TIRANË- Virus, shëndet, ekonomi dhe rindërtim, ishin fjalët kyçe që shoqëruan gjithë vitin 2020.
Kur pritej që ky vit t'i kushtohej plotësisht rindërtimit të vendit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia do të diktonte çdo vendim të Qeverisë. Vetëm pak ditë pas konferencës së donatorëve ku vendit ju premtuan 1.15 miliardë euro, nisën lëkundjet e para ekonomike.
Rastet e para me COVID-19 nxitën qeverinë në kundërpërgjigje me masa bllokuese për të frenuar përhapjen e tij. Qindra biznese u mbyllën, shumë qytetarë mbetën të papunë e me dhjetëra kredimarrës u vunë përballë vështirësive për të shlyer këstet.
Ndihma e parë ishte nga Banka e Shqipërisë. Guvernatori Gent Sejko dhe Kryeministri Edi Rama firmosën një urdhër të përbashkët për shtyrjen e afatit të pagimit të kësteve të kredisë për biznese dhe individë, të cilët do të hasin vështirësi në këtë periudhë si pasojë e COVID-19. Vendim ky që mbështeti shumë sipërmarrje dhe individë, e që zgjati deri në 31 gusht të 2020.
“Nga kjo lëvizje u vendos në moratorium mbi 40% e portofolit të kredisë bankare, duke lehtësuar barrën financiare mbi bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme. Gjithashtu, nga ristrukturimi i kredisë kanë përfituar mbi 25 mijë klientë bankarë, duke rritur qëndrueshmërinë e plan-bizneseve të tyre afatgjata”, u shpreh Sejko më 16 dhjetor 2020 në mbyllje të konferencës së fundit për vitin 2020.
Pas 10 ditësh u miratua paketa e parë me fokus punonjësit. Me 27 mars 2020 u vendos që të rishikohej për herë të parë buxheti i shtetit ku përcaktuan 12 miliardë lekë për përballimin e pasojave emergjente. Nga ky rishikimin 6.5 miliardë lekë u vendos që do të përdoreshin për 3 pagat e luftës nga 26 mijë lekë për ata që dolën të papunë si pasojë e mbylljes së bizneseve me vendim të qeverisë, ku u përfshin kryesisht të punësuarit e biznesit të vogël.
“Janë duke shkuar afro çerek milionë qytetar që kanë marrë pagat e luftës”, tha Rama.
Mjaftoi një muaj pandemi që nevoja për financim të kërkojë një rishikim të dytë të buxhetit me 15 prill 2020. Këtë herë për të mbështetur punonjësit e ish-punonjësit shkuan 7 miliardë lekë. Të dyja paketat mbështetën me nga 3 paga prej 26 mijë lekësh dhe një bonus 40 mijë lekë mbi 300 mijë të punësuar, por as kjo ndihmë nuk shmangu papunësinë, që në muajit e karantinës arriti në 87 mijë.
Garancia e parë sovrane e miratuar më 6 prill në vlerën e 11 miliardë lekëve ishte me fokus tek mbajtja në punë e punonjësve dhe iu dha mundësia subjekteve që të merrnin kredi pa normë interesi deri në 3 paga për punonjësit, ku shteti dilte garant 100%. Më pas u miratua kredia e dytë sovrane më 13 maj, në vlerën e 15 miliardë lekëve, por si pasojë e interesit 5% dhe kushteve që duhet të plotësoheshin ajo nuk u përdor shumë nga sipërmarrja. Për qeverinë garancitë ishin të suksesshme dhe plotësisht në ndihmë të biznesit, ndërsa për sipërmarrjen kredia e dytë nuk ishte e favorshme.
“Garancitë sovrane janë një mundësi që edhe me mbështetjen e qeverisë të mund të merrni kredi”, tha Denaj.
“Kredia sovrane ishte e mirë për shumë të paplagosur”.
“Shumë biznese kanë ngecur tek analiza e riskut”, thotë biznesi fason.
Përpos ndryshimeve të buxhetit, u vendos shtyra e detyrimeve për biznesin dhe individët. Këstet e parapagimit të tatim fitimit u shtynë për në shtator, si dhe u shty deklarata për të ardhurat personale. E nga ana tjetër për të përballuar shpenzimet nuk mjaftoi vetëm rishikimi i buxhetit por edhe pezullimi dhe ulja e pagesave për koncesionet me 6.2 miliardë lekë.
Nuk kaloj shumë gjatë dhe ndodhi rishikimi i tretë i buxhetit në muajin korrik. Qeveria uli në mënyrë drastike pritshmëritë për të ardhurat dhe dyfishoi deficitin buxhetor. Në muajin mars, ekspertët e ministrisë së financave prisnin të mblidhnin rreth 490 miliardë lekë. 4 muaj më pas i ulën pritshmëritë me jo pak por mbi 43 miliardë lekë. E rishikimi i tret parashikonte që të mblidhte vetëm 446.5 miliardë lekë. Si alternativë për të përballuar situatën e krijuar shteti zgjodhi të dyfishojë deficitin buxhetor, nga 3.7% që ishte në muajin mars ne 8.4% të PBB-së.
“Jo vetëm burimet buxhetore të brendshme por edhe tregjet dhe institucionet ndërkombëtare u shfrytëzuan nga qeveria, për të marrë kredi dhe Eurobondin. Konkretisht nga marsi deri më tani qeveria ka marrë 865 milionë euro kredi dhe 650 milionë euro ishte eurobondi që u emetua në qershor dhe përsëri u konsiderua si histori suksesi nga qeveria”.
BORXHET E MARRA
HUMADHËNËSIT VLERA E MARRË
Komisioni Evropian 180 milionë euro
Obligacion në tregun e brendshëm 100 milionë euro
FMN 139.3 mln SDR/170 mln euro
BB për menaxhimin e financave 80 milionë dollar
Eurobondi 650 milionë euro
BERZH për shëndetësinë 15 milionë euro
BERZH për turizmin 60 milionë euro
BE për mikrofinancën 180 milionë euro
BB për rimëkëmbjen 80 milionë dollarë
Borxhi publik është parashikuar të arrij në 80.9% në 31 dhjetor 2020, ndërkohë që pësoi një rënie të lehtë në shtator.
“Në momentin që këto borxhe do të duhet të shlyhen si ërkthehet?Përkthehet në një barrë për brezat që vijnë do duhet ta paguajnë. Mirëmenaxhimi i borxhit dhe orientimi i politikës fiskale në mënyrë të drejtë dhe eficiente në vitet që vijnë nuk do ta bënte kaq tragjike rritjen e nivelit të borxhit. Pavarësisht se kemi një rritje të lartë të borxhit, menaxhimi i tij do të shënonte suksesin ose dështimin e një qeverie”, shprehet për Report TV Pedagogia dhe ekspertja e ekonomisë Elona Shehu.
Kjo goditje globale ishte më e ashpër se ajo e Depresionit të Madh të viteve 1930, dhe padyshim që e kapërceu krizën e vitit 2008. Qeveri, opozitë, kritikë, biznes, banka dhe ekspertë të gjithë pranuan se nuk kishte asnjë tjetër si kjo krizë. Por çfarë ka ndodhur tashmë pas 10 muajsh në pandemi?
“Goditja që COVID-19, i dha ekonomisë ishte e paprecedentë dhe e gjithë bota ishte e papërgatitur. Edhe pse të gjithë nxituan të miratonin paketat e duhura për momentin, recesioni ishte i pashmangshëm. Karantina i kushtojë arkës së buxhetit me miliona euro, ndërsa nga INSTAT u artikulua një rënie prej 10.2% në tremujorin e dytë krahasuar me 2019. Më pas dalja nga izolimi duket se rikthyen shpresën pasi tkurrja në raport me vitin e kaluar ishte -3.4%”.
Kriza e gjeti të papërgatitur ekonominë, sipërmarrjet dhe çdo institucion në tërësi. Për këtë arsye edhe parashikimet e para ishin për një rënie të lehtë ekonomike, pritshmëri që u përmbysën brenda muajve.
“Natyrisht që kjo situatë ishte e pritshme pasi të gjitha parashikimet edhe për vendet e zhvilluara në kushtet e Lock Doën dhe situatës që shkaktoi pandemia COVID-19, si dhe bllokimi i ekonomisë dhe i çdo lloj aktiviteti, pritej që ekonomia do të merrte një goditje të rëndë”, sqaron eksperti i ekonomisë Adrian Civici.
“Një mbyllje mund të konsiderohet si një kolaps, pasi nuk ka buxhet për të mbuluar shpenzimet”,shprehet ekspertja e ekonomisë Elona Shehu.
“Të gjithë mendonin se mund të kishte një rënie 1-2% por jo në këto nivele. U goditën shumë sektor padyshim turizmi ishte kryesor por edhe shumë sektor prodhues të cilët kuptuan dobësitë e tyre dhe të orientuar drejt një tregu siç ishte ai Italian, dhe jo difversifikimi i tyre”, pohon kreu i eksportuesve Alban Zusi.
Me kalimin e muajve nisën të identifikoheshin edhe sektorët e parë që regjistruan rënin më të madhe nga izolimi, dhe masat kufizuese që vijonin të ishin në fuqi. Turizmi ishte ndër aktivitetet më të goditura, pasi më shumë se 70% e prenotimeve u anuluan.
“Unë mendoj se ka qenë mbi 70% humbja vetëm për periudhën e plazhit. Turet, ekskursionet itineraret në Shqipëri që kapin me mijëra lëvizje këtë vit kanë qenë zero”, sqaron operatori turistik Besnik Vathi.
“Padyshim që turizmi ishte një ndër sektorët më të goditur si pasojë e mungesës së turistëve të huaj, si pasojë e izolimit dhe masave që u ndërmorën për kufizime por ajo që ndikoi në ruajtjen e një niveli të caktuar xhiroje ishte të pasurit e turistëve vendas, pasi të gjithë ata që iknin jashtë për pushime qëndruan në Shqipëri”, sqaron ekspertja Shehu.
“Vendet të cilat kanë aktivitetit të turizmit si pjesë të rëndësishme të PBB, impakti i pandemisë ka qenë më i lartë, edhe këtu është ndjerë por ne jemi të varur edhe nga remitancat”, thotë eksperti i ekonomisë Enkelejd Dermyshi.
“Shifrat janë alarmante, ato realet ndoshta janë edhe më alarmante nga këto që publikohen. Hyrje dalje nuk është patjetër për qëllim turistik ka edhe arsye të tjera pavarësisht se si deklarohet nga individi. Shkojmë përtej 70% në humbje si për numrin e turistëve dhe për anën financiare”, sqaron operatori turistik Ferjolt Ozuni.
Raportimi më i fundit për gjendjen e këtij sektori erdhi nga Instituti i Statistikave, i cili njoftoi se pandemia fshiu nga xhepat e bizneseve turistike rreth 1 miliardë euro, ndërsa rënia me vitet e kaluara kalkulohej në rreth -60%.
Nga ana tjetër ishte Banka e Shqipërisë që prezantoi një panoramë tjetër këtë herë bazuar në shifra monetare. Në muajit e sezonit veror turistët e huaj shpenzuan në vendin tonë korrik-shtator 346 milionë euro, nga 782 milionë euro që shpenzuan në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa shqiptarët kanë shpenzuar jashtë vendit në tremujor e tretë 253 mln € nga 527mln € që harxhuan në 2019, duke bërë që izolimi i pjesshëm të kufizonte edhe shpenzimet jashtë Shqipërisë për pushime.
FASONERIA
Sektori prodhues nuk mundi ti shpëtoj këtij armiku. Të gjendur përball vështirësive fabrikat u munduan të përshtaten me kërkesat e tregut, por varësia ndaj kompanive Italiane, Gjermane, Kineze dhe më gjerë ndikuan negativisht në aktivitetin e tyre.
“Biznesi fason në këto momente ndodhet në një situatë që ne e kishim parashikuar dhe në muajit shtator – tetor ishin problematike. Sektori i modës në Itali, Gjermani, Spanja në rënie dhe ne do të jemi pasqyrim i problematikave që kanë këto shtete me të cilat ne kemi bashkëpunimin më të madh”, shprehet përfaqësuesi i biznesit fason Florian Zekja.
Biznesi fason importoi gjatë këtij viti rreth 98 milionë euro më pak kontrata se një vit më parë dhe eksportoi 130 milionë euro më pak.
TRANSPORTI
I mbyllur në muajin mars dhe për të rifilluar aktivitetin ju deshën tre muaj. Ata hapën dyert e urbanëve për qytetarët në qershor, ndërsa humbjet kalkulohen përsëri në miliona euro. Me ngulm dhe protesta shoqëritë e transportit kërkuan heqje të akcizës dhe zbritje të TVSH-së, kërkesa që deri më tani ranë në vesh të shurdhër.
Gjendja vijon të jetë e vështirë. Kjo është përgjigja kryesore që artikulohet në çdo deklaratë të përfaqësuesve të sektorit.
“Gjendja e transportit ndërqytetës dhe qytetas është në vështirësi në aspektin ekonomik, pasi pandemia i dha një goditje fatale, një pjesë ka falimentuar dhe pjesa tjetër është në situatë të vështirë. Tek subjektet me potencial të madh ekonomik rënia e të ardhurave ka qenë deri në 60%, ndërsa kompanitë e vogla pjesa më e madhe ka anuluar të gjitha oraret dhe nuk po shërbejnë më në treg. TVSH në shitje është një krim ekonomik që subjektet e transportit paguajnë 20% për çdo biletë të shitur. Është edhe akciza e naftës dhe vetëm nëse hiqet ajo ose një nga taksat e tjera është një ndihmë e drejtpërdrejtë për të kapërcyer krizën”, sqaron Dashnor Mema.
Ky sektor sipas të dhënave të INSTAT ka rreth 14 mijë të punësuar direkt, dhe janë 100 mijë të varur indirekt prej tij. Të tre këto sektor të lidhur indirekt me njëri-tjetrin kërkuan pa ndalur një paketë të tretë mbështetëse. Por përgjigjja nga qeveria ishte e njëjtë.
“Që të jem i sinqertë nuk shoh një paketë të tretë në horizont”, sqaroi Rama.
Edhe pse paketat e qeverisë në vlerën e 39.5 miliardë lekëve u konsideruan pozitive nga një pjesë e biznesit dhe nga ndërkombëtarët, ata nuk mund të zgjidhnin plotësisht plagët e biznesit.
Përpos kësaj drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj thotë për Report TV se ata ja dolën të përballonin krizën në mënyrë të suksesshme.
“Ia kemi dalë ta përballojmë mendoj me sukses”, tha drejtoresha.
Pyetja që lind pasi për një paketë të tretë nuk ka më shpresë, është se çfarë i mungoi dhe çfarë kërkon biznesi si mbështetje për vitin 2021?
“Duhet të identifikojmë se kush është kategoria e atij agjenti të ekonomisë që duhet mbështetur, pra duhet të mbështesim individin, apo biznesin që punëson”, shprehet Shehu.
“Gjëja e parë që qeveria duhet ti japë biznesit është ti japë një platformë diskutimi për të minimizuar të gjitha barrierat administrative që nuk kushtojnë. E dyta është rishikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që të respektohen siç ato janë konceptuar që bizneset të mbrohen nga konkurrenca e pandershme sidomos nga ajo e marrëveshjes CEFTA. Ne kemi barriera në të gjitha vendet e CEFTA-s për të futur produktet tona”, sqaron Zusi.
“Nga një analizë që kemi bërë del që kemi një 3500 lekë deri në 4000 lekë të reja që një sipërmarrje e madhe i ka harxhuar për çdo punonjës për të frenuar përhapjen e pandemisë nëpër fabrika. Ky është një sinjal për qeverinë që të kemi një paketë rimëkëmbje që të përfshijë edhe këto kosto që ne i kemi përballuar”, theksoi Shkodra.
TREGTIA ONLINE
Por ana e kundërt e medaljes janë ato biznese për të cilët kriza ishte e favorshme. Tregtia online ishte më i lakmuari në 2020, pasi edhe dyqanet fizike tentuan të kthehen në online për të shpëtuar biznesin.
“Sektori e-commerce apo tregtia online ka qenë një ndër sektorët më të favorizuar të gjithë fushave të tjera. Ky zhvillim ka ardhur në rritje shumë herë më të lartë se përpara pandemisë. Këtë e tregojnë edhe shumë faqe të hapura gjatë kësaj periudhe, shumë kompani të hapura dhe rritja e numrit të shitjeve. Kjo rritje do të vazhdojë edhe në 2021 dhe kjo është e sigurt pasi tregtia tradicionale po kthen platformat e saj online dhe kjo do të sjellë një zhvillim të industrisë online”, thotë Pranvera Rrapushi agjente e shitjeve online.
Por edhe biznesi online u përball me vështirësi si pasojë e faqeve informale dhe pasigurisë së qytetarëve për të konsumuar.
“Faktori i parë do të ishte papunësia, dhe rritja e papunësisë ndikon në uljen e shitjeve dhe faktori i dytë është pasiguria, duke qenë se duke mos ditur se çdo të ndodh njerëzit do të kursejnë. Gjatë pandemisë ndryshoi panorama e të bërit biznes duke qenë se kërkesa konsumatore kanë qenë tek gjërat e domosdoshme që kanë lidhje me shëndetin me familjen. Ka edhe informalitet dhe sigurisht që ai nuk është pozitiv pasi i bën klientin skeptik nuk dinë të zgjedhin se ku janë kompanitë serioze”, shprehet Rrapushi.
Në pandemi për asnjë moment nuk u stopua ndërtimi dhe aktiviteti i pasurive të paluajtshme të cilët regjistruan rritje të ndjeshme, ndërkohë që sektor të tjerë po përjetonin rënie të frikshme të xhiros. Pas për zhvillim nuk mbeti edhe sektori ushqimor.
Për të mbështetur bizneset qeveria ka vendosur që nga 1 janari 2021 pragu i ri i TVSH-së do të jetë 10 milionë lekë, dhe nga ky përjashtim përfitojnë mbi 40 mijë biznese dhe të heq tatimin mbi fitimin për bizneset e vogla me qarkullim deri në 14 milionë lekë. Por edhe viti që vjen do të jetë një sfidë për biznesin në vend pasi do të nis implementimin fiskalizimi.
“Do të jetë një vit sfidues. Ne synojmë që të ulë informalitetin, të rrisë eficencën e administratën tatimore dhe të ardhurat, dhe ne do të kemi për herë të parë në sistem në kohë reale të gjitha faturat që lëshohen nga subjektet në kohë reale dhe jo vetëm faturat por të gjitha elementet e saj. Ne kemi disa pritshmëri të bazuara në disa vende të tjera, informaliteti nuk do të zhduket në një ditë por në afatmesëm ne presim që të kemi një ulje të informalitetit me 15%. Sigurisht që biznesi që do fillojë në 1 janar është gati pasi i kemi informuar dhe trajnuar për këtë proces. Janë rreth 7600 biznese që kanë lëshuar fatura drejt enteve publike gjatë këtij viti dhe të gjithë janë kontaktuar dhe trajnuar. Të gjithë këta subjekte nëse nuk janë gati për tu pajisur me softuerin që do të kryejnë shkëmbimin e informacionit, mund të përdorin portalin Self Care, dhe mund të lëshojnë faturat duke për të lëshuar fatura”, theksoi drejtoresha e tatimeve Ibrahimaj.
E teksa humbjet financiare në gjashtëmujorin e parë të vitit kishin arritur në rreth -6.6% të PBB-së, qeveria hartoi buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili pas ndryshimeve në Kuvend arriti në 484 miliardë lekë, duke mbështetur shëndetësinë, blerjen e vaksinës, investime në infrastrukturë, rritje të pagave dhe një sërë angazhimesh të tjera ambicioze. Nuk kaluan shumë orë dhe kritikat e para nisën. Buxheti u konsiderua me theks të tepruar elektoral.
“Për mua është buxhet i paekuilibruar një buxhet që 75% të tij shkon për infrastrukturë në opinionin tim është i paekuilibruar. Ne kemi parë dhe në vitit 2013 që një pjesë e mirë e buxhetit shkoi për infrastrukturës dhe u kuptua që u hodh shumë lekë dhe nuk u kthyen në zhvillim”, thotë Zusi.
“Buxheti i vitit 2021 nuk parashikon një plan të qartë të rimëkëmbjes, por një ecuri me shumë entuziazëm të qeverisë”, tha Shkodra.
“Optimizmi për vitin e ardhshëm duhet marrë me shumë rezerva përveç faktit që jemi në mes të një pandemie të dytë dhe kjo krijon pasiguri”, sqaron Dermyshi.
Por për qeverinë është kokë e këmbë buxhet i rimëkëmbjes.
“Është që të jetë një buxhet antikrizë, anti recesion dhe është një buxhet i rimëkëmbjes ekonomike, për t’ju rikthyer edhe një herë pyetjes tuaj një rimëkëmbje ekonomike, një rigjallërim i ekonomisë pas rënies ekonomike në përgjithësi, kërkon padyshim politikat e investimeve ekonomike me qëllim që politika fiskale të krijojë hapësirë fiskale për më shume investime dhe ky ka qene synimin. Edhe pse shuma e investimeve mund t’ju ketë bëre përshtypje është përgjithësisht në funksion në elementëve të krizës, dhe për të rigjallëruar ekonominë është fokusuar tek projektet në vazhdim dhe jo tek projektet e reja”, sqaron Angjeli.
Në vitin 2021 qytetarët do të kenë një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike. Qeveria parashikon që rritja e konsumit të ndikoj pozitivisht, madje një ndër arsyet e rritjes së pagës minimale ishte edhe ky element.
“Impakti i parë që ne dimë për rritjen e pagës minimale është 13 milionë euro do të hiqen nga duart e qytetarëve dhe biznesit për të shkuar në duart e shtetit”, thotë Zusi.
“Ndryshimi i pagës minimale absolutisht që pretendohet që të rris mirëqenien e familjeve por duhet të jetë i konsultuar me të gjitha grupet e interesit”, pohon Elona Shehu.
Ndërkohë që vendi po përpiqet të shlyej humbjet e shkaktuara këtë vit, në vendimet e shumë shteteve të huaja po artikulohet mbyllja e dytë e ekonomisë. Por çfarë do të thotë për ekonominë e vendit një tjetër lock doën? Përgjigjet vijnë nga ministrja e Financave Anila Denaj, tregtarët dhe ekspertët.
“Do ishte e pamundur për t’ia dalë për disa vite nëse do të kishim një mbyllje të dytë të ekonomisë. Besoj që vaksina është një element për ekonomitë por edhe për qytetarët. Mbyllja e plotë për ekonominë e vendit do të ishte jo e mirëpritur dhe negativizmi do të ndikonte në disa vite dhe jo vetëm në një vit. Nëse kjo ndodh ne do të stopojmë disa nga projektet do të ngrijmë disa nga shpenzimet edhe ato koncesionare do ulen pagesat e tyre dhe do të shtyhen në kohë”, u shpreh Denaj.
“Me thënë të drejtën që kur ka filluar COVID-i na ka rënë puna gjysmë për gjysmë mos të them më shumë. Kemi bërë ulje çmimesh por nuk është se ka vlejtur shumë kjo ulje”.
“Me thënë të drejtën jemi shumë dobët kjo periudha e pandemisë na ka bllokuar komplet punën. Unë kam 20 vjet që jam marrë me këtë punë dhe një situatë të tillë nuk e kam përjetuar asnjëherë. Ne duam që të heqim mallin dhe i kemi ulur çmimet nën kosto, dhe përsëri kemi mall plot”.
“Jo jo nuk ka punë fare”.
“Shumë dobët. Mall stok ka mbetur edhe është dobët”.
“Jo më thënë të drejtën nuk e përballojmë. Do të jetë një falimentim për biznesin vogël”.
“Ne kemi marrë fund që tani dhe një karantinë e dytë është ekzekutim”.
“Ajo mos ndodhtë se do të jemi të gjithë të falimentuar”, thonë tregtarët.
“Ne shikojmë vetëm ato oraret që janë vendosur për të kufizuar grumbullimit dhe kanë shkaktuar rënie dhe shkurtim të xhiros së ditore për të gjitha ato biznese që janë pjesë e këtij sektori që preken nga mbylljet. Përpos shëndetit edhe financat e biznesit, të familjet janë të rëndësishme, dhe një mbyllje e dytë do të ishte fatale”, tha Shehu.
Por si i argumentojnë ekspertët këtë rënie ekonomike, që është e frikshme nëse ndodh përsëri në 2021?
“Ne duhet të kalojmë në një ekonomi prodhuese nuk mund të jemi më një ekonomi shërbimesh. Një ekonomi tregtare nuk ka zhvillim ekonomik pa tregti pasi tregtia është në funksion të prodhimit”, tha Zusi.
“Çështja e goditjes lidhet edhe me strukturën e ekonomisë sepse strukturat e bëra midis vendeve të rajonit, goditja ka qenë e përcaktuar edhe nga produktiviteti dhe struktura e ekonomisë dhe mbi të gjitha periudha e rikuperimit tashmë kanë filluar edhe parashikimet se sa do të jetë rritja ekonomike në 2021, apo se në cilat vende rritja do të jetë sa dyfishi i rritjes së vitit të kaluar”, tha Civici.
Pak para se të mbyllej viti qeveria doli me një akt të katërt normativ të buxhetit ku u mjaftua vetëm me rialokime fondesh por pa ndryshim treguesish. Në akt u përfshi edhe bonusi për pensionistët. Pritshmëritë për vitin 2021 janë të kryqëzuara me ecurinë e virusit. Një jetëgjatësi e tij, do të shkaktonte një përkeqësim të treguesve makroekonomik, dhe nuk do të lejonte hyrjen në trajektore pozitive të prodhimit. Ekspertët janë të dyzuar edhe në këtë aspekt, por të dhënat janë kokëforta, në hyjmë në vitin 2021 me një recesion të pritshëm prej 6.1% nga qeveria e deri në -9% nga BERZH.
Aktualisht vendi në 11 muaj të 2020 nga thesari i shtetit janë fshirë nga pandemia 310 milionë euro, ndërsa deficiti i buxhetit ka arritur në 591 milionë euro.