Speciale

Speciale/ Historia e Ali Kingjit nga Kukësi, dikur ishte djaloshi që kërcente në skenë e rrëshqiste në ski, sot rrobaqepës i kostumeve popullore

3 Mars, 08:10| Përditesimi: 3 Mars, 09:28

  • Share

Tre histori të bukura janë ndërthur në jetën e Ali Kingjit nga Kukësi. Ai është njohur ndryshe edhe si djaloshi që kërcen në skenë e rrëshqet në ski. E nga pista e bardhë nis edhe rrëfimi i historisë së parë të Aliut 79 vjeçar, të qenit skijator. Nuk është e rastësishme prania e Aliut në këtë sport. Zanafilla e skijimit ka nisur gjatë Luftës së Parë Botërore (1914 - 1918), kohë në të cilën në Shishtavec erdhën trupat alpine austro-hungareze, të paisura me ski, të cilat i përdorën për shërbime ushtarake, zbavitje sportive dhe kalitje fizike.

Këtu lindi kureshtja e banorëve për këtë lloj sporti të cilët nisën të improvizonin pajisje skish me drurin e ahut dhe mështeknës. Në vitin 1939, do të ishin ushtarët italianë që qëndruan në këto zona gjatë periudhës së dimrit e që me vete kishin sjellë edhe ski të cilat ua dhuruan më vonë banorëve të pasionuar pas këtij sporti.

Në vitin 1949 klubi sportiv Morava i Shishtavecit, krahas sporteve të tjera tradicionale, i jep përparësi edhe sportit të rrëshqitjes me ski dhe e bëri këtë sport kryesor.  Në vitin 1950, me nismën e profesor Luigj Shalës, u bë e mundur të realizohej gara e parë kombëtare e rrëshqitjes me ski në Shishtavec ku ekipi ''Morava'' i Shishtavecit, fitoi vendin e parë. Kampionatet ndoqën njëra- tjetrën, medaljet e para gjithashtu. Shumë prej tyre janë në shtëpinë e Ali Kingjit.

Pas vitit 1974, Ali Kingji vendoset trajner i ekipit Përparimi të Kukësit. Ai tregon se pothuajse të gjithë skiatorët e ekipeve të tjera sytë i drejtonin nga të rinjtë e Shishtavecit. Ndërkohë që ishte shndrruar në një të ri të suksesshëm në sportin e skive, Ali Kingji nxjerr në pah një tjetër talent të tij, atë të rrobaqepësit.

Brenda një kohe të shkurtër në jetën e tij shënjohet historia e dytë e rëndësishme për të, ngritja e të parit repart të rrobaqepësisë për burra. Megjithatë ajo që e identifikon më shumë Aliun në Kukës është të qenit valltar e koreograf.

Pasioni për vallen nisi që në moshë të vogël për Ali Kingjin. Për herë të parë në skenë doli në Festivalin e 6-të të rinisë dhe studenteve në Moskë, në vitin 1957. Prej asaj dite nisi të shkruhej historia e tretë e jetës së kuksianit të talentuar.

Sot në të tetëdhjetat e tij, Ali Kingji i është rikthyer punës së rrobaqepësit. Në repartin që ka mbetur pothuajse i njëjtë si dekada më parë, ai punon së bashku me mjeshtrin që i mësoi zanatin, Sinan Haxhiun. E vjetra dhe ruajtja e traditës është kryefjalë e bisedave të tyre.

Prej nënës ka trashëguar dashurinë për rrobaqepësinë dhe kostumeve popullore. Përpiqet ta vazhdojë edhe sot duke përfituar nga dëshira e emigrantëve për t’i patur në shtëpitë e tyre këto veshje.

Historia e Ali Kingjit mbase nuk do të ishte kaq e larmishme pa Nadiren, bashkëshorten me të cilën janë njohur që në klasë të parë e që vazhdon ta shoqërojë çdo ditë të jetës. Skijator, valltar e rrobaqepës, Ali Kingji sot dëshiron t’i japë brezit të ri gjithçka di, veçanërisht dashurinë për vallen e Kukësit.

S.B/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju është dukur fushata zgjedhore?