Partitë e reja që garojnë në këto zgjedhje dhe që rezultojnë me shanse për parlamentin e ri sipas të gjitha sondazheve të deritanishme, zhvilluan një fushatë të qetë, larg incidenteve dhe duke përdorur kryesisht rrjetet sociale për të marrë vëmendjen e votuesve.
Ata provokuan në jo pak raste, duke tërhequr vëmendjen e debatit publik.
I tillë ishte Agron Shehaj që drejton partinë Mundësia, kur provokoi me mbylljen e RTSH-së.
Shehaj përfshiu edhe bashkëshorten në fushatën e tij, një detaj që e diferencoi nga të tjerët.
Kryetari i Partisë Mundësia, duke premtuar një aparat shtetëror më të vogël dhe eliminim korrupsioni, u shfaq gjatë fushatës duke punuar si taksist apo shitës në furrë buke.
Adriatik Lapaj i “Shqipëria Bëhet” replikoi më shumë me kryeministrin duke u betuar se do t’ia rrezikojë pushtetin.
Për t’i bindur skeptikët se nuk do të bëjë aleancë me Edi Ramën, avokati Lapaj u shfaq edhe në një video populiste duke nënshkruar besën me një qytetare.
Nën akuzë nga Edi Rama se duan të bëhen si LSI-ja e dikurshme, përcaktues se kush qeveris vendin, Adriatik Lapaj shpalli edhe skenarë për 12 majin, sic ishin zgjedhjet e parakohshme.
Lulzim Basha me koalicionin euroatlantik nuk e mati forcën e shfaqjes me takime masive me qytetarë. I vënë në qendër të vëmendjes, me serialin e replikave në rrjetet sociale me kryeministrin Rama, në fillim të fushatës, ish-kreu demokrat u kap fort pas numrit 313, që identifikohet me burgun e Tiranës. Një gjetje për të vënë në pah korrupsionin e lartë të pushtetit.
Më pas, ai përdori çdo simbolikë që e lidh atë me numrin 4 në fletën e votimit.
Koalicioni Djathtas për Zhvillim, i drejtuar nga Alibeaj dhe Shehi zhvilloi vetëm pak takime me fokus grupe, por asnjëherë mitingje të kushtueshme.
Arlind Qori i lëvizjes Bashkë kreu edhe kësaj radhe një fushatë pa shumë zhurmë, por e përdori hapësirën, kryesisht në rrjetet sociale, për të rrëzuar edhe epitetet që atë e kanë shoqëruar që në nisje të lëvizjes.
Mes të vegjëlve, Tom Doshi, pati një qasje të ndryshme. Kryetari i PSD-së nuk trokiti në studiot e asnjë televizioni, por në këtë fushatë një ekip i dedikuar prodhoi për të materiale të bollshme për rrjetet sociale.
Në fletën e votimit të dielën janë 11 subjekte zgjedhore, përfshirë dhe disa parti që nuk bënë thuajse asnjë ditë fushatë të dukshme.
Komente
