Dollia është një kod i vjetër i sofrës shqiptare e cila konsiston në ngritjen e gotave dhe trokitjen e tyre për të përshëndetur, uruar ose nderuar një person, familje apo ngjarje të veçantë.
Është një ritual i rëndësishëm social dhe familjar, i pranishëm në ahengje, festa, dasma, përvjetorë dhe në raste të tjera solemne.
Dollia është një traditë e trashëguar brez pas brezi dhe ka rrënjë që mendohet të jenë nga periudha mesjetare. Gojëdhënat lidhen ngushtë me lindjen e rakisë, dhe dollia ka qenë një kod i rreptë i gostisë së gëzueshme, një institucion me rregulla që askush nuk guxonte t’i thyente. Ajo është më e njohur dhe më e zhvilluar në krahinat jugore të Shqipërisë, si Skrapari, Përmeti, Gramshi, Berati dhe Labëria.
Report TV udhëtoi drejt Mallakastrës. Atje do të takojmë njerëzit e duhur, "të rrahur" me dollinë dhe këngën. Ata ndjekin rregullat e dollisë si një rit i hershëm në këtë krahinë.
Guri Rrokaj, një personazh mjaft i njohur dhe me popullaritet në Mallakastër na pret me grupin e tij për të na folur enkas për dollinë.
Rrëfimi nis tamam ashtu siç ndodh në sebepe e gëzime familjare, me tavolinë të shtruar duke nisur nga rakia, mishi e gjithçka duhet në të tilla raste.
Në këtë ritual, burrat e ftuar janë të detyruar të ndjekin rregullat e dollisë, që janë si ligje të pakalueshme.
Pas pirjes së dollisë së parë, personi që iu drejtua dollibashit i thotë: "Urdhër dollibash", duke nënkuptuar vazhdimin e ritualit. Çdo person që përmendet nga dollibashi është i detyruar të përgjigjet me ngritjen e gotës.
Hierarkia e dollisë ndjek një rend të caktuar, ku personi i dytë më i rëndësishëm në tavolinë ngre dollinë e tij pas dollibashit, dhe më pas vazhdojnë të tjerët sipas rëndësisë.
Gjatë kësaj kohe shërbehen nga yzmetçinjtë edhe gatimet të cilat i sjellin në tavolinë në intervale të ndryshme kohe. Ata qëndrojnë në këmbë dhe vetëm u shërbejnë miqve në tavolinë, mbushin gotat e rakisë e shërbime të tjera të kuzhinës.
Duke folur rreth dollisë mjeshtri Rrokaj na shpjegon se krahasuar me zonën e Bregut të Vjosës , pra zonën e Vlorës , në Mallakastër dollia ka rregulla që zbatohen.
“Mikut në anët tona ne i kushtojmë vëmendjen kryesore”, thotë Altin Kamaj.
Po ashtu sipas Rrokaj në mes të dollisë në zonën tonë vijon ai praktikohet njëherazi dhe pirja me mirësi kështu quhet. Duke marrë leje sigurisht nga dollibashi çdo kush ka të drejtë të ngrihet dhe të pijë një apo dy shëndete ose mirësi siç quhen në zhargonin e rakisë dhe jo detyrimisht te pijë me gotat kthyer me fund.
Në të gjithë këtë traditë shpjegon Guriu ka pas jo pak raste që edhe gratë pjesëmarrëse në tavolinë, janë treguar më "burrë se burrat" duke pirë me dolli.
Çdo zonë ka traditat dhe format e veta të dollisë. Në Skrapar dominon dollia zabërzan, ndërsa në Gramsh ajo quhet sulovarçe. Në zonën e Mokrës, rituali është më rigoroz dhe me më shumë rregulla.
Dollia përfaqëson një shkallë të lartë të mikpritjes shqiptare dhe është e lidhur ngushtë me bashkimin e njerëzve në raste familjare dhe shoqërore. Kjo traditë është njohur zyrtarisht si një vlerë kombëtare e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Më 22 korrik 2025, me vendim të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dollia është shpallur Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, duke theksuar rëndësinë e saj si një element thelbësor i identitetit dhe kulturës shqiptare.
Studiuesi Sherif Bundo, autor i monografisë "Dollia shqiptare, institucioni shqiptar i mikpritjes", thekson se dollia është më e përhapur në jug të Shqipërisë, në zona si Skrapari, Përmeti, Tepelena, Mallakastra, Berati, Gramshi, Librazhdi, Pogradeci, Devolli dhe Kolonja, por elementë të saj gjenden edhe në zona të Veriut, si Puka.
Ai thekson se morali dhe filozofia e dollisë nuk qëndron te sasia e alkoolit të pirë, por te forca, magjia e fjalës, hierarkia, respekti dhe dashuria që shpreh ky ritual.
Në darka tradicionale shqiptare, dollitë shoqërohen shpesh me këngë popullore dhe muzikë të gjallë, duke krijuar një atmosferë festive dhe të gëzueshme.
Rituali i dikurshëm i dollisë sa vjen dhe zbehet. Këta burra janë njohës shumë të mirë të traditave të parëve, por jo fëmijët e tyre. Ata e konsiderojnë mision trashëgimin e ritualit të dollisë tek brezat e rinj.
Komente
