‘Buka e përditshme’ në Shqipërinë e vogël të viteve 90-të garantohej nga fushat e vendit. Sot sipërfaqja e mbjellë me grurë sa vjen e pakësohet. Të korrat e këtij viti kanë nisur, por prodhimi nuk ‘kompenson’ as lodhjen.
“Nuk ka prodhim. Dikur kushërinjtë e mi mbillni nga 5-6 dynym, tani mund të kenë 4-5 kuintal. E shumë e shumë të tjerë kështu. Nuk ka prodhim se plehrat janë të shtrenjta të gjitha. S’kemi ç’të bëjmë, kaq të ardhura kemi”, thotë Liu Mici fermer në zonën bujqësore Topojë-Seman të Fierit.
Jo vetëm rendimenti, por edhe çmimi i grurit po i dëmton bujqit. Faslli Daka fermer nga Grabjani i Fierit, ka më shumë se 20 vite që kultivon grurë, por siç ai tregon çmimet për kuintal nuk mbulojnë as kostot e kësaj kulture nga mbjellja tek korrja.
“Unë mbaj mend vetëm një herë me 50 mijë lekë kuintalin para 3-4 vitesh, tani me 25-27 mijë lekë kuintali dhe është shumë e gabuar”, thotë Daka.
Të njëjtin shqetësim e ndajnë thuajse të gjithë fermerët e Myzeqesë.
“Prodhimi nuk është i kënaqshëm. 2-3 kuintal për dynym del me humbje nga gruri. Unë 3 dynym grurë kam mbjellë, mbuloj nevojat e mia. Sivjet çmimi ka rënë në 3000 lekë kuintali. Të paktën të ishte më shumë të mbulonim kostot”, thotë një tjetër fermer nga Fieri.
Fushat e Myzeqesë, nuk i kanë shpëtuar tendencës së përgjithshme. Këtë vit janë mbjellë rreth 2800 hektarë nga 8600 hektarë dy vite më parë. Gati një e treta më pak. Por dhe ata që vazhdojnë të mbjellin ankohen për një seri problemesh
“Nuk na japin farë të mirë siç na thonë. Vuajmë për helmet nuk dalin siç na thonë. Jemi për faqe të zezë turpi i botës. Kush i kontrollon ata? Askush si kontrollon dhe e hamë ne fshatarët. Ne punojmë si në kohët primitive të kohës së Zogut. Vjen sot ai që shet farë, plehun që na i shet të gjitha, na e merr me 2500 lekë nëpër magazina, na thotë ‘budallenj s’keni ku e shisni më shumë’. Plehun na e shet si do ai dhe grurit ja vë çmimin ai. Kush ka kurajo të punojë kështu”, tregon fermeri Mili Sako fermer në Topojë-Seman.
Shifrat zyrtare tregojnë rënien progresive të sipërfaqeve të mbjella me grurë në Shqipëri 3 dekadat e fundit. Në vitin 1998 sipërfaqja e mbjellë me grurë ishte gati 141 mijë hektar, dhe prodhohej 395 mijë tonë grurë.
Këto shifrat duken si ‘përralla nga e kaluara’, pasi 27 vjet më vonë sipërfaqja me grurë është tkurrur me më shumë se 3 herë.
“Ka rënë shumë sipërfaqja e mbjellë me grurë. Sivjet një pjesë e mirë nuk mbollën as grurë, as elb, se nuk kishin lekë e mundësi. S’ka as punëtor, nuk gjen dot, edhe po ta marrësh ai do 3 mijë lekë në ditë minimumi, ku të del kështu. Ka plot toka djerrë, i kanë marrë ata që kanë bagëti. Disa i kanë lënë me qira për gati. Sot ka ngelur vetëm 20% e sipërfaqes që mbillej më para”, tregon një tjetër fermer.
Me kalimin e viteve, tranzicioni që përfshiu Shqipërinë shoqëruar emigrimi masiv jashtë vendit apo edhe largimi nga fshati e dyndja në qytete bëri që prodhimi i grurit të venitej.
“Vjet pata 30 hektar të mbjella këtë vit vetëm 10 hektar mbolla me grurë dhe elb”, tregon Jovan Avrami fermer në Krutje.
Vjet u mbollën vetëm 45 mijë hektar tokë me grurë dhe u përfituan në total 180 mijë tonë grurë, këtë vit prodhimi duket më i vakët. E ardhmja po ashtu nuk premton për mirë.
“Vitin tjetër nuk do ti mbjell do ti lë djerrë, le të hanë delet më mirë”, tha fermeri Mili Sako.
Por as kjo sasi nuk përpunohet e gjitha për konsum, pasi për mungesë tregu, një pjesë e këtij prodhimi dëmtohet nga lagështira e shkon për ushqim për bagëtitë.
Ndërsa për fermerët e Kukësit, prodhimi është i kënaqshëm, edhe pse koha kur tokat mbilleshin plotësisht u duket e largët.
“Unë kam mbjellë 25 dynym grurë, dhe gjysmë hektari e kam me elb që e përdor për bagëti. Grurin 80% e shes, pjesën tjetër e mbaj për vete. 45 kuintal për hektar kam marrë, nuk është keq. Kush i ka bërë hyzmet ka marrë prodhim”, tha fermeri nga Kukësi, Eduart Doçi.
“Qarku i Kukësit mbjell 300 hektar me grurë, më shumë në bashkinë Has. Prodhimi është i kënaqshëm, 40 kuintal për hektar, por ka edhe më shumë. Ka një ulje të sipërfaqes së mbjellë me grurë, s’ka fuqi punëtore”, pohon Qemal Memishi.
Boshllëkun e grurit vendas, po e mbush Serbia, Rusia e deri Kanadaja. Sipas INSTAT vjet u blenë në Serbi 140 mijë tonë grurë në Serbi, ndjekur nga 119 mijë tonë në Rusi, rreth 29 mijë tonë në Ukrainë e pjesa tjetër në Kinë, Itali dhe Kanada.
“Qeveria të shikojë pikat e grumbullimit sepse nuk e marrin grurin. Marrin grurin nga Serbia, po hamë bukë serbi”, thotë fermeri Avrami.
Edhe pse përballë vështirësive të mungesës së tregut, çmimit të ulët dhe të pambështetur nga buxheti i shtetit, qarku i Korçës renditet i pari për prodhimin e grurit me gati 42 mijë tonë, ndjekur nga Fieri me 41 mijë tonë grurë të prodhuar.
GJITHË BUJQËSIA PO BIE
Jo vetëm gruri por e gjithë bujqësia duket se është në krizë. Nga kooperativat bujqësore tek bujqësia moderne nëpër sera. Tranzicioni ekonomik pas 90-ës ka ‘trazuar’ sektorin që dikur ishte burimi kryesor i të ardhurave, pasi sot po shohim gjithnjë e më pak të mbjella.
“Duhet ndryshuar marshi përsa i përket bujqësisë. Lërini punët e rëndësishme dhe merruni me punët e bukura. Bujqësia është punë e bukur dhe prodhon gjëra të rëndësishme”, ky ishte apeli i fortë që vetë zëvendësministri i Bujqësisë Dhimitër Kote u bëri kryebashkiakëve më 11 korrik.
Përgjatë gjithë vitit të kaluar shifrat zyrtare tregojnë se u mboll në total nga perimet e deri tek bimët medicinale 677 mijë hektarë nga rreth 700 mijë hektarë në fillim të viteve 2000.
Në tokat shqiptare nga veriu, në Myzeqe e deri në kufi me Greqinë po prodhohet më pak nga fermerët shqiptar.
Vjet për shkak të edhe të kërkesës për perime nga shtetet e huaja, sipërfaqja e mbjellë me perime kryesisht domate, speca, kastravec apo lakër u rrit në 45 mijë hektar, nga 43 mijë në vitin 2023.
Nga kjo sipërfaqe u prodhua në total 1.4 milionë tonë perime. E vërteta e treguar përmes shifrave është edhe më e dhimbshme se alarmi që shpesh është ngritur nga njerëzit e bujqësisë, nga bujku që për të prodhuar humb edhe akrepat e orës se ngrihet pa gdhirë e s’dihet kur flenë, pasi veç perimeve të tjerat po tkurren.
“Po nuk fitojë financë fermeri dhe fshatari nuk rrinë më në fshat. Atë nuk e mban dot me fjalë. Atë e mbajmë kur të gjithë bashkë të bëjmë këto gjëra që prodhojnë financë”, u shpreh zëvendësministri Kote.
Shkaqet e rënies së prodhimit
Këto shenja të krizës së prodhimit vendas janë thelluar ndër vite nga politikat fiskale të ndjekura nga qeveritë sa i takon subvencioneve.
Gruri është një nga kulturat që kultivohet lehtësisht në vend nëse do të mbështetej me financim.
“Këtë tokën dhe pse e kam pa letra kam 20 vjet që e mbjell, pse mos të më ndihmojë përderisa po e mbjellë”, thotë Eduart Doçi fermer nga Kukësi.
Krizat kanë treguar se prodhimi vendas është element kyç i sigurisë kombëtare. Kështu, në vitin 2022 kur nisi lufta në Ukrainë, si rezultat i ndërprerjes së furnizimit të zinxhirit ushqimor çmimet u rritën më shumë se dyfish për një sërë produktesh, ku nuk mbeti pas as gruri. Për këtë shkak Ministria e Bujqësisë e bëri pjesë të Skemës Kombëtare të Subvencioneve edhe grurin në vitin 2023.
Subvencioni me 30 mijë lekë për çdo hektar grurë, bëri që sipërfaqja e mbjellë me këtë kulturë të rritej nga 54 mijë hektar në 2022-shin, në 57.6 mijë hektar në 2023-shin, dhe u prodhuan 233 mijë tonë grurë.
“E mbjellim më shumë se nuk kemi sistem ujitës se nuk duhet mbjellë sepse kostoja e grurit që ne prodhojmë është 140 mijë lekë dynymi ose 1.4 mln leke hektari, qiraja e tokës, plugimi 20 dynymi, frezimi 14 mijë lekë dynymi, mbjellja 10 mijë lekë dynymi. fara 25 kg për dynym, tre duar plehërim dhe korrja në fund”, tregon fermeri nga Grabjani.
Por ndërsa subvencionimi dëshmoi se dha efekt, mbështetja u hoq në skemën e 2024-ës, me pasojën e menjëhershme të rënies së prodhimit.
“Ta subvencionojnë grurin në mënyrë absolute. E sheh unë 25 mijë lekë të më japë pas edhe shteti me anë të faturave, që të mos e humbas kulturën e grurit, se kështu më mirë mbjellë jonxhë”, pohon femëri Daka.
Një nga faktorët kryesorë pse fshati po braktiset e bujqësia po tkurret është financimi i ulët i bujkut. Mbështetje që jepet jo vetëm me subvencione por edhe me kredi. Sektori që punëson më shumë se 450 mijë qytetarë kryesisht në zonat rurale apo biznese të vogla familjare dhe që jep kontribut në Prodhimin Kombëtar me afro 18%, merr si financim vetëm 1.8% të buxhetit të shtetit dhe më pak se 1.3% të totalit të kredisë që japin bankat.
Nga 8.2 miliardë euro shpenzime për vitin 2025, për bujqësinë u ndanë vetëm 145 milionë euro. Ndërsa sektori bankar vijon të tregohet dorështrënguar me këtë sektor. Stoku i kredisë së dhënë për bujqësinë në fund të vitit 2024 ishte vetëm 63 milionë euro ose 1.3% e totalit të huasë së dhënë për bizneset.
Me ndryshimet ligjore të vitit 2019, që prekën Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, duke e bërë 0%, ra edhe interesi i grumbulluesve, tregtarëve apo kompanive për të blerë prodhimin vendas.
Kjo për shkak se sot një grumbullues kur blen grurin tek fermeri TVSH-në e ka 0%, por kur e shet të njëjtin produkt është me TVSH 20%. Pra ai nuk përfiton asnjë lekë rimbursim, për pasojë ai i drejtohet importit pasi TVSH-ja është 20% si në blerje dhe në shitje.
SKEMA E TVSH-SË NË BUJQËSI/ SHEMBULL
Tregtari blen grurë vendas tek bujku 100 lekë/kg *0% TVSH=0 lekë, më pas e shet 120 lekë/kg*20% TVSH= 24 lekë. Pra 24-0=24 lekë dhe nuk merr asnjë lekë kompensim.
Tregtari blen grurë importi me 100 lekë/kg *20% TVSH=20 lekë, më pas e shet në tregun vendas me 120 lekë/kg*20% TVSH= 24 lekë. Në rastin e importit tregtari përfiton pasi i njihet e drejta e rimbursimit, dhe llogaria bëhet TVSH-ja në shitje minus TVSH-në në blerje ose 24-20=4 lekë TVSH paguan kur importon.
Pra për të njëjtin produkt tregtari/importuesi/grumbulluesi paguajnë 24 lekë TVSH nëse e blejnë në Shqipëri dhe paguajnë vetëm 4 lekë nëse e blejnë jashtë vendit.
Komente

Mbillni provoni dhe sallatat dhe spinacin per byrekat keshtu sallate , sallate rukola , perime pomodorini , spinaci per byrecka , ose perime te tjera te sallatave pasi i perdorin restorantet ! Te krijohet ekonomi me logo per prodhim me buke gruri vëndas !
Përgjigju