I specializuar për pikturë kavaleti, litografi dhe pikturë monumentale, Gjergj Kola në vitin 1991 si shumica e shqiptarëve mori rrugën e emigrimit.
Gjergj Kola u largua nga Shqipëria për arsye politike, duke u vendosur në qytetin e Kozanit në Greqi dhe aty ai filloi të jetonte e pikturonte për 23 vite rresht.
Iku nga Shqipëria duke pasur në mendje dhe në zemër mësimet e profesorëve më të shquar të artit Angjelin Dodmasej, Danish Jukniu dhe Agim Zajmi.
Punoi intesivisht me artin dhe pikturën, dekoracionet, portretet, kompozimet, ilustrimet e deri në vepra monumentale në institucionet arsimore, kulturore, teatrot, kishat, etj.
Gjergj Kola ka lindur ne Lezhë, në maj të vitit 1967, në qytetin që pas diplomimit punoi si profesor i arteve të bukura dhe edukatës.
Vepra e artistit Kola depërtoi në Greqi nga Kozani në Selanik, Athinë e në shumë qytete e fshatra të Greqisë, por edhe në diasporat greke në botë.
Në shtetin Grek numërohen mbi 7000 vizatime, studime dhe vepra në pikturë, pjesa më e madhe e të cilave janë në Kozan dhe në zonën përreth.
Në vitin 2013 u spostua zyrtarisht në Itali, ku vazhdoi me të njëjtin intensitet impenjimin e tij artistik.
Në Itali botoi librin - album "Legjendat Shqiptare" me 63 punime në 5 gjuhë, italisht, shqip, greqisht, anglisht dhe rusisht, me një tekst të përpunuar nga bashkëshortja e tij Vjollca Kola.
Libri u prezantua në disa qytete italiane, në Greqi, në Athinë, Kozan, Ptolomaidha, Paris, Canë, Berlin, Bruksel, Malaga, etj.
Studiuesja dhe poetesha e shquar italiane Victoria Dragone në bashkëpunim me Vjollca Kolën botoi librin -album "Hypatia e Aleksandrisë" dedikuar filozofes së shquar të antikitetit Hypatia.
Në Itali Gjergj Kola e zgjeroi aktivitetin e atij artistik në qytetin e Fanos, Pesaros dhe Urbinos.
I ftuar nga fondacioni Pikasiano hapi ekspozitën personale që zgjati një vit në Malaga në Galerinë "Ardiscar", duke u ekspozuar në vazhdim në Barcelonë dhe përsëri me 2 ekspozime në Malaga.
Gjergj Kola pas sukseseve në Spanjë u ftua në Nju Jork në Art Muzeum në Galerinë "Lachmont", si dhe bëri marrëveshje me fondacionin "Linpold", i cili aktualisht disponon 36 punime të artistit Kola në koleksionin e tij.
Që nga viti 2014, kur ishte ftuar nga një galeri e njohur italiane, Gjergj Kolës iu hap rruga për të ekspozuar në Paris, në Barcelonë, në Londër. Ekspozoi në disa qytete të Norvegjisë, dhe nuk e ndali më ritmin ekspozitave nga Europa drejt Azisë, Afrikës, Amerikës, në sallone dhe evente ndërkombëtare
Në Paris ka ekspozuar 5 herë në Luvër, në Espace Gallery, disa ekspozita në Bashkinë e Parisit, si dhe në Pallatin e Kongreseve në Cane, Francë.
Disa studiues të njohur të arteve bashkëkohorë, kanë nxitur publikimin e veprës së artistit Kola.
Ndër më të rëndësishmit është profesoresha Silvia Cuppini, e cila prezantoi veprën e artistit edhe në Vatikan në Universitetin Urbaniano në vitin 2017.
Në Itali janë realizuar 2 filma të shkurtër dokumentarë, që i dedikohen veprës dhe karrierës artistike të artistit. Në Selanik është realizuar një film dokumentar, i bazuar në librin -album biografik që profesori i njohur i historisë Kostantinos Fotiadis i ka kushtuar pikturës epike të artistit dedikuar Genocidit ndaj pontëve.
Gjergj Kola aktualisht vazhdon punën krijuese, studimore dhe kërkuese në qytetin turistik Limone sul Garda, ku ka edhe atelienë e tij.
Në këtë qytet ai realizoi 7 vepra monumentale murale, që emocionuan qytetarët e Limones dhe turistët e shumët të këtij qyteti.