Askujt s’i tha dot lamtumirë. Gjekë Marinaj u arratis natën në këmbë, duke kapërcyer malet, me një çantë me libra në shpinë, disa fletushka me poezi dhe një batanije.
Breshëria e plumbave pas tij erdhi pak minuta më vonë, kur ushtarët kishin parë batanijen mbi telat e klonit.
U arratis në kohën që populli shqiptar jetonte i izoluar, i abuzuar dhe i varfër ekonomikisht.
Gjekë Marinaj, gjatë intervistës për Report TV rrëfen bisedën me ambasadorin amerikan në Beograd, kur i thotë se: ‘Unë kam një poezi. Qe ajo poezi shkak që më solli deri këtu.’
-‘Këtu në Beograd e ke?’,- tha ambasadori.
-‘Po, tha Gjeka’.
-‘E ke me vete?’
-Jo, - tha Gjeka, - e kam në Hotel’.
- ‘Atëhere në rregull, - më tha, sille nesër’… rrëfen poeti.
Dhe ditën tjetër ai merr bekimin prej kësaj poezie. Ambasadori, pasi e lexoi i tha: ‘Paç fat në Amerikë, bir!’.
‘Kuajt…
Tërë jetën duke vrapuar rrimë
Shohim veç përpara
Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë.
Ne nuk kemi emër
Të gjithëve kuaj na thonë.
Nuk qajmë,
Nuk qeshim;
Heshtim,
Dëgjojmë;
Hamë atë ç’na japin,
Ecim nga na thonë,
Asnjë nga ne s’është mendjehollë.
Kush qe kalë mbreti,
Posti qe i lartë
Kush qe kalë princeshe
I bënë shalë të artë
Kush qe kalë fshatari
Pat samarë me kashtë
Kush qe kalë i egër
Tërë jetën fjeti jashtë.
Po qemë dhe mbetem kuaj, para njeriut.’
Poezia “Kuajt” e Gjekë Marinaj u botua në gazetën “Drita” më 19 gusht të vitit 1990. Ishte tronditës botimi i saj në gazetën letrare më të rëndësishme të vendit.
Syri i sigurimit të shtetit u zgjua me drithërimën e një bishe. Gjekë Marinaj e thirrën në degën e sigurimit në Shkodër të paraqitej paraditen e 12 shtatorit të vitit 1990.
Nuk pati kohë të mendonte çfarë dënimi e priste atë, miqtë dhe familjen e tij.
Kapërceu malet, si një personazh baladash dhe pikërisht në mëngjesin e 12 shtatorit 1990 u gjend i raskapitur në periferi të Podgoricës, në Mal të Zi.
Dr. Gjekë Marinaj, ka lindur në fshatin Brrut të Kastratit në Malësi të Madhe në vitin 1965. Banon në Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai mbërriti nga Serbia në San Diego në qershor të vitit 1991.
Brenda gjashtë muajve u shpërngul nga Kalifornia në Riçardson të Teksasit.
Ka mbaruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Fakultetin e Shkencave të Përgjithshme. Ka kryer Shkollën e Arteve dhe Humanizmit në Universitetin e Teksasit në Dallas në të gjitha nivelet master dhe doktoraturë. Në vitin 2012 mbaroi studimet doktor në Filozofi pranë Universitetit të Teksasit në Dallas.
Paralelisht përfundoi edhe programin e certifikimit në Studimet e Holokaustit në Ackerman Center. Gjekë Marinaj është themeluesi i shoqatës e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Ai ka përkthyer edhe një antologji me poezi të Eposit të Veriut në anglisht së bashku me poetin amerikan Frederick Turner.
Për poezinë e tij Gjekë Marinajt i janë akorduar çmime letrare brenda dhe jashtë Shqipërisë.
“AJO E BËN HORIZONTIN TË SKUQET”
Poezi nga Gjekë Marinaj
Ajo ka një forcë aq tërheqëse në qenien e saj,
Sa kam frikë nga vetja ta përshkruaj.
Një nuancë pigmentesh, polifenolesh,
Shkrirë në shtëllunga të buta mëndafshi,
Më rrotullohet në kokë si një helikë,
Me fletë drite prej afshi,
Shtyrë nga një rrjedhë e ngutshme ndjenjash.
Vështrimi i saj
Hapësirën e bën të dremisë,
Kohën në gjuhë flakësh veten të sodisë.
Mbrëmja nuk bie dot në gjumë kaq herët,
Me qiellin të yllëzuar prej saj janë të pandarë,
Kur Venusi romak e Afërdita greke
Ngjethen nga zilia
Këtë perëndeshë të re duke parë!
Dritëhijet e muzgut lëngëzohen në ekstazë,
Kondensohen prapë në një protoplazmë të re,
Hijeshia e saj që do i bënte zanat me plasë,
Më rri më larg se sikur të mos ekzistoja fare.
Ndërsa hëna është e lirë të ecë majë gishtërinjsh,
Dhe ta shijojë me nge atë,
Midis degëve të një peme lejuese tjetërsohet,
Në një portokall i skuqur nga pjekja
Që mezi pret të qërohet.
Edhe një pash vargmal atypari,
Pothuajse i tejdukshëm,
Por pak i tendosur,
Përtërihet në një hije të errët vertikale
Për t'iu përshtatur kurbës së saj të përsosur,
Duke më shtyrë të mërmëris me vete:
Pse ligjet e natyrës
Lejojnë mrekulli të tilla natyrore,
Që kanë kaq pushtet,
Në vrasjen dhe ngjalljen e ndjenjave njerëzore.
Që nga viti 1991 që ka emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bë i njohur botërisht si poet, shkrimtar, përkthyes dhe kritik letrar dhe sidomos si themelues i Teorisë së Protonizmit – një formë kjo e kritikës letrare që ka për qëllim të promovojë paqen dhe të menduarit pozitiv. Poet që ngre lart vlerat e lirisë, të drejtat e njeriut dhe rolin e paqes globale.
Gjekë Marinaj ka botuar 22 libra me poezi, gazetari, kritikë letrare dhe përkthime letrare. Veprat e tij janë përkthyer në 30 gjuhe te botës. Por princesha e krijimtarisë së tij është poezia, e vlerësuar nga kritika ndërkombëtare.
Marinaj eshtë drejtor i Shtëpisë Botuese “Mundus Artium Press” dhe redaktor i revistës “Mundus Artium”. Është gjithashtu themelues dhe ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Aktualisht jep mësim në Richland College të shtetit Teksas. Ka fituar çmimin Çmimi Letrar Ndërkombëtar “KS International Literary Prize” për vitin 2020.
Gjekë Marinaj gëzon disa dekorata e vlerësime ndërkombëtare të marra në shumë vende të botës nga Amerika në Rumani, nga Azia Qendrore në Europën lindore në Itali, në Japoni, e deri në Kazakistan. Vlerësimi më i lartë i krijimtarisë së tij është propozimi për Nobel Prize.
Disidenca eshte tjeter muhabet, po sa per cilesi poetike ky qenka pak si per gjynaf.
Përgjigju