Kronikë
Speciale

Speciale/ Dy vjet pas tërmetit! Humbi familjen në rrënojat e Thumanës, i mbijetuari planifikon të krijojë familje të re

Sot dy vjet pas tërmetit shkatërrues në 26 nëntorit, ka ende familje që kanë mbetur pa shtëpi ashtu siç ka edhe shumë të tjerë që kanë hyrë në banesën e re. Në specialen në vazhdim ne do të ndjekim se si ka vazhduar historia e Albert Carës, i mbijetuari i vetëm i familjes së tij që dolën pa jetë nga rrënojat e banesës në Thumanë. Ai sot është martuar dhe planifikon të ketë edhe fëmijë. Alberti mbijetoi ndërsa bashkëshortja, vajza, dy djemtë dhe e fejuara e djalit të madh bashkë me foshnjën brenda vetes, dolën pa jetë nga rrënojat.

Alberti i është rikthyer mbarështimit të bletëve. Ka qenë bashkëshortja e tij që kishte nisur të merrej me bletari, një vit më parë ai i premtoi vetes se do ta rifillonte atë që la përgjysëm me familjen.

"Kam pasur një koleg të jashtëzakonshëm për mbarështrimin e bletëve, kam pas gruan time. Ajo ka qenë profesore. Ajo më ka tharë njërën anë të krahut"-shprehet ai.

Një vit më pas në Zall Herr ka ngritur disa koshere që më shumë se mjaltë i falin qetësi.

"Familja ime, të ndjerët më thoshin aman t’i blejmë. Po ku t’i mbajmë?! I vura, u shtuan mashallah. Arrita me një prodhim të jashtëzakonshëm. Mua më iku familja. Ishim bërë gati të merrnim sivjet mjaltin e Maresë. Më ikën dhe bletët. E dua punën time, më bën të harroj. Është për pasion, një qetësues që më bën të tjetërsohem, të jem një tjetër njeri. Nuk është gjë materiale, është më shumë gjë shpirtërore."-tregon Alberti.

Më tej, ai shprehet se ka prodhim dhe mbulohen shpenzime.

“Jep, jep, jep por mbulojnë shpenzimet e veta  nuk është çdo gjë tek pjesa materiale, më tepër është gjë shpirtërore, adrenalinë sikur, i harroj ato hallet, dhimbjet. Kur vij këtu sikur bëhem  20 vjeç. Më mposht kjo mua dhe e dua si punë”-deklaron ai.

I kapur fort pas jetës, Albert Cara e di që nuk mund ta zhbëjë të shkuarën.

 “Dëgjo, të flas për Albertin. Aktualisht qeveria aktuale, pak rëndësi ka është e majtë apo e djajtë. U tregua humane me mua dhe me shumë të tjerë. Në Barin e Italisë kam rilindur. Atje kam punuar më shumë me mendje, se sa me trupin tim fizikisht. Të vdekurit nuk ngihen më. Ne vetëm rrojmë t’i kujtojmë.  Kjo e imja është dhimbje shpirtërore. Mua vërtet më sprovoi jeta. Unë mund të kërkoj edhe mund të më japin. Mua nuk më hynë në punë, në kuptimin e mirë të fjalës që nuk më vijnë më.  Janë 5 varreza, për të mos thënë 6. Nusja e djalit më ka ikur shtatëzanë. Prita që të bëhesha gjysh, nuk ngela as baba. E kam bind veten, ishte gjithçka një ëndërr."-shprehet ai.

Alberti ka dhe ëndrra të cilat do t’ua tregojmë pas historive të tjera që tregojnë se sot vazhdojnë të vuajnë pasojat e tërmetit të dy viteve më parë.

E lodhur nga jeta është Shpresa që pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.

"Dita ime, nis që kur fillon mëngjesi e deri në darkë vetëm me lot në sy e kujtojmë dhe përjetojmë. Unë laj jashtë çdo gjë e kam jashtë. Kam 3 diagnoza që jam e sëmurë. Unë jetoj në gjëndje shumë të keqe”-thotë ajo.

Përjetimet e asaj nate ishin vetëm fillimi i pikpyetjeve se kur do të kishte një çati mbi kokë ajo.

“Këtu kisha gocën e vogël së bashku me gocën e madhe. Unë shpërthej derën e u them dilni përjashtë urgjentisht se ka tërmet. Deri sa kanë mbaruar lëkundjetet e tërmetit kemi ndenjë në rrugë. "-thotë Shpresa.

Shpresa, vajza dhe mbesa e saj jetonin në katin e dytë të një shtëpie private e cila u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Ekspertët e caktuan banesën e saj në shkallën e dëmtimit DS2, por Shpresa nuk u rikthye në banesë pasi sipas saj dëmtimi ishte më i madh. Pas disa ankesave dhe rikthimit të grupeve të ekspertëve, banesa e saj u caktua DS5 dhe kryetarja e bashkisë u premtoi se do e shembnin dhe rindërtonin shtëpinë, por deri më tani nuk është bërë asnjë gjë.

“Katastrofë. Asnjë gjë nuk është bërë. Kemi jetuar e po jetojmë në gjëndje shumë katastrofë. Asnjë nuk e vë dorën në zemër për ne. "-tha ajo.

Për më shumë se dy vite ajo jeton midis çadrës dhe kontenierit ku thotë se përpiqet të bëjë jetën e mbesës së saj sa më normale.

“Unë dua vetëm shtëpi, vetëm shtëpi dhe të më ndihmojë Zoti për këta fëmijë. Se një fëmijë e kam në rrugë e një fëmijë e kam brenda. Shkon në kopësht e nuk di ku të bëjë mësimet. Ju lutem vini dorën në zemër e më ndihmoni, mua dhe për atë fëmijën e vogël”-shprehet ajo.

Një vit pas tërmetit ajo përfitoi bonus qiraje por që nuk ka mundur ta marrë prej muajit gusht pasi ka patur vonesa në shpërndarjen e bonuseve mujore.

Ora nuk është ndalur vetëm në këtë familje të prekur nga tërmeti i dy viteve më parë në rrethinat e Durrësit.

Zef Shelna jeton bashkë me gruan e tij në një banesë një katëshe në zonën e Porto-Romanos. Tërmeti I 26 nëntorit ua dëmtoi dhe pas ardhjes së grupeve të ekspertëve ajo u vlerësua në shkallën e dëmtimit DS1.

“Bashkia mua më dhanë 1 mln lekë në atë kohë dhe nuk më dhanë më asnjë lekë tjetër”-deklaron ai.

Për Zefin dhe bashkëshorten e tij kjo shumë ishte e pamjaftueshme pasi me të mundën të mbulonin vetëm një pjesë të dëmeve, por jo të gjitha.

"Dyer e dritare, bëjnë një milionë lekë.”-deklaron Shelna.

Për disa muaj pas tërmetit ai dhe bashkëshortja e tij jetuan në çadër të ngritur nga ata vetë, por më pas u detyruan të lëvizin duke iu rikthyer banesës së dëmtuar të cilën shirat e rrënuan edhe më shumë.

 “Kjo, është një hall në katastrofë por çfarë të bëjmë!”-shprehet më tej ai.

Kështu i ka gjetur dy vjetori i tërmetit shkatërrues çiftin e pensionistëve. Ata vazhdojnë të presin… Dëmtime serioze ndodhën edhe në zonën e plazhit në Durrës.

Toni Naska jetonte jashtë Shqipërisë në atë kohë por thotë se nuk e mposhti dot frikën për jetën e bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij.

“Unë quhem Adnan Naska, pjesëtarët e mi të familjes janë bashkëshortja dhe një gocë. Momenti i parë që kam ardhë kam shkuar kam takuar nusen dhe gocën e tek banesa nuk kam shkuar fare”

Ditën e tërmetit pallati në lagjen nr.13, në zonën e plazhit, u dëmtua duke detyruar banorët të dilnin nga banesat pasi shumë pranë lagjes së tyre u shembën dy pallate gjatë lëkundjeve.

Aktualisht Toni jeton me bonusin e qirasë që përfiton nga Bashkia Durrës pasi pallati në të cilin kishte hyrjen e tij, u shpall në shkallën e dëmit DS4 dhe kërkohej përforcim dhe fortifikim i strukturës.

Ai tregon se gjatë dy viteve të fundit është i detyruar të përballojë jetes e vështirë që mund të ketë një qytetar në Durrës, pasi tashmë të gjesh banesa me qira është një sfidë më vete.

Edhe pse kanë kaluar dy vite pas tërmetit dhe dihet që pallati është dëmtuar, atyre ende nuk u është thënë se çfarë ndërhyrje do të bëhet dhe se kur mund të bëhet. Kjo i ka nxitur banorët e pallatit të dalin disa herë në protestë përballë bashkisë e cila ende nuk u ka dhënë një përgjigje.

Familja në Shijak, me banesë të re.

“Sikur lindëm për së dyti. Ishim sikur lindi një jetë e re. As më shkonte në mendje që do ndërtohej shtëpi e re." shprehet një banor.

“Unë quhem Zana Guza. Familja ime përbëhet nga 3 anëtraë unë, bashkëshorti dhe vajza”

Realitet tjetër është në familjen e çiftit të të moshuarve në Shijak. Tërmeti i 26 nëntorit i trembi dhe i dëmtoi rëndë.

“Tërmeti ka qenë tmerr dhe me vrap përjashta. U trembëm mjaft. Jetuam me frikë të madhe.”

Banesa e tyre u shpall në shkallën e dëmtimit DS4 dhe u klasifikua në banesat për shembje. Për ta ishte e pamundur blerja e një shtëpie të re.

“Unë jam mekanik. Me ndërtu shtëpi, unë nuk kisha, gjallë në botë nuk bëja dot shtëpi me këtë punë. Duhet me e pranu rriskun, nuk ke ç’bën.”-thotë një banor.

Vetëm 18 muaj jetuan ku mundën sepse në duar morën çelësat e banesës së re.

“Ishte gëzim i madh kur morëm shtëpinë, Mua m’u kanë mbushur, syte me lot. Dy plus një është. Jemi shumë të kënaqur nga shpresa nga Kryetari i Bashkisë."-deklaron një banor.

E përbashkëta e këtyre familjarëve është e shkuara, frika e përjetimit të tërmetit të dy viteve më parë.

“Ishte një ankth i madh, shumë i rrezikshëm dhe shyqyr që dolënm jashtë.”

 “E çarë ishte shpia, e shkatërruar. Unë e kam përjetur shumë keq, e tashmja nuk i përball me të njëjtat sfida

”Çfarë do bëjmë ne. Ne do jetojmë këtu”

Ndonëse dëmet më të mëdha ishin në Durrës e Tiranë, pa pasoja nuk ka dalë edhe rajoni i verilindjes.

Një prej tyre është familja e Nazif Koleci nga fshati Shtushaj njësia administrative Shupenzë në Bashkinë Bulqizë.

 “Këtu ndodha unë tek bufeja, kur ra tërmeti, ranë filxhanët përtokë. U tremba. Nuk kisha ku dilja unë”

Banesa është thuajse në rrënim të plotë për shkak se ka pësuar çarje në të gjithë konstruktin e saj. Anëtarët e familjes Koleci aktualisht jetojnë në godinën që rrezikon të shembet.

“Ndërtimet, e kemi rregulluar por tërmetet nuk e lënë. Sa tërmete mund te këtë kjo vetëm hapet. DS4 dhe DS%, inxhinieri jepte e shkruante të dhënat”

Kryefamiljari Nazif Koleci thotë se banesën e tij kanë ardhur ta shikojnë grupet e vlerësimit por deri tani nuk ka asnjë ndërhyrje.

Në mungesë të një banese të sigurtë Nazif Koleci thotë se janë të detyruar të qëndrojnë aty edhe pse e dinë që u rrezikohet jeta. Të ardhurat e vetme janë një pension që merr Nazifi, ndaj dhe nuk i kanë mundësitë ekonomike për të ndërtuar një banesë të re.

“Frikë kemi, nuk dihet se si merr. E patë ju vetë se si është e çara e kësaj banese. Pjesa e shtëpisë është ndarë përgjysmë”-shprehet Koleci.

Banesa e familjes Veseli nuk i ka shpëtuar dëmtimve të tërmetit të fundit. Në ditët e fundit të tetorit, kryefamiljari ndodhej në Gjermani, bashëshortja dhe tre fëmijët ishin dëshmitarë të lëkundjeve të forta.

“Tërmetin e kemi përjetuar shumë keq të them të drejtën.Kalamajtë ishin të vegjël, natën s’mund të rrija.  Burrin nuk e kisha këtu. Këtu s’mund të rrija. Kam shkuar të rri tek njerëzit e mi. Shtëpitë janë të vjetra, kishim frikë goxha. Tërmeti  ishte shumë i frikshëm”-shprehet gruaja Anila Veseli.

Ndërsa burri, Vilson Veseli shprehet: Në gjermani më mori gruaja në telefon. Shtëpitë janë të vjetra, nuk durojnë tërmete. E vetmja mundësi për të jetuar është në Gjermani, se në Bulqizë miniera është e frikshme dhe nuk e di ç’a do bëjmë.-tha ai.

Sot kanë të njëjtin hall si shumë bashkëfshatarë. Banesa është dëmtuar dhe presin çfarë zgjidhje do t’u ofrohet.

“Nga Njësia Administrative askush nuk ka ardhur. Kam lajmëruar kryeplakun e fshatit atë ditë që ra tërmeti. Më tha duhet të bëj kërkesën . E bëra kërkesën por askush nuk u paraqit.-shprehet një grua.

Ndërsa Albert Cara thotë: Nuk jam ai që kam qenë. Po unë jetoj për të nesërmen. E dua të nesërmen. Pres, të bëj fëmijën tim. Ta falë Zoti. Edhe sikur mos ta kem nuk do shkoj i turpëruar.

Jetesa nuk e tejkalon rutinën e fshatit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?