Nuk është i vetmi, sepse pati dhe vende të tjera të ish Bllokut Sovjetik, që vuajtën në mënyrë të ngjashme, por këtu mbyllja ishte hermetike dhe zgjati më shumë, sepse nuk kishte frymëmmarrje, sa i përket komunikimit me botën jashtë. Dhe unë doja ta tregoja mirë atë që ndodhi këtu në 45 vite, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Në mënyrë të tillë që ta bëja edhe atë lexues që nuk e ka njohur vendin tonë, të kuptonte se ka një arsye për çdo gjë. Dhe, nuk është se në vitin 1991 ne të gjithë u çmendëm dhe thamë, tani do ngrihemi dhe do ikim ... Do ikim në Itali, në Greqi a gjetkë... por ka një sërë arsyesh që unë u përpoqa të rrëfej këtu brenda, por jo në këndvështrimin historik, por në aspektin njerëzor të historisë së një njeriu …”, rrëfen Meta.

Të pranosh se nga vjen, rrëfen Ermali nuk është e detyrueshme por çliruese... E këtë libër e konsideron si kthimin e vërtetë në Shqipëri… Herën e parë iu desh të priste 17 vjet, për të hedhur hapin e parë e mandej, çdo vizitë e afronte më shumë me rrënjët… Tani i përgjigjet thirrjes së gjakut, pa drojtje, e madje me krenari… Tregon se do të merrte pjesë edhe në Festivalin e Këngës, por ajo që e step është se muzikën e krijon në italisht, sikundër edhe këtë libër!  E megjithatë ky roman e ka ndihmuar, të njoh edhe historinë personale e ndonëse rrëfen se në të nuk gjendet autobiografia, elementë të tillë lexuesi mund ti hamendësojë, si në përzgjedhjen e protagonist si muzikant.

“Natyrisht nuk është e rastësishme sepse unë jam muzikant. Dhe pse Kajani në të vërtetë është një muzikant më i mirë se unë. Mund të them se ai është muzikanti që unë do të kisha dashur të isha në jetën time. Mund të them se këtu muzika është telajua, ku është ndërtuar një pikturë... Telajo që është absolutisht e nevojshme, por që, kur piktura është realizuar mirë ajo nuk duket më. Pra, është gjithmonë e pranishme, por është në sfond, sepse parësore janë ngjarjet personale. Mënyra se si protagonisti , përballon fatet e tij të shumëfishta... sepse jemi mësuar të mendojmë se kemi një fat të vetëm, por në fakt jo! Fate ne kemi shumë, fati nuk është një vijë e drejtë që humbet në retë e të ardhmes. Fati është një bashkim linjash të thyera, e sa herë që ne bëjmë një zgjedhje vendosim se nga të shkojmë, këndej apo andej. Atje thyhet një linjë e fatit tonë, e nis një tjetër, e këto fate të shumëfishta krijojnë fatin tonë të vetëm... por që në të vërtetë janë shumë. E çdo herë ndryshon në bazë të zgjedhjeve që bëjmë...”, tregon më tej.

Në jetën e Kajan, ende fëmijë, vjen Kornelius, një personazh nga radhët e pushtuesit, që në fakt do t’i bëhet figurë referuese, edhe sa i përket lidhjes së tij me muzikën.

“Kornelius është një figurë thelbësore. Një personazh shumë kontrovers, sepse ai është një ushtar gjerman, pra një armik, por është i tillë vetëm kur vesh uniformën... sepse në fund janë uniformat, ngjyrat që i transformojnë njerëzit në miq apo armiq. Mirëpo uniformat ndonjëherë mund të fshehin atë që je në të vërtetë, e të të çojnë në një gjykim të gabuar... Kornelius po, është një gjerman, po është një ushtar nazist, por është edhe dikush që ka dezertuar ushtrinë e tij dhe që ka pësuar një traumë, sepse ai nuk do të ketë të bëjë me luftën... Ai në thelb është një pacifist, dhe kjo sepse ka qenë muzikant! Ai para se të ishte një ushtar, ishte një muzikant. Kështu që Kajan bie në kontakt me muzikën, përmes një biri të Luftës, në të vërtetë…Dhe është një figurë shumë e rëndësishme në rrjedhën e jetës së Kajan. “, shprehet.

Përpiqemi që përmes protagonistit të romanit, të kuptojmë nëse edhe Ermali, e ka pasur figurë të tillë referuese në rrugëtimin e tij muzikor, ndoshta nëna e tij violiniste.

“Unë në të vërtetë muzikën e kam mësuar më shumë vetë, sepse ime më pavarësisht se ka qenë një muzikante shumë e mirë në të vërtetë ishte shumë autoritare dhe unë druhesha të studioja muzikë me të... Kështu që nisa të mësoj në mënyrë autodidakte. Pavarësisht se në fëmijëri më ka ndihumuar të kuptoj disa gjëra bazike, muzikën e kam mësuar vetë.”, rrëfen Meta.

Ermali rrëfen, se kjo është hera e parë që shkruan një roman, e se në sirtarin e tij nuk ka vepra të papublikuara. Por është një lexues i mirë, e kjo duket se e ndihmon në një rrëfim i rrjedhshëm, që mban kureshtjen zgjuar… Letërsia jo vetëm që i ka kuruar disa plagë të vjetra, por edhe i hap një dritare të re… ku një sërë temash i ngacmojnë mendimet për romanin tjetër, por, siç thotë më herët duhet të përqëndrohet tek albumi i radhës…

“Të shkruarit prozë është një proces intim, por shumë më i gjatë se kënga. Dhe ndonëse unë nuk jam brenda këtij libri, si njeri, si figurë, janë emocionet e mia... Sepse në momentin që unë flas e shkruaj për jetën, jo vetëm të Kajanit por edhe të personazheve të tjerë, normalisht këto ngjarje, shpesh edhe me momente të mëdha tensioni, provokojnë emocione. Janë momente që shkaktojnë ndjeshmëri... dhe ajo ndjeshmëri është e imja! Sepse unë njoh vetëm emotivitetin tim dhe personazhet i përshkruaj përmes vetes… Kjo të bën të gërmosh në brendësi ... Dhe kur gërmon brenda vetes, ndonjëherë dalin disa gjëra që mbase nuk do të doje ti zbuloje, vetëm se nuk mund të bësh ndryshe sepse rrëfimi duhet të vazhdojë... Dhe duke vazhduar rrëfimi ti kupton se nuk je duke folur për emocionet e atij personazhi, por të tuat... E madje në to ka gjëra që dhëmbin, gjëra që nuk do të doje ti nxirrje jashtë vetes, sepse nuk do të doje të përballesh me to. Po pastaj e kupton që përballja është mënyra më e mirë për ti parë në fytyrë, për tu shkëputur nga ato, apo ndoshta edhe për ti zgjidhur Ja pse them që të shkruarit këtë libër ishte për mua si një analizë vetjake, e në disa këndvështrime edhe një mënyrë shërimi!”, shton më tej.

Në këtë proces shërimi përmes letërsisë, Ermal Meta nuk e humbet romantizmin… dhe linja e dashurisë është e pranishme. Asgjë nuk është perfekte, e madje dhemb, por kur mendohet se është e humbur, dashuria rikthehet….

“Dashuritë e pamundura janë dashuritë më të forta, sepse pastaj kur çdo gjë mbetet në fushën e të mundshmes, mendohet çdo gjë perfekte. Kur ti ke një imazh se si mund të kishte qenë, e imagjinon në mënyrën më të mirë. Nuk ke një realitet konkret me të cilën të bësh llogaritë, dhe nëse nuk ka një realitet të tillë e imagjinon në mënyrën më të mirë të mundshme. Kështu që siç thotë Oscar Wilde, dashuritë e pamundura janë më të bukurat...”, thotë ai.

Kajani kalon një jetë të trazuar, ku në diktaturë jeta e tij si e shumëkujt merr kthesa të papritura. Viktima dhe fajtorë, asgjë sështë e prerë me thikë, në një regjim ku të gjithë përpiqen të shpëtojnë veten… Autori duket sikur përpiqet të shfaqësojë, edhe kur zhgënjimi i personazheve vjen nga vetë familja, e aty lipset falja… A do të arrijë vallë Kajan të falë në këtë pikë?

“Me siguri që po! Unë duke shkruar këtë roman jam përpjekur të mos gjykoj. E të mos mbaj anë, as të njërit, as të tjetrit. Sepse në jetë nuk jemi të gjithë absolutisht të mirë apo të këqinj. Kemi në brendinë tona një sërë ndjesish... Çdo njeri është një univers. E brenda një universi, është dielli dhe hëna, por janë dhe trupat e tjerë qellorë.. kometa shkatërruese , tërmete e shumëçka... Kemi brenda vetes shumë anë, dhe çdo gjë varet nga mënyra se si ne duam të tregojmë veten... Dhe vetë Kajani, jo gjithmonë është i mirë, jo gjithmonë vepron drejt. Po kjo ndodh me të gjithë ne! Dhe unë besoj se falja është thelbi, jo i lumturisë vetjake, por i qetësisë... Sepse të falësh do të thotë të harrosh, të lësh të shkojë, atë gjë që nuk të shpie tjetërkund, përveçse në të kaluarën... Por e kaluara tashmë ka ikur, e të ecësh drejt saj të çon drejt depresionit. Të kesh frikë nga e shkuara jote të çon në depresion! Të kesh frikë nga e ardhmja pastaj, të krijon ankth... Jeta është këtu, tani! Dhe Kajan e mësoi mirë domethënien e të jetuarit të tashmen. Sepse në të shkuarën nuk mund të kthehesh më dhe me siguri jo pas një jete kaq të pabesueshme. Nuk mund as të parshikosh se çfarë mund ti ndodhë në të ardhmen, Por diçka është e sigurt që ai të ardhmen e do, e dëshiron dhe ka bërë gjithçka për ta parë atë, por, nuk ka mundur kurrë ta parashikoj!”, shprehet artisti.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Liku: 05/11/2022 20:07

    Artist i merituar

    Përgjigju
  • Meri: 05/11/2022 17:44

    Njeri me kulturë e edukatë,kush flet keq,ka cmirë,spese nuk arrin te jet si ERMALI.

    Përgjigju
  • XXX: 05/11/2022 15:56

    Shko ore fshatar muti

    Përgjigju
  • Loran: 05/11/2022 14:51

    Ik o katunar

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?